Në rrugët e vendit/ Për 3500 objekte, qeveria: Prishen ndërtimet që nuk respektojnë kriteret. Sa preken karburantet

0
129

Gëzim Saliu

 

Haxhinasto: Distanca e ndërtimit duhet 60 m për autostradat, 40 m për ato interurbane kryesore dhe 30 m për ato interurbane dytësore. Gjermeni: Brenda prillit heqim objektet e paligjshme

 

konferenca, haxhinasto dhe gjermeniNë 3700 km rrugë që ka i gjithë vendi janë mbi 3500 ndërhyrje të paligjshme. Kështu bëri të ditur dje në tryezën me temë “Koordinimi për mirëmbajtjen e rrugëve”, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, duke pohuar se do të ketë masa penale dhe administrative për çdo ndërhyrje të paautorizuar në sistemin rrugor. Sipas ministrit, një pjesë e konsiderueshme e këtyre objekteve të paligjshme, thuajse në masën 30%, janë pika karburanti. “Ka 1000 pika furnizimi me karburant, vetëm 10% e tyre janë me leje. Kemi filluar hartimin e një koncepti dhe standardi për këtë qëllim, i cili do të normalizojë situatën në rrugët e vendit, që edhe ato pika karburanti që do të kualifikohen, sipas standardit të kenë gjithë parametrat e hyrjes dhe daljes në rrugë, me qëllim që në asnjë rast të mos kompromentojnë jetën e njerëzve”, – tha ai.

 

Tryeza

Në tryezën ku merrte pjesë edhe ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, si edhe institucionet e varësisë, si INUK dhe Drejtoria e Rrugëve, Haxhinasto deklaroi se do të kërkohet respektimi i rregullave dhe i standardeve për objektet që ndodhen në krah të rrugëve të vendit. “Duhen respektuar rregullat për distancat e ndërtimit nga rruga, me qëllim që perimetri i rrugës të ruhet i paprekur, që është 60 m për autostradat, 40 m për ato interurbane kryesore dhe 30 m për ato interurbane dytësore. Ndërhyrjet direkte në elementët e sigurisë së rrugëve, në elementë të sinjalistikës, përkthehen në një rrisk shumë më të lartë për përdoruesit e rrugës dhe për kalimtarët që përdorin rrugën”, – theksoi ministri i Transporteve, duke bërë të ditur njëkohësisht se ka nisur procesi i hartimit të masave për të ndërhyrë në këtë drejtim. Sipas Haxhinastos, përgjegjësia është shumë e madhe për ata që kanë dhënë lejet e përkohshme, dhe për ata që i kanë ndërtuar pa leje. “Masat administrative që ka paketa jonë do të 10-fishohen për të gjithë ata që ndërhyjnë në mënyrë të paautorizuar në elementët e sigurisë dhe sinjalistikës. Masat do të jenë gjithashtu edhe penale”, – tha ai, duke informuar se masat penale variojnë nga 3-7 vite burg për personat që ndërhyjnë në mënyrë të paautorizuar në rrugë. “Sfida për sigurinë rrugore kërkon angazhimin e të gjitha institucioneve, duke nisur nga Autoriteti Rrugor, Inspektorati i Ndërtimit, drejtoritë rajonale për mirëmbajtjen e rrugëve, përfaqësuesit e qeverisë nëpër qarqe etj. Nuk do të pranojmë asnjë standard më të keq sesa ai i BE-së për sigurinë në sistemin rrugor shqiptar”, – u shpreh ministri i Transporteve. Në të njëjtën linjë edhe ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, thekoi në fjalën e saj rëndësinë e rritjes së sigurisë rrugore. Ajo kërkoi hartimin e një plani kombëtar për t’u rikthyer sigurinë qytetarëve dhe besimin te institucionet. “Brenda muajit prill duhet të përfundojë pastrimi i rrugëve nga platformat e paligjshme”, – nënvizoi ministrja, duke shtuar se prioritet do të jenë rrugët turistike, por prishja e ndërtimeve të paligjshme do të vazhdojë në të gjitha akset kombëtare dhe ato dytësore.

 

 

Shifrat e qeverisë, objektet e paligjshme në rrugë

Në 3700 km rrugë që ka i gjithë vendi mbi 3500 janë ndërhyrje të paligjshme

Nga 3500 ndërhyrje të paligjshme, rreth 30% e tyre janë pika karburanti

Në 1000 pika furnizimi me karburant, vetëm 10% e tyre janë me leje

 

 

 

Ambasadori grek

Rokanos: S’ka qenë dhe s’do jetë e lehtë për t’u bërë pjesë e BE-së, Greqisë iu deshën 21 vjet

Ambasadori grek në vend, Ledhinas Rokanos, në një leksion të hapur me studentët e Universitetit “Fan Noli” dje në Korçë, vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën e Bashkimit Evropian, ndërsa shprehu vullnetin e shtetit fqinj për të ndihmuar atë për marrjen e statusit të vendit kandidat. “Vendi juaj do të jetë së shpejti anëtar i Bashkimit Evropian dhe ju do të përballeni me të njëjtat sfida që po përballemi dhe ne. Shqipëria është një rast shumë interesant, ndoshta është rasti më me shumë shpresa në kuptimin që duhet t’i kushtoni vëmendje asaj që keni arritur dhe në çfarë afatesh kohore i keni realizuar. Ajo që është arritur në këtë vend është e madhe, nëse merrni në konsideratë faktin që demokracia u kthye pas viteve ‘90. Ndryshimet po ndodhin me shpejtësi, kanë qenë të mëdha dhe ndoshta më të mëdhatë se çdo vend tjetër i Ballkanit. Greqia si vend evropian e ka mbështetur Shqipërinë për të marrë statusin e vendit kandidat, pasi e meritoni këtë. Ky është pozicioni ynë kombëtar”, – tha Rokanos. Nga ana tjetër, kryediplomati grek në Tiranë u ndal edhe tek vendimi i dhënë nga Këshilli i BE-së për Shqipërinë në dhjetor, duke e cilësuar atë si një kërkesë të vendeve anëtare për më shumë bindje lidhur me progresin që ka bërë Shqipëria sesa një refuzim. “Po cili është kuptimi i vendimit të dhjetorit? Gjithmonë më pyesin, a ishte ky një refuzim. A është një “jo” përfundimtare për Shqipërinë. Jo nuk është. Madje nuk ishte as “jo”, ishte një “po” por me disa kushte të caktuara. Unë mendoj se nuk ishte refuzim dhe nuk duhet interpretuar si një gjest negativ i Bashkimit Evropian ndaj Shqipërisë. Përkundrazi kjo do të thotë se disa vende të BE-së nuk janë plotësisht të bindura për progresin që keni bërë deri tani dhe kjo ka nevojë të konsolidohet në të ardhmen”, – theksoi Rokanos. Në mbyllje të fjalimit të tij, ambasadori grek bëri të ditur se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk do të jetë i lehtë dhe për këtë ai dha shembullin e Greqisë. “Kjo kërkon përpjekje, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë e lehtë për ju. Nuk ka qenë e lehtë as për Greqinë. Do ta përfundoj duke thënë se Greqia e ka marrë ftesën për t’u bërë anëtare e BE-së që në vitin 1960, por u bë anëtare me të drejta të plota në vitin 1981”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency