Kukësi sulmon dhe i rrëmben fitoren Teutës/ Ekipi verilindor i ka marrë fitoren djemve të detit, që do të kërkojnë në Durrës një gol për të siguruar kualifikimin

0
140

Jurges Veizaj

 

Ka qenë Jakupi ai që ka ngushtuar shifrat një minutë para fundit të takimit, duke i dhënë shpresa Teutës për ndeshjen e kthimit

 

Kukesi-Teuta-0-0-moment-acarimi1osmaniJanë zhvilluar dje ndeshjet e gjysmëfinaleve të vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Përballë ishin kuksianët që përballeshin me Teutën dhe Flamurtari me Skënderbeun. Në përballjen e zhvilluar në Kukës, do të ishin vendasit ata që do të korrnin suksesin të parët. Kjo, pasi ekipi verilindor u tregua më i vendosur për të shënuar. Një motivacion i vendasve që u shpërblye më së miri duke i siguruar një sukses. Nga ana tjetër, Teuta nuk u largua me një fund të lumtur. Goli i Jakupit, i shënuar në minutën e 90-të, duhet thënë që është edhe shpresa që e mban ekipin durrsak gjallë në këtë kompeticion. Kjo, pasi një gol i shënuar në fushën e tyre u siguron kualifikimin për në finale. Ndeshja ka pasur një temp mjaft të lartë dhe plot pesë gola të shënuar e tregojnë më së miri këtë.

 

Pjesa e parë

 

Sfida nisi menjëherë e vrullshme. Kjo, pasi nuk do të zgjaste shumë dhe do të vinte edhe goli i parë i sfidës. Do të shënonin kuksianët të parët, që do të ekzaltoheshin shumë shpejt. Do të ishte Izucuku ai që do të shënonte që në minutën e katërt për skuadrën e tij. Lojtari i ardhur nga ekipi i Bylisit në merkaton e janarit i dha epërsinë skuadrës së Starovës, duke e bërë sfidën më të lehtë për ta. Ekipi vendas duket që kishte hyrë me dëshirën për të fituar dhe nuk ndaloi së sulmuari duke ushtruar trysni të fortë ndaj skuadrës kundërshtare. Një reagim i mrekullueshëm do të vinte nga Teuta. Skuadra durrsake nuk do të binte pre e presionit të skuadrës kuksiane. Djemtë e detit nuk do të vononin shumë dhe do të hakmerreshin mjaft shpejt. Do të ishte Ahmetaj që do të vinte nga mbrojtja për të çarë rrjetën e verilindorëve për të rikthyer barazimin. Blutë do të tregoheshin mjaft të zotë përballë zonës kuksiane dhe do të krijonin një mur të fortë në mesfushë, ku vendosën që të ndërtonin lojën e tyre. Një strategji shumë e mirë që kishte efekt. Pas 30 minutash të luajtura më fund topi ra në këmbët e miqve, që filluan të luanin me pasime të shkurtra për të shkuar drejt portës së kuksianëve. Me pasimet e Da Silvës, Smab do të bëhej i rrezikshëm për mbrojtjen kundërshtare dhe do t’i hapte jo pak probleme. Pas kësaj do të vinte edhe Kukësi që me anë të Cikalleshit që do të detyronte Ahmetajn të ndërhynte duke e penalizaur me karton të verdhë. Ndërsa pak minuta nga fundi, sulmuesi kavajas do të lëshonte një predhë që do të grushtohej bukur nga Rizvani, i cili e largon nga katërkëndëshi. Kështu, të dyja ekipet nuk do të mund të ndryshonin rezultatin, duke shkuar drejt dhomave të zhveshjes me shifra të barabarta.

 

Pjesa e dytë

 

Edhe pjesa e dytë pati të njëjtën panoramë si ajo e pjesës së parë. Ishte skuadra e Teutës ajo që u mundua që të krijonte një lojë më mbrojtëse. Një model loje i zgjedhur për të mos t’u dhënë shumë hapësira kuksianëve për të shënuar dhe për të ruajtur këtë rezultat që i çonte në finale. Mirëpo këtij modeli nuk iu bindën djemtë e Starovës. Ekipi kuksian ka të njëjtën uri të pjesën së parë. Duke vrapuar dhe duke mbajtur të njëjtin ritëm, ekipi verilindor tenton të çajë rrjetën e krijuar nga durrsakët. Është Jakupi ai që i afrohet shumë golit, duke prekur shtyllën. Një goditje që i fut drithërimat skuadrës vendase, e cila mbledh forcat për ta kthyer dobësinë në forcë. Biturku bën ndërrimin e parë për ekipin e tij, duke parë edhe hutimin e skuadrës kuksiane. Tekniku zëvendëson Idrizajn për Dostin, për t’i dhënë më shumë mundësinë skuadrës që tij që t’u presë shpresat verilindorëve që në ndeshjen e parë. Mirëpo atëherë kur nuk pritej, vjen edhe një shans i artë për kuksianët me anë të Bojas. Pas një keqkuptimi midis lojtarëve të Teutës do të ishte nigeriani që do të kishte mundësinë për ta çuar skuadrën e tij në avantazh, por që hutohet pata portës dhe prish gjithçka. Në minutën e 69-të do të vinte edhe zëvendësimi i dytë nga ana e Biturkut, që kërkon më shumë freski në lojë dhe për këtë fakt nxjerr Xhafajn për t’i lënë vendin Joelit. Në minutën e 77-të do të vinte edhe goli i epërsisë, që do të kishte për autor Hysën. Ish-lojtari i Teutës do të kalonte Osmanin dhe do të futej në zonë, duke ndëshkuar Rizvanin. Një gol që qetëson gjakun e Kukësit dhe gëzon tifozerinë vendase. Pak minuta më vonë do të vinte edhe goli i tretë për vendasit që do të ekzaltoheshin pa masë. Do të ishte Cikalleshi ai që në minutën e 83-të do të siguronte fitoren e të kaltërve. Skuadra e Teutës, atëherë kur nuk pritej, një minutë para mbarimit të takimit, do të shënonte edhe golin e dytë. Jakupi do të ngushtonte diferencat, duke e lënë të hapur takimin e radhës që do të luhet në Durrës.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency