Kreditë bankare, vijojnë problemet e pazgjidhura

0
318

Ervin Kaduku

 

­Është rritur sërish në janar niveli i kredisë së keqe, ku Shqipëria mban rekord në nivel rajonal

Kompanitë ulin depozitat në institucionet bankare të nivelit të dytë

 

 

banka sportelTremujori i fundit i vitit 2012 shënoi një frenim në rritjen e kredive të këqija të bankave, për herë të parë që nga viti 2006. Në dhjetor, ky tregues zbriti nën 23%, duke ngjallur shpresën se bankat më në fund po arrinin që të vinin nën kontroll huat me probleme. Por, të dhënat mujore të Shoqatës së Bankave tregojnë se huatë joperformuese janë rritur sërish në janar. Sipas të dhënave të Shoqatës, niveli i huave me probleme ishte 24.1% në fund të janarit 2014. Bankat, në përpjekje për të mbyllur me fitim 2013-ën, duket se kanë shtyrë klasifikimin e kredive me probleme për në fillim të vitit tjetër, çka u reflektua në zgjerimin e këtij treguesi në janar.

Një tjetër faktor që ka ndikuar ka qenë dhe tkurrja e kredisë në muajin e parë të vitit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, kredia për ekonominë arriti në 544 miliardë lekë në fund të janarit 2014, duke shënuar një rënie prej 0.6% në raport me dhjetorin 2013, teksa në muajin e fundit të vitit huadhënia për ekonominë kishte shfaqur sinjale gjallërimi, duke u rritur me 1.28%.

Ndonëse mosrritja e kredisë në total ka ndikuar në përkeqësimin e këtij treguesi, edhe në vlerë absolute është shënuar rritje e huave nën standarde dhe të dyshimta, përkatësisht me 2.4 dhe 4.6%.

Bankat shpresojnë se miratimi në Kuvend i ndryshimeve në Kodin Civil (të kaluara tashmë nga qeveria), që do të përshpejtonte procesin e ekzekutimit të kolateralit, do të ndikonte në përmirësimin e këtij tregues dhe do të çlironte disi huadhënien e bankave.

Vitin e kaluar, stoku i huasë u rrit vetëm me 2%, teksa bankat u përqendruan në administrimin e huave problematike, të cilat në vlerë absolute kanë arritur në gati 1 miliard euro, nga e cila gati një e treta konsiderohen të humbura.

Bankat gjatë 2013-ës, e lanë mënjanë kreditimin, i cili shënoi rënie prej 1.2% me bazë vjetore, dhe u përqendruan në menaxhimin e huave me probleme, ndërkohë që u intensifikua dhe procesi i pastrimit të bilanceve të bankave nga kreditë e këqija.

 

Problemet e biznesit

Rënia e fuqisë blerëse, që ka ulur shitjet, vonesat në pagesa të kompanive me njëjra tjetrën,detyrimet e prapambetura të shtetit kanë bërë që bizneset të “zbrazin” llogaritë e tyre bankave përgjatë vitit 2013. Të dhënat bëhen të ditura në raportin statistikor të dhjetorit të Bankës së Shqipërisë. Sipas statistikave, llogaritë rrjedhëse të korporatave jo financiare jo publike (bizneseve) ishin rreth 24 miliardë lekë në fund të vitit 2013, duke shënuar një tkurrje prej gati 2% me bazë vjetore, në një kohë që depozitat pa afat në total u rritën me 9.5% për të njëjtën periudhë.

Prej disa vitesh biznesi është zhytur në një krizë të thellë likuiditeti. Situata aktualisht ka arritur deri në atë pikë sa kompanitë tashmë nuk pranojnë më që të furnizojnë klientë që nuk shlyejnë në kohë pagesat. Importues dhe shpërndarës të mëdhenj në treg kanë konfirmuar se për klientët që janë në vonesë me shlyerjen e detyrimeve për mallin që janë furnizuar, ata kanë ndërprerë marrëdhëniet. Mungesën e likuiditeteve e vuajnë edhe kompanitë eksportuese me gjithë përmirësimin e shitjeve gjatë vitit 2013. Tashmë të gjithë i kanë kthyer “sytë” nga qeveria, në pritje të nisjes së shlyerjes së borxheve që ajo u ka bizneseve për punë të ndryshme publike që kanë realizuar.

Nga ana e saj, qeveria ka konfirmuar se do të nisë shlyerjen e borxheve në muajin mars dhe se brenda këtij viti do të mund të shlyejë gjysmën e totalit të detyrimeve.

Disbursimi i këtyre pagesave pritet të japë ndikim pozitiv në shtimin e likuiditeteve në treg, në uljen e kredive të këqija dhe njëkohësisht në nxitjen e kreditimit për bizneset nga ana e bankave.

 

Si do të eliminohen kreditë e këqija

Fshirja e kredive të këqija nga bilanci i bankave është një proces që nisi në pjesën e dytë të vitit të kaluar dhe po vazhdon intensivisht nga bankat. Ai është vlerësuar pozitivisht nga Banka e Shqipërisë, duke qenë se, ndër të tjera, kreditë që konsiderohen të humbura dhe po fshihen nga bilancet e bankave kanë arritur në gati 60% të totalit të huave të pakthyera në afat, apo rreth 440 milionë euro. Përmes fshirjes së kredive të këqija parashikohet që niveli i tyre të zbresë në 17% të totalit, duke përmirësuar situatën e sistemit dhe duke lehtësuar bankat për të kredituar më shumë individët dhe bizneset. Procesi që pritet të zgjasë për një periudhë njëvjeçare do të mundësojë fshirjen e kredive të këqija nga bilancet e bankave, duke i lehtësuar ato nga pagesat e detyrimeve tatimore për këto shuma, si dhe lehtësimin nga niveli i lartë i kredive të këqija. Bankierët theksojnë se i gjithë ky është një proces thjesht kontabilizimi bankar dhe nuk ka asnjë efekt tek individët, të cilët në asnjë mënyrë nuk duhet të presin për një falje të kredive që nuk i kanë kthyer bankave. Ky proces mendohet si i nevojshëm, pasi do të pastronte bilancet e bankave nga kreditë me probleme të bartura nga e kaluara, për të cilat është i panevojshëm pasqyrimi i tyre. Fshirja e tyre në asnjë rast nuk nënkupton heqjen e detyrimit të kredimarrësit për të shlyer detyrimet e tij, apo amnistinë për to. Edhe pas fshirjes së kredisë nga bilanci, detyrimi i kredimarrësit mbetet në librat e bankës si një llogari ekstra kontabël, si dhe në Regjistrin e Kredive në Bankën e Shqipërisë. Por ndërkohë që bankat presin zhvillime pozitive në frontin e kredive me probleme, kreditimi i mëtejshëm duket se vuan nga një kërkesë e dobët, e lidhur pjesërisht edhe me paqartësinë mbi rregullshmërinë e investimeve të ndërmarra apo licencimin e aktiviteteve ndryshme.

 

Legjislacioni

Mangësia në kuadrin legjislativ për sa i përket mënyrës se si do të veprohet me fshirjen e borxhit të keq në sistemin bankar, ka bërë që Financat të hartojnë një projektligj për t’i dhënë një zgjidhje këtij problemi. Propozimi nga Financat, në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1 dhe 155 të Kushtetutës, bëhet në kuadër të modifikimit të nenit 24 të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar. Ky modifikim parashikon shtimin e një pike të dytë, sipas së cilës kredia e keqe do të njihet nga tatimet si shpenzim i zbritshëm për bankat, nëse do të plotësoheshin dy kushte. Një nga dy kushtet që duhet të përmbushen, në mënyrë që kreditë e këqija të institucioneve kredidhënëse banka ose jo banka të licencuara nga Banka e Shqipërisë të fshihen, janë: a) të kenë kaluar 365 ditë pas depozitimit të kërkesës për fillimin e procedimit të ekzekutimit të detyrueshëm te përmbaruesi, në rast se kredia është e siguruar me pasuri të luajtshme/paluajtshme (kolateral);ose b) të kenë kaluar 365 ditë pas lëshimit nga gjykata të urdhrit të ekzekutimit për asete të ndryshme që mund të zotërojë debitori, në rast se kredia nuk është e garantuar me pasuri të luajtshme/paluajtshme (kolateral). Këto janë ndryshimet që propozohen që do t’i shtohen nenit 24 të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar. Ky draft është dërguar për konsultim edhe te Ministria e Drejtësisë, nga e cila është marrë një reagim pozitiv. “Projekti është dërguar në Ministrinë e Drejtësisë, e cila është shprehur dakord me përmbajtjen e projektit, duke sugjeruar ndryshimin e aspektit teknik lidhur me trajtimin si shtesë dhe jo ndryshim të nenit 24 të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar.

Lidhur me këtë sugjerim u vlerësua që neni 24 të rregullohet si ndryshim për shkak të rregullimeve që i janë bërë dhe pikës 1 të projektit në aspektin e numërtimit të tij. Ndryshimi në numërtim do të krijojë qartësi në referim të dispozitave të këtij neni, thuhet në relacionin e projektligjit.

 

 

Nuk ndryshon norma bazë e interesit

Banka e Shqipërisë në mbledhjen e saj të fundit, ditën e djeshme, ka mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.75%. Vendimi është bërë publik nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë një konference për shtyp. Fullani ka theksuar se ekonomia vazhdon të mbetet nën kapacitet, me konsumin dhe investimet e ulëta. Ai shtoi se inflacioni shënoi në shkurt 1.9 %, me një rritje të lehtë krahasuar me një muaj më parë, për shkak të rritjes së çmimit të prodhimeve bujqësor.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency