Udhëzimet/ Ndryshojnë kriteret për marrjen e ndihmës ekonomike dhe aftësinë e kufizuar

Bashkitë dhe komunat do të jenë institucionet që do të programojnë kërkesat për ndihmën ekonomike, por ndryshe nga më parë, nuk do të përcaktojnë se kujt do t’i jepet ndihmë ekonomike dhe kush nuk do të përfitojë

 

leke-ne-dore_0Udhëzimi më i fundit i Ministrisë së Mirëqenies Sociale përcakton rregullat se si do të jepet ndihma ekonomike nga njësitë vendore. Bashkitë dhe komunat do të jenë institucionet që do të programojnë kërkesat për ndihmën ekonomike, por ndryshe nga më parë, nuk do të përcaktojnë se kujt do t’i jepet ndihmë ekonomike dhe kush nuk do të përfitojë. Me udhëzimin e ri të ministrit të Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, do të jenë drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, institucionet që do të përcaktojnë se kush duhet të marrë ndihmë ekonomike. Administratori shoqëror në bashki ose komunë, në përputhje me kriteret dhe treguesit, programon kërkesat për fonde për ndihmën ekonomike dhe i dërgon në drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror.

Programimi për ndihmën ekonomike

Programimi i fondeve mbështetet në numrin e popullsisë gjithsej, numrin e familjeve, vlerësimin e varfërisë dhe numrin e familjeve, në strukturën e anëtarëve të familjes (anëtarët në moshë pune, mbi moshë pune dhe nën moshë pune), personat që kanë statusin e jetimit, numrin e familjeve, që kanë fëmijë të lindur njëherësh, si: trinjakë, katërnjakë apo pesënjakë, viktima të trafikimit, viktima të dhunës në marrëdhëniet familjare, fëmijë në familje kujdestare etj. Në bazë të dokumentacionit, vlerësohen edhe të ardhurat që llogariten sipas koeficientëve nga pasuria, toka, blegtoria, duke përjashtuar qarqet Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

Fondet

Fondet e nevojshme për ndihmën ekonomike për bashkinë/komunën përllogariten në bazë të treguesve të mësipërm. Njësitë vendore, kërkesat për fondet i programojnë i dorëzojnë në drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, në fund të muajit qershor të vitit në vazhdim. Drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror vlerësojnë kërkesat në përputhje me kriteret në fuqi dhe hartojnë nevojat për fondet e bllokndihmës ekonomike në nivel qarku për secilën bashki/komunë, brenda datës 10 korrik i dërgojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror vlerëson kërkesat e ardhura nga rajonet dhe programon fondet për projektbuxhetin e vitit pasardhës në nivel kombëtar, të cilët i përcjell në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Në fund të muajit nëntor të vitit në vazhdim bashkitë/komunat, përditësojnë kërkesat për fonde dhe i paraqesin në drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror. Drejtoritë rajonale këto kërkesa i përcjellin brenda datës 10 dhjetor në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror.

Shërbimi Social Shtetëror bën detajimin e fondeve të programuara për bllokndihmën sipas ligjit të buxhetit të vitit pasardhës për çdo bashki/komunë dhe i përcjell në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror dërgon brenda datës 10 të muajit shkurt, prill, qershor, gusht dhe tetor, në Drejtorinë e Financave të MMRS-së, sektori i buxhetit, treguesit statistikorë mbi numrin e përfituesve të personave me PAK për të gjitha kategoritë dhe fondin faktik të shpenzuar të çdo dymujori, për çdo bashki/komunë, fond ky, i cili do të shërbejë për çeljen në dymujorët pasardhës dhe konkretisht treguesit statistikorë dhe fondi i shpenzuar, të muajve nëntor-dhjetor, do të shërbejë për çeljen e fondeve për periudhën mars-prill, e kështu në vazhdimësi për dymujorët e tjerë.

 

Personat me aftësi të kufizuara

Administratori shoqëror në bashki/komunë, në përputhje me kriteret dhe treguesit, programon kërkesat për fonde për pagesat për personat me aftësi të kufizuara dhe i dërgon në drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror. “Programimi i fondeve për pagesat e personave me aftësi të kufizuar bëhet për çdo grup në veçanti, në përputhje me nenet 7 dhe 8 ligjit nr. 9355, datë 10.3.2005, të ndryshuar, për paraplegjikët dhe tetraplegjikët, për personat me aftësi të kufizuar fizike e mendore, si edhe për invalidët e punës. Programi i fondeve për të verbrit bëhet në përputhje me udhëzimin nr. 1956, datë 19.9.2006. Fondet e nevojshme për të gjitha grupet e PAK të bashkisë/komunës përllogariten në bazë të numrit të personave me aftësi të kufizuara për secilin grup të vlerësuar sipas vendimit të KMCAP/KMPV dhe masës së përfitimeve për secilën kategori. Për të gjitha kategoritë mbahen parasysh pagesat e diferencuara që përfitojnë individë të veçantë për periudhën kur ndjekin arsimin e mesëm, të lartë apo pasuniversitar, pagesave për kompensimin financiar për energjinë elektrike, telefoninë fikse apo edhe pagesën për paketën higjieno-sanitare”, – thuhet në udhëzimin e MMSR-s. Njësitë vendore, kërkesat për fondeti dorëzojnë në drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, në fund të muajit qershor të vitit në vazhdim.

Kërkesat

Drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror vlerësojnë kërkesat në përputhje me kriteret në fuqi dhe hartojnë nevojat për fondet e pagesës së PAK në nivel qarku dhe brenda datës 10 korrik i dërgojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror vlerëson kërkesat e ardhura nga rajonet dhe programon fondet për projektbuxhetin e vitit pasardhës në nivel kombëtar, të cilët i përcjell në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Në fund të muajit nëntor të vitit në vazhdim bashkitë/komunat, përditësojnë kërkesat për fonde dhe i paraqesin në drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror. Drejtoritë rajonale këto kërkesa i përcjellin brenda datës 10 dhjetor në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror. Shërbimi Social Shtetëror bën detajimin e fondeve të programuara për PAK sipas ligjit të buxhetit të vitit pasardhës për çdo bashki/komunë dhe i përcjell në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. MMSR bën transferimin e fondeve si grante të kushtëzuara për dymujorin e pare dhe për vazhdimësinë, transferta do të bëhet për çdo dymujor.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror dërgon brenda datës 10 të muajit shkurt, prill, qershor, gusht dhe tetor, në Drejtorinë e Financave të MMRS-së, sektori i buxhetit, treguesit statistikorë mbi numrin e përfituesve të personave me PAK për të gjitha kategoritë dhe fondin faktik të shpenzuar të çdo dymujori, për çdo bashki/komunë, fond ky, i cili do të shërbejë për çeljen në dymujorët pasardhës, konkretisht treguesit statistikorë dhe fondi i shpenzuar, të muajve nëntor-dhjetor, do të shërbejë për çeljen e fondeve për periudhën mars-prill, e kështu në vazhdimësi për dymujorët e tjerë

Kërko