Anxhela Tato
Të pandehurit, nën akuzë për vjedhje, veçohet dosja e trafikut të 78 veprave të artit
Hetimet pas kallëzimit të Arben Spahos, ekspertiza zbuloi se ikonat janë grabitur në disa kisha të vendit tonë
Vjedhja e veprave të artit është akuza me të cilën do të gjykohet koleksionisti Gjergj Thimo dhe Arben Spaho. Prokuroria ka përfunduar hetimet, duke depozituar dosjen në gjykatë ndaj dy të pandehurve. Hetimi nisi pas kallëzimit të bërë nga i pandehuri Spaho, i cili akuzonte Gjergjin se nuk i kishte kthyer lekët borxh. Në dëshminë e tij Spaho tregonte se Gjergji kishte në banesën e tij vepra të ndryshme të vjedhura, të cilat i shiste. Sipas Prokurorisë, gjatë hetimit ka rezultuar se dy shtetasit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë bashkëpunuar në kryerjen e veprës penale të vjedhjes së veprave të artit në sasi të mëdha. Sipas organit të akuzës, një pjesë e madhe e objekteve të gjendura në mjediset që administroheshin nga shtetasit Thimio dhe Spaho, rezultojnë të vjedhura nga disa objekte fetare dhe kulti në zona të ndryshme të Shqipërisë. Ndërkohë, mësohet se Prokuroria e Tiranës ka veçuar çështjen dhe po vijon hetimet për të zbuluar se ku gjenden 78 ikona, të cilat kanë qenë të pajisura me pasaportë nga shtetasi Gjergji Thimio dhe nuk janë më në koleksionin e tij. Ndërsa nën hetim vijojnë të jenë dy punonjës të Qendrës së Inventarizimit në lidhje me akuzën e trafikut të veprave të artit. Nga Prokuroria bëhet me dije se dy punonjësit kanë regjistruar dhe certifikuar disa nga veprat e artit, të cilat mund të jenë të vjedhura.
Kallëzimi
Në datën 12.6.2013, është paraqitur në Drejtorinë e Policisë Arben Spaho për të bërë kallëzim penal ndaj Gjergji Thimos. Në kallëzim ky shtetas sqaron se Thimo i ka borxh 2 milionë lekë, shumë të cilën ia kishte marrë për blerjen e pikturave të shtrenjta. Sipas kallëzuesit, Gjergji kishte kohë që merrej me shitjen e pikturave të shtrenjta. Pasi i ka dhënë shumën e parave borxh, kallëzuesi Arben Spaho ka shkuar tek shtëpia e Gjergji Thimos në rrugën “Don Bosko”. Sipas tij, ai ka takuar shumë persona që merreshin me shitjen e veprave të artit dhe kulturës dhe që kishin ardhur tek Gjergji për të blerë piktura. Ky shtetas ka kallëzuar se tek banesa e Gjergji Thimos gjendeshin dhe tregtoheshin sende të vjedhura në kisha të ndryshme të Shqipërisë, të cilat ishin vjedhur kryesisht në kishat e rretheve Korçë, Përmet, Gjirokastër dhe me sa kishte dijeni ai shiste edhe ikona, të cilat ishin vjedhur në Maqedoni. Duke qenë se Gjergji i kishte borxh i ka kërkuar Arbenit që borxhin ta shlyente me piktura me qëllim që t`i shiste, por Arbeni nuk ka pranuar, pasi kishte i nevojiteshin paratë për një problem familjar. Arben Spaho ka vënë në dispozicion të organit procedues edhe 3 foto ikonash që ia ka dhënë Gjergji, të cilat janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale, këto sipas kallëzuesit janë vjedhur jashtë Shqipërisë.
Ekspertiza
Pas ekspertizës së ikonave të koleksionistit Gjergji Thimo, rezulton se objektet relikte kishtare janë vjedhur nga katër kisha në vendin tonë. Konkretisht, veprat rezultojnë se janë vjedhur nga Kisha e Shën Thanasit në Voskopojë, Kisha e Shën Thanasit të Karavastasë në Lushnjë, Kisha e Shën Marisë në Bishtqethun të Lushnjës dhe Kisha e Manastirit në Spille. Gjithashtu, në raportin e hartuar nga 11 ekspertë është theksuar se 21 prej këtyre veprave të artit i përkasin trashëgimisë kulturore maqedonase, nga e cila pritet edhe një kërkesë për kthimin e tyre në vendin e origjinës. Ndërkaq, në ekspertizën që është bërë, ka rezultuar edhe një gabim që është bërë nga forcat e policisë. Kjo, pasi uniformat blu kanë bërë një gabim në numërim, duke shënuar 477 vepra arti, kur në fakt janë 476. Sipas këtij raporti, 21 prej këtyre objekteve nuk janë pjesë të trashëgimisë kulturore, edhe pse disa prej tyre janë objekte të vjetra rreth 100-vjeçare. Këto objekte, rezultojnë të certifikuara nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurisë Kulturore. Pjesa tjetër, prej 454 objektesh, janë trashëgimi kulturore dhe sipas legjislacionit janë në pronësi të shtetit shqiptar. Por gjatë vrojtimit të këtyre objekteve, rezulton se 15 baldakinët e ikonostaseve, të cilat janë pjesë druri unikal e të gdhendur në mënyrë artistike, janë sharruar dhe gjymtuar. Sipas raportit, datimi më i hershëm i këtyre objekteve i takon shekullit 16 dhe 17, që i përket ikonës “Krishti Pantokrat”, që është prej druri dhe tempera.
Tiranë
Plagosi 24-vjeçarin me thikën, pranga autorit dhe 2 shokëve të tij
Plagosën 24-vjeçarit për konflikt banal, bien në pranga në Shkodër. Ngjarja është regjistruar rreth orës 16:00 të drekës në afërsi të Fakultetit të Inxhinierisë. Albi Jepaxhiu në bashkëpunim me dy shokë të tij ka qëlluar me thikë 24-vjeçarin Rigers Mançellari. Ky i fundit është transportuar me urgjencë për në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga të dhënat e bluve mësohet se sherri mes dy të rinjve ka nisur një ditë para krimit. Të dy djemtë janë përplasur në ambientet e shkollës dhe kanë nisur të debatojnë për një motiv banal. Autori i kërkonte llogari të plagosurit për arsyen pse e shikonte. Por ndërhyrja e shokëve ka bërë që dy djemtë të ndaheshin nga njëri-tjetri. Por mesa duket autori nuk ka arritur dot ta kapërdijë zënkën dhe ka nisur sërish debatin me Rigers Mançellarin. Ditën e djeshme dy djemtë janë konfliktuar dhe konfrontuar fizikisht, deri në momentin kur Albi Jepaxhiu ka nxjerrë thikën dhe ka plagosur 24-vjeçarin. I trembur ai ka ikur me vrap së bashku me dy shokët e tij Ermald Jepaxhiu dhe Gerald Mithi. Për t’i shpëtuar rrethimit nga policia, tre të rinjtë janë arratisur, por janë kapur nga blutë e Shkodër. Ndërkohë, në banesën e të arrestuarve, policia ka gjetur dhe ka sekuestruar edhe një armë zjarri tip “Kallashnikov”. Ndërkaq, policia do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes në Tiranë.
Grabitja
I arrestuari në polici: Detyrohem të plaçkit
Një grua është grabitur në rrugët e Tiranës dje pasdite nga një djalë 13 vjeç. Policia bën të ditur se ngjarja ndodhi në rrugën “Qemal Stafa”, ndërsa punonjësit e komisariatit nr. 4 kanë ndërhyrë në kohë dhe kanë bërë shoqërimin e grabitësit. Sipas policisë, grabitësi është pjesë e një grupi që plaçkitnin persona në rrugë. Ndërkohë, 13-vjeçari gjatë marrjes në pyetje në komisariat ka dhënë detaje në lidhje me grupin dhe është shprehur se ai detyrohej të plaçkiste. Ndërkaq, blutë e Tiranës janë vënë në kërkim të tutorëve të grupit të grabitësve.
Aksidenti
Makina përplaset me motorin, plagoset drejtuesi
Aksident me pasojë plagosjen e një shtetasi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje rreth orës 19:20, pranë Rrugës së Dibrës, pasi një makinë u përplas me një motor. Nga aksidenti, ka mbetur i plagosur drejtuesi i motorit. Sipas informacioneve paraprake, mësohet se gjendja e të plagosurit paraqitet kritike për jetën. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.