Paketa/ Kontrolli mjekësor për moshat 40-65, ja analizat që do të bëhen falas

0
140

Do të jetë mjeku i familjes dhe qendrat shëndetësore, të cilat do të njoftojnë të gjithë shtetasit për kryerjen e kontrollit mjekësor

 

 

Kontroll mjekesorZbardhet paketa e kontrollit mjekësor për moshat 40-65 vjeç. Kjo paketë synon që të identifikojë të gjitha problemet shëndetësore që kanë sot shqiptarët, ku të gjitha analizat do të bëhen falas. “Kontrolli mjekësor synon depistimin e popullatës për faktorët e rrezikut dhe sëmundjet prevalente me qëllim kujdesin për shëndetin, parandalimin e sëmundjeve dhe komplikacioneve, zbulimin e hershëm të çrregullimeve, mjekimin në fazat e hershme dhe përmirësimin e kulturës shëndetësore”, – thuhet në vendimin e qeverisë. Të gjithë shtetasit e grup-moshës 40-65 vjeç, me qëndrim të përhershëm në Shqipëri, përfitojnë pa pagesë nga programi kombëtar i kontrollit mjekësor bazë. “Identifikimi i shtetasve të grup-moshës 40-65, vjeç me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, realizohet nga të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të regjistrit elektronik, që administrohet nga mjekët e përgjithshëm të qendrave shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë harton protokollet e realizimit të çdo komponenti të paketës së kontrollit mjekësor bazë dhe udhëzuesin e kritereve e të lëvizjes së shtetasve në sistemin shëndetësor për përfitimin e këtij kontrolli. Ministria e Shëndetësisë miraton institucionet shëndetësore ku do të realizohen pjesë të ndryshme të paketës së kontrollit mjekësor bazë, duke garantuar mbulesën e plotë të grup-moshës bazuar në popullsinë e zonës së mbulimit, distancat e infrastrukturën, si dhe disponueshmërinë e shpërndarjen e personelit mjekësor e atij mbështetës”, – përcaktohet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Do të jetë mjeku i familjes dhe qendrat shëndetësore, të cilat do të njoftojnë të gjithë shtetasit për kryerjen e kontrollit mjekësor. Programi i kontrollit mjekësor bazë fillon të zbatohet brenda vitit 2014.

 

Ministri i Shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u shpreh dje se ky është hapi i parë i kalimit në drejtim të sistemit të kujdesit shëndetësor universal. Do të ftojmë të gjithë qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, në grup-moshën 40 deri në 65 vjeç, të bëjnë një kontroll bazë shëndetësor pa pagesë. Do të ftohen të gjithë, pa pasur dallim, nëse janë apo jo, sot, të siguruar, në sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, me kontributet e tyre apo me programet e tjera që i sigurojnë nga buxheti i shteti”, – u shpreh Beqaj. Po kështu, ministri i Shëndetësisë bëri me dije se kjo paketë do të bëjë të mundur zbulimin në stade shumë të hershme të problemeve shëndetësore dhe për këtë arsye do të reagohet më shpejt.

 

Paketa e kontrollit mjekësor për moshat 40-65

 

1-Vlerësim, këshillim, trajtim dhe ndjekje për faktorët e stilit të jetesës:

Puna që kryen apo ka kryer

Ushqyerja

Konsumimi i duhanit

Konsumimi i alkoolit

Niveli i stresit dhe depresionit.

2-Matje, vlerësim, këshillim, referim dhe ndjekje e parametrave fiziologjikë:

Tensioni arterial

Pesha trupore

Aktiviteti i zemrës

3- Matje, vlerësim, këshillim, trajtim, referim dhe ndjekje e parametrave biokimikë:

Formula e gjakut

Hb, HCT, MCV, MCH, MCHC

Kolesteroli total, HDL kolesterol, LDL kolesterol, trigliceride

Glicemia

Feçe për gjak okult

Albuminuria, prania e qelizave, cilindrave, kristaleve në urinë

Bilirubinë totale dhe direkte, transaminaza (SGPT, SGOT)

 

 

 

Studimi

Vitamina B12 ndihmon në forcimin e kockave

Vitamina B12 përveçse “forcon” gjakun dhe parandalon aneminë, ajo ndihmon edhe në forcimin e kockave. Kjo vitaminë, e cila gjendet në ushqimet me prejardhje shtazore si mishi, veza, djathi dhe qumështi, është shumë e rëndësishme për prodhimin e eritrociteve dhe funksionimin e sistemit nervor. Megjithatë, hulumtimet e reja kanë treguar se ajo luan rol edhe në mbrojtjen e masës kockore te gratë e moshuara. Te gratë mbi moshën 50 vjeçe vjen te përshpejtimi i dobësimit të masës kockore, e cila më pas çon në osteoporozë, një gjendje që prek një të tretën e grave. Sipas disa studimeve të realizuara kohë më parë, është gjetur se nivelet e ulëta të vitaminës B12, nën 280 pg/ml, kanë rezultuar me dobësim më të shpejtë të kockave, dhe një rritje të gjasave për fraktura, krahasuar me gratë që kanë pasur nivele më të larta të kësaj vitamine. Autorët e studimit këshillojnë gratë e moshuara, të cilat nuk konsumojnë shumë produkte shtazore, të përdorin suplementë (tableta vitaminoze), me qëllim që të ndihmojnë ruajtjen shtesë të fortësisë së kockave.

 

 

Këshillat

Sa i rëndësishëm është hekuri në ushqime?

Hekuri është pjesë mjaft e rëndësishme e ushqimit, pasi merr pjesë në përbërjen e hemoglobinës dhe ka rol në lidhjen dhe përcjelljen e oksigjenit nga mushkëritë në gjak. Në indet dhe organet e njeriut, hekuri lidhet me proteina të ndryshme, siç janë kromoproteinat, flavoproteinat dhe grupi i tretë ku bëjnë pjesë transferina dhe feritina. Hekuri merr pjesë edhe në sintezën e ADN-së, në metabolizmin e katekolaminave dhe shërben si përcjellës i elektroneve në mitokondrie. Në organizmin e njerëzve të rritur gjenden prej 3 deri në 5 mg hekur. Pjesa më e madhe gjendet në hemoglobinë dhe mioglobinë. Pjesa e tepërt e hekurit në organizëm gjendet si rezervë në formë të feritinës dhe hemosiderinës në mëlçi, shpretkë dhe palcën kockore. Feritina ka mjaft role në organizëm: pengon grumbullimin e hekurit të lirë; ruan hekurin për sintezën e hemoglobinës dhe ka rol në përthithjen e hekurit nga zorra. Feritina është masë më e mirë për të matur edhe sasinë e hekurit në organizëm. Përmes ushqimit në organizëm futen rreth 10 deri në 30 miligramë hekur në ditë. Burimet më të pasura të hekurit janë këto: mishi, mëlçia, vezët, mishi i pulës, peshku, soja, tërshërë, kungull, bizelja, fiku etj. Personat e shëndoshë, pa simptoma të mungesës, absorbojnë nga 0.5 deri në 1 mg hekur ose 5-10%. Tek personat të cilët kanë mungesë të hekurit në orgazmën, absorbohet rreth 30% e hekurit nga ushqimi. Shërimi nga pasojat e mungesës së hekurit qëndron në marrjen e preparateve perorale të hekurit ose përmes injeksioneve. Në format e rënda duhet të bëhet edhe transfuzioni i eritrociteve të koncentruara. Sigurisht, më i mirë është shërimi i shkaktarit të anemisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency