Sonja Caka
Hetimi/ Vendosja e eksplozivit në mjetin në pronësi të Behar Haxhiut, dyshime se ka lidhje me prishjen e disa ndërtimeve nga INUK në Rrugën e Kombit
Hakmarrjet me tritol nuk kanë të sosur. Një tjetër shpërthim ka ndodhur në orët e mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme në Milot, ndërsa objektiv ka qenë mjeti i kryekomunarit të komunës Milot. Shpërthimi i lëndës plasëse ka sjellë vetëm dëme materiale, ndërsa dyshimet e para lidhen me detyrën e pronarit të mjetit tip ekskavator. Sipas burimeve të para, dyshohet se vendosja e eksplozivit në mjetin në pronësi të kryekomunarit të komunës Milot është bërë në shenjë hakmarrje për prishjet e ndërtimeve pa leje në Rrugën e Kombit, operacion i INUK i realizuar ditën e shtunë. Megjithatë, nuk përjashtohen as pista të tjera, ndonëse kryekomunari Haxhiu ka mohuar të ketë pasur konflikte me ndonjë person.
Ngjarja
Kreut të komunës Milot i është vënë tritol në mjetin në pronësi të tij tip “Ekskavator”. Ngjarja ka ndodhur pas mesnatës, ndërsa nga shpërthimi ka patur vetëm dëme materiale. Lënda plasëse është vendosur në kabinën e ekskavatorit, i cili qëndronte i parkuar prej disa kohësh në afërsi të një karburanti që ishte në dalje te qytetit të Milotit. Nuk dihen ende autorët apo shkaqet e vendosjes së kësaj lënde plasëse, ndërsa vetë kreu i komunës së Milotit, Behar Haxhiu nuk ka dhënë asnjë shpjegim për ngjarjen, ndërsa ka bërë të ditur se nuk ka patur asnjë konflikt për të cilin autorët të jenë nxitur për të vendosur lëndën shpërthyese në mjetin e tij. Ekspertë të policisë kriminale kanë shkuar në vendngjarje, ndërsa kanë nisur një hetim të hollësishëm për incidentin. Janë marrë në pyetje disa persona, përfshirë këtu edhe rojet e karburantit, por ende nuk ka asnjë të dyshuar për këtë ngjarje.
Hetimi
Shpërthimi vjen vetëm një ditë pasi INUK ndërmori një aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje përgjatë Rrugës së Kombit, e cila është edhe pista kryesore e hetimit për shpërthimin me tritol të mjetit në pronësi të kreut të komunës Milot. Nga hetimet paraprake dyshohet se shpërthimi me tritol është shenjë reagimi ndaj objekteve, shumica lokale dhe kioska pa leje që INUK shkatërroi një ditë më parë në zonë. Megjithatë, i pyetur rreth këtij dyshimi, pronari i mjetit, kryekomunari Haxhiu është shprehur se ai personalisht nuk ka lidhje me objektet që u prishën në Rrugën e Kombit. Ndërkohë që, z. Behar Haxhiu u shpreh se ka qenë në negociata me banorët. “Nuk kam pasur konflikt me asnjë person” ka përfunduar ai.
Në gjykatë
U kapën me 110 kallëpe tritol, i riu i bie murit me kokë dhe bie pa ndjenja
Seanca e caktimit të masës së arrestit për katër të rinjtë e kapur me 110 kallëpe tritol dhe 1 mitraloz është shoqëruar dje me incident në fund të saj. Një nga katër të arrestuarit i ka rënë disa herë murit me kokë derisa ka rënë pa ndjenja, pasi mohoi akuzën dhe pavarësisht këtyre veprimeve, gjykata caktoi ndaj tij masën “arrest me burg”. Sipas burimeve nga gjykata, 22-vjeçari Sergei Cenolli i ka rënë murit me kokë në momentin që gjyqtari i gatshëm ishte duke dhënë masat e sigurisë. Atij i ka rënë të fikët brenda kafazit të sallës së gjyqit, ndërsa sipas burimeve po nga gjykata, gjendja e tij është më e mirë. Megjithatë, gjykata ka vazhduar seancën dhe ka caktuar masat “arrest me burg” për të katër të rinjtë, të cilët akuzohen për posedim të një sasie të konsiderueshme lënde eksplozive. Avokati i tyre ka pretenduar se të rinjtë e kane gjetur tritolin në një minierë, por kjo nuk u mor parasysh nga gjykatësi i cili la në burg Sergei Cenollin, Ledjon Shupen, Vasjan Plasarin dhe Galil Agollin. Avokati ka vijuar duke mbrojtur tezën e tij se sasia e tritolit u gjet ndërsa të rinjtë gërmonin për skrap. Ata u kapën duke shoqëruar një furgon me 110 kallëpe tritoli dhe një mitraloz 12.7.
Elbasan
Vetëvritet 52-vjeçarja Mema, mister motivet
Një 52-vjeçare i ka dhënë fund jetës mesditën e djeshme për motive që ende të paqarta. Policia identifikon viktimën dhe bën me dije se bëhet fjalë për shtetasen Nexhmije Mema. E lajmëruar nga banorët dhe të afërmit, policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur nga puna për zbardhjen e ngjarjes dhe shkaqeve që çuan gruan të hidhej nga ballkoni. Sipas burimeve policore, 52-vjeçarja është hedhur nga banesa ku jetonte dhe për pasojë ka gjetur menjëherë vdekjen për shkak të përplasjes me tokën gjatë rënies. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00 të ditës së djeshme. Sipas policisë, referuar edhe dëshmive të familjarëve dhe fqinjëve, dyshohet se gruaja vuante nga depresioni.
Vlorë
Shkrumbohet gjatë natës një makinë në “Omonia”, nisin hetimet
Një makinë është djegur gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm në Vlorë. Burime nga policia e qytetit bregdetar kanë bërë të ditur se mjeti tip fuorostradë me targa AA382 IU, pronari i së cilës ende nuk është identifikuar, u shkrumbua nga flakët në vendin e njohur si “Zona Omonia”. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:30 të mëngjesit të djeshëm dhe në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe ekspertët e policisë që kanë nisur hetimet për shkaqet. Në vendin ku u djeg makina kanë mbërritur edhe zjarrfikësit, por ndërhyrja e tyre ka qenë e panevojshme pasi mjeti ishte shkrumbuar i gjithi.