Takimi me Ramën në Bruksel/ Füle: Shqipëria i ka kapacitetet për sfidat e integrimit, dialog me opozitën

0
99

Gëzim Saliu

 

Eurokomisioneri: Statusi, vlerësim i punës së të gjithë aktorëve, çoni përpara axhendën e BE-së

 Rama: Shkëmbyem pikëpamjet për integrimin dhe reformat në vazhdim

 

fyle me ramenKomisioneri për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefan Füle, pohon se Shqipëria i ka kapacitetet për të përmbushur sfidat e procesit të integrimit në BE. Në një takim që zhvilloi me Kryeministrin Rama në Bruksel, në kuadër të axhendës zyrtare të këtij të fundit pas takimeve në Gjermani, Füle theksoi se mirëpret angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë për reforma që kanë të bëjnë me integrimin evropian, duke përgëzuar veprimet e ndërmarra nga qeveria në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Jam i bindur se vendi ka kapacitetin për të zgjidhur sfidat e integrimit evropian me vendosmëri”, – shkruante Füle në rrjetin social “Twitter” pas takimit me kreun e qeverisë Rama. Ndërkaq eurokomisioneri ka mirëpritur qëndrimin e qeverisë për një trajtim gjithëpërfshirës të reformave, bazuar në një dialog konstruktiv dhe një përfshirje të opozitës për një qëndrueshmëri dhe sukses të reformave.

 

Takimi

Në kuadër të takimeve zyrtare, Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një takim në Bruksel me komisionerin për Zgjerimin, Stefan Füle, ku temë kryesore e diskutimit mes tyre ishte ecuria e vendit në reformat e cilësuara si prioritete nga BE në kuadër të vendimit që do të merret për statusit e vendit kandidat në muajin qershor. Sipas eurokomisionerit se statusi është një vlerësim i punës së gjithë aktorëve të përfshirë. Në këtë kontest, Füle theksoi se të gjitha energjitë vitale të vendit, duke përfshirë edhe ato të shoqërisë civile, duhet të përdoret për të çuar përpara axhendën e BE-së. Po ashtu, ai nënvizoi në takim rëndësinë e Dialogut të Nivelit të Lartë në prioritetet kryesore dhe ra dakord me Kryeministrin Rama për të mbajtur mbledhjen e ardhshme në fillim të qershorit. “Shqipëria duhet të vijojë rrugën e nisur, ku duhen rezultate të qarta në reformën e sundimit të ligjit”, – ka theksuar Füle. Ndërkohë, kreu i qeverisë shqiptare preferoi të ndante shkurt qëndrimin e tij lidhur me këtë takim, duke shkruar në rrjetin social “Twitter” se mes palëve u fol mbi reformat që duhet të ndërmerren më tej. “Për një këmbim pikëpamjesh mbi ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe punët e mëdha në vazhdim”. Vizita e Kryeministrit në Bruksel vjen pas asaj të zhvilluar më parë në Gjermani, ku në takimin me Kncelaren gjermane Angela Merkel u fol kryesisht për aspiratën e Shqipërisë për integrimin në strukturat evropiane. Kancelarja i bëri të ditur Kryeministrit se marrja e statusit kandidat nga Shqipëria do të varet nga raporti që do të përgatisë në qershor Komisioni Evropian, ku do të bëhet e ditur nëse vendi ka shënuar progres në reformat e përcaktuara si kritere kryesore nga Brukseli. Po ashtu, ajo nënvizoi se Gjermania do ta shohë pozitivisht dhënien e statusit ndaj Shqipërisë, duke shtuar se çështja kryesore në këtë proces nuk ta bëjë me faktin nëse vendi do ta marrë statusin kandidat, por me kohën se kur do ta përfitojë atë. “Ne i trajtojmë vendet në bazë të raporteve të Komisionit Evropian. Komisioni Evropian paraqet raporte për statusin, për gjendjen e punëve. Hapi tjetër që vjen tani për Shqipërinë është statusi i kandidatit. Ne në qershor do të marrim një raport të ri dhe me atë që dëgjova unë, do të ketë sigurisht edhe përparime. Komisioni do t’i ketë regjistruar këto përparime dhe ne do t’i shikojmë me një vështrim pozitiv dhe do të vendosim me një vështrim pozitiv për statusin e kandidatit për Shqipërinë”, – tha Kancelarja gjermane.

 

 

 

Intervista/Rama: “Këshillat” e Merkelit, pa reformë në drejtësi BE-ja një iluzion. Politika e re me Serbinë

 Kryeministri: Nuk shkohet në BE pa kaluar nga Berlini, garanci për investimet gjermane

 “Në qoftë se do të kishim nivelin e barazisë së Gjermanisë para ligjit do të ishim në krye të BE-së”

Kryeministri Rama zbardh detaje nga biseda mes tij dhe Kancelares gjermane Angela Merkel të zhvilluar dy ditë më parë në Berlin, ku thekson se pa reformë reale në drejtësi, Bashkimi Evropian do të mbetet iluzion për Shqipërinë. Në intervistën për “Deutsche Welle”-n, Rama flet gjithashtu edhe lidhur me mundësinë e rritjes së investimeve gjermane në vend si edhe për situatën e re në rajon, ku pohon se Shqipëria do të zhvillojë marrëdhënie të reja me Serbinë.

 

 

Zoti Rama, vizita juaj në Berlin ndodh, para se ju të shkoni në Bruksel. A do të thotë kjo se për të hyrë në BE, duhet të kalosh nga Berlini?

Sigurisht që nuk shkohet në BE pa kaluar nga Berlini, por nga ana tjetër këto dy vizita janë bashkuar për të fituar sa më shumë kohë.

 

Zoti Rama, edhe politikanët gjermanë nuk i mohojnë zhvillimet pozitive të Shqipërisë, reformat e marra apo projektet, që po ndjek vendi. Por ata kërkojnë më shumë prova konkrete të realizimit të tyre në jetë. Ju kishit prova të tilla në tryezën e bisedimeve gjatë takimeve, që janë vënë në jetë dhe janë bindëse për rrugën e duhur të Shqipërisë drejt integrimit evropian?

Unë mendoj se prononcimi i Kancelares ishte mjaft i qartë dhe kuptimplotë. Sigurisht që këtu nuk bëhet fjalë për një stacion, ku mbërrihet dhe pastaj mund të ulesh. Bëhet fjalë për një proces dhe procesi është i mbushur me sfida. Ne ndamë bindjen e thellë se pa një reformë reale të drejtësisë, synimi për t’u anëtarësuar plotësisht në Bashkimin Evropian mbetet në fund të ditës një iluzion, kështu që rruga e integrimit është e lidhur domosdoshmërisht me rrugën e reformimit rrënjësor të sistemit të drejtësisë dhe ne jemi shumë të vendosur ta bëjmë këtë gjë, aq më tepër me mbështetjen e plotë të partnerëve tanë, SHBA, BE dhe sigurisht edhe të Gjermanisë, mbështetjen e së cilës lidhur me këtë reformë Kancelarja e konfirmoi edhe në mënyrë shumë eksplicite.

 

Pra, ju do të shkoni në Tiranë me një sërë, le ta quajmë “këshillash apo sugjerimesh nga Berlini, sa u përket reformave, veçanërisht në sektorin e drejtësisë?

Këtu nuk bëhet fjalë për sugjerime të natyrës teknike, por bëhet fjalë për një vizion të përbashkët dhe plotësisht të dakorduar, lidhur me çfarë do të bëjë Shqipëria për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit dhe për të bërë të mundur që anëtarësimi në Bashkimin Evropian, kur do që ai të vijë, të vijë si pasojë e një transformimi real të jetës së vendit. Nga ana tjetër me kënaqësi kam ndarë me Kancelaren edhe bindjen tonë se integrimi në Bashkimin Evropian nuk është një udhëtim për diku, por është një udhëtim brenda nesh, për të nxjerrë më të mirën nga ne dhe për të modernizuar vendin tonë. Vendi ynë është në Evropë, do të bëjmë gjithçka, që të meritojmë atë vend, që shqiptarët aspirojnë dhe që me ndihmën e Kancelares dhe partnerëve tanë europianë ne do të mund t’ua japim, duke bërë të gjitha detyrat tona, duke shprehur vetëdijen, që procesi i integrimit është proces i patjetërsueshëm.

 

A kanë interes vetë gjermanët për të investuar në Shqipëri, zoti Rama?

Sigurisht që çështja e rritjes së investimeve të huaja është një çështje, që kërkon jo vetëm interesin e një pale, por edhe garancitë e palës tjetër. Ne jemi të gatshëm për pjesën tonë të sfidës dhe jam i bindur që dorë pas dore do të shikojmë gjithmonë e më tepër sipërmarrje gjermane të gatshme, që të bëhen pjesë e rrugëtimit tonë për të rilindur Shqipërinë ekonomikisht dhe për t’i dhënë vendit tonë atë mirëqenie, që aspiron prej kaq shumë kohësh dhe që i mungon prej kaq shumë kohësh.

 

Por nëse do t’i referohesh modelit gjerman, ju duhet ta dini që gjermanët dallohen edhe për respektimin e ligjit. Para ligjit gjunjëzohet presidenti, kancelari, njësoj sikurse qytetari i thjeshtë. Dhe për këtë ka shembuj konkretë. Kur do të ketë një rast të tillë konkret edhe në Shqipëri, zoti Rama?

Përgjigja ime është shumë e shkurtër dhe e qartë: Në qoftë se Shqipëria do të kishte arritur atë nivel të barazisë para ligjit dhe të ndëshkueshmërisë për çdokënd pavarësisht hierarkisë, siç e ka Gjermania, ne praktikisht do të ishim bashkë me Gjermaninë në krye të punëve të Bashkimit Evropian, por Gjermania është Gjermani dhe Shqipëria është Shqipëri.

 

Zoti Rama, roli i Shqipërisë në rajon sigurisht që është shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet me vendet fqinje, por ndërkohë ende nuk ka një shkëmbim të vizitave mes Beogradit dhe Tiranës në nivel kryeministrash. A do të ishit ju i gatshëm për ta bërë këtë, pra për të hedhur hapin e parë në këtë drejtim?

Edhe kjo temë u prek edhe në bisedën që pata me Kancelaren Merkel. Sigurisht që është një kohë e re për Ballkanin. Unë e kam thënë këtë qysh në krye të herës, që qysh me nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është mbyllur një epokë dhe është hapur një epokë. Ky është viti i parë në historinë e Ballkanit, që nis pa asnjë konflikt mes shteteve dhe vendeve dhe nga ana tjetër përkon me 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore. 2014-a është një vit i jashtëzakonshëm për Ballkanin, i pari vit, ku s’ka një fqinj me pushkën drejtuar ndaj fqinjit tjetër, kështu që në këtë hapësirë të re, ku bashkëpunimi dhe ndërveprimi rajonal është në rend të ditës për të mirën e gjithë popujve, sigurisht që edhe marrëdhëniet tona me Serbinë do të zhvillohen në një trajtë tjetër, në trajtën e një marrëdhënieje mes njerëzish, popujsh, shtetesh, që jetojnë me të njëjtin rajon, me të njëjtat sfida dhe që së bashku mund të bëjmë shumë më tepër se sa të ndarë. Me siguri në këtë aspekt do të kemi edhe vizita të nivelit më të lartë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency