Miratohet dekreti për punonjësit sezonalë në Itali, mundësi për mijëra të papunë në Shqipëri

punesim sezonalMe një vonesë disamujore nga premtimet e bëra (thuhej se do të miratohej brenda dhjetorit 2013), por edhe kundrejt nevojave të bujqësisë, mbërriti më në fund në Gazetë Zyrtare dekreti i flukseve që u hap dyert 10 mijë punonjësve sezonalë jokomunitarë në Itali. “Kryeministri ka nënshkruar dekretin. Teksti i është përcjellë Kontrollit të Shtetit dhe shpejt pritet të publikohet në Gazetën Zyrtare. Brenda pak ditëve do të dalë edhe qarkorja e përbashkët e ministrisë së Brendshme dhe e asaj të Punës e do të jetë e mundur të fillohet me përpilimin online të kërkesave”, – shpjegon për “Stranieriinitalia.it” Romano Magrini, përgjegjës për Politikat e Punës në Coldiretti. Teksti ishte gati e mbi të kishin rënë dakord mes ministrisë së punës dhe shoqatave të kategorisë që në fillim të dhjetorit 2013. Shoqatat kishin pranuar edhe reduktimin drastik e numrit të hyrjeve (një vit më parë kishin qenë 30 mijë, por sipas përllogaritjeve të ekspertëve të ministrisë së Punës, për shkak të krizës nevojat e vërteta të ekonomisë kanë rënë ndjeshëm) me kusht që dekreti të miratohej dhe të hynte në fuqi sa më shpejt. Gjë që nuk është respektuar nga qeveria kryesisht për shkak të ndërrimit të qeverive, akt që sjell edhe një ngadalësim të administrimit të zakonshëm. Që një muaj më parë, Coldiretti ankohej se ishte vonë për dekretin e flukseve. “Tani themi se është tepër vonë, ndërmarrjet e bujqësisë që ne përfaqësojmë kanë më shumë se kurrë nevojë për sezonalët. Të shpresojmë që të mos dalin pengesa të reja dhe që punonjësit e huaj të mund të vijnë sa më parë në Itali”.

 

Punonjësit

Për sjelljen në Itali të punonjësve sezonalë, parashikohen disa lehtësira të ndjeshme. “Autorizimet shumëvjeçare dhe mekanizmi i heshtjes-miratim për kërkesat që bëhen për persona që kanë qenë njëherë në Itali janë hapa të rëndësishëm përpara. Por përshpejtimi i hyrjeve të para është shumë i rëndësishëm, vetëm kështu mund të mos kenë më alibi ata që marrin në punë në mënyrë të parregullt”, – nënvizon Magrini. Për të zhbllokuar dekretin e flukseve, shoqatat e bujqësisë kanë bërë presion edhe mbi ministrin e ri të Punës, Giuliano Poletti. Përgjigjja, ama, nuk ishte edhe aq e shpejtë. Në qeveri duket se mbizotëron ideja që hyrjet e reja të sezonalëve nuk janë urgjente, sepse ka shumë të papunë, italianë dhe të huaj, që mund të punojnë edhe në fusha. “Në fakt, vonesa është shumë e rëndë”, – thotë Claudia Merlino përgjegjëse e Punës në Konfederatën e Italiane të Agrikultorëve (CIA). “Kërkesat më të shumta për punonjës sezonalë nga jashtë vijnë nga Veneto, Emilia Romagna dhe Piemonte. Firmosja e dekretit është vetëm hapi i parë. Edhe sikur gjithçka të shkojë mirë këtej e tutje, këta punonjës do të arrijnë të vijnë në Itali vetëm në verë”. Ekspertja kundërshton idenë e ministrisë se nevojat për krah pune të huaj në bujqësi kanë rënie të ndjeshme. “Punësimi në sektorin tonë nuk ka pësuar rënie të madhe. Kemi nevojë për punonjës stinorë e nuk arrijmë t’i gjejmë mes të papunëve që janë në Itali”. Por teknikët e ministrisë shpesh kanë vënë në dukje se kërkesat e shumta të punësimit të punonjësve sezonalë, pas lëshimit të autorizimit të hyrjes së punonjësve në Itali nuk transformohen në kontrata pune. “Sipas tyre ndodh kështu sepse dekreti i flukseve shfrytëzohet për të sjellë në Itali persona pa qenë e vërtetë kërkesa e punësimit, sipas nesh problemi qëndron në kohën e gjatë të përgjigjes: punonjësit arrijnë të vijnë në Itali kur ndërmarrjet nuk kanë më nevojë për ta”, – deklaroi Merlino. Pjesën më të madhe të kuotave që shkojnë për punësim sezonal në Itali e zënë shqiptarë. Shqiptariiitalise.com

 

 

Transfertat e emigrantëve në nivel minimal historik, bien 26.5% në 2013-ën

Paratë që emigrantët dërguan në shtëpitë e tyre gjatë vitit 2013 ishin në nivelin më të ulët historik, që nga viti 2000, kur Banka e Shqipërisë ka filluar të mbajë të dhënat në euro. Sipas bilancit të pagesave të bërë publik nga institucioni monetar qendror, shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë vendit dërguan në atdhe vetëm 500 milionë euro, një shumë që ishte 26.5% më e ulët në krahasim me një vit më parë. Prurjet e emigrantëve kanë shënuar vazhdimisht rënie, që prej vitit 2008, kur ato shënuan pikun e tyre prej mbi 1 miliardë eurosh, duke reflektuar dy tendenca:

-së pari tkurrjen ciklike, teksa pas më se 20 viteve emigracion, ata që punojnë jashtë vendit fillojnë e dobësojnë lidhjet me shtetin mëmë, një dukuri kjo që ishte e pritshme;

-së dyti, kriza evropiane e borxheve, që goditi më shumë fqinjët tanë, Italinë dhe sidomos Greqinë, bëri që shumë emigrantë të mbeteshin të papunë, duke dërguar më pak para tek familjet e tyre. Rënia e transfertave është reflektuar përgjatë gjithë vitit 2013 në dy elementë:

-së pari, leku nuk ka fituar pikë ndaj euros në gusht e dhjetor, kohë kur tradicionisht prurjet e emigrantëve rrisin ofertën për valutë në treg;

-së dyti, depozitat në valutë kanë shënuar rënie për herë të parë që nga viti 2008, duke mos shfaqur as rritjen e lartë që përgjithësisht konstatohej në gusht e dhjetor. Transferuat e emigrantëve kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, duke qenë një burim i rëndësishëm konsumi, por tashmë me rënien e tyre bëhet gjithnjë e më i domosdoshëm zhvillimi i një modeli të ri ekonomik, që kërkon sigurimin e burimeve të tjera të hyrjes së valutës në vend.

 

Standard 2/4/2014

Kërko