Florenc Drizari
“Kërkojmë kthimin e kushtetutshmërisë në institucionet e pavarura siç është ILDKP”
Konferenca e Kryetarëve miratoi pa konsensus kalendarin trejavor të punimeve. Pas debateve mes anëtarëve të pozitës dhe opozitës, përfaqësuesit e pakicës parlamentare u larguan nga mbledhja në shenjë proteste për mosmiratimin e kërkesës së rikthimin e procedurave për shkarkimin e kreut të ILDKP-së. Më herët, në seancën e kaluar plenare, opozita ka braktisur procesin e votimit, duke kërkuar rikthimin e kushtetutshmërisë në disa institucione të pavarura, duke përfshirë edhe AMA-n. Burime nga selia blu bëjnë të ditur se i njëjti qëndrim i mbajtur në seancën e kaluar, pritet të rikthehet edhe në seancën e së enjtes, duke kërkuar nga mazhoranca dhe kreu i Kuvendit, tërheqjen ndaj shkarkimit të Xhukës nga ILDKP-ja.
Pas diskutimeve, anëtarët e opozitës u larguan nga mbledhja, ndërkohë që Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u shpreh se është e drejtë e pakicës të mbajë qëndrimet e saj në raport me institucionin që ai drejton dhe për rastin e shkarkimit të Xhukës ai pohoi se “a është normale që të quhet kushtetuese qëndrimi i znj. Xhuka që të refuzonte të paraqitej në Komisionin e Ligjeve, edhe pse varet nga Parlamenti, apo duke mos bërë asnjë kallëzim penal për më shumë se një vit në atë detyrë të rëndësishme”.
Lidhur me axhendën e punimeve të Kuvendit, Meta bëri me dije se disa nga projektligjet e parashikuara në kalendarin e deritanishëm komisionet ende nuk kanë përfunduar shqyrtimin për një pjesë të tyre, për pasojë ato do t’i kalojnë kalendarit të ardhshëm trejavor.
Ndërkaq, gjatë mbledhjes së djeshme të Konferencës së Kryetarëve, kreu i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Erjon Braçe, kërkoi që të përshpejtohet shqyrtimi i ligjit për Kontrollin e Lartë e Shtetit, që do t’i japë kompetenca të mjaftueshme këtij institucioni.
“Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka më shumë se një javë që po shqyrton ligjin për Kontrollin e Lartë të Shtetit, një iniciativë ligjore tek e cila unë kam firmosur draftin që mbahej prej dy vjetësh në Kuvend. Po synojmë që t’i japim pushtet të mjaftueshëm, kompetenca të mjaftueshme që nuk i ka pasur deri tani dhe në përputhje me rekomandimin e progres-raportit dhe natyrisht me rekomandimin e organizatave partnere të KLSH-së. Dhe unë besoj se ky është mesazhi më i mirë në raport me rritjen e fuqisë dhe pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit. Do të doja që edhe në dy komisionet e tjera që janë për dhënie mendimi, si Komisioni i Ligjeve dhe Komisionit i Integrimit Evropian, që kanë për detyrë ta shohin të nxitojnë sepse në dijeninë time nuk kanë shqyrtuar ende këtë projektligj”, – tha Braçe. Pas mbylljes së punimeve të Konferencës, anëtarët e pozitës dhe të opozitës dhanë dhe disa reagime për median lidhur me qëndrimet e mbajtur në këtë mbledhje.
Halimi: Kapja e institucioneve nga Kuvendi, antikushtetues
Gjatë mbledhjes së djeshme të Konferencës së Kryetarëve, deputeti i opozitës, Eduard Halimi, kërkoi rikthimin e kushtetutshmërisë në institucioni në ILDKP. Në një prononcim për mediat, Halimi tha se kapja e institucioneve të Parlamenti dhe shumica parlamentare është antikushtetuese.
“Nuk ka pavarësi institucionesh. Nëse kapen institucionet atëherë nuk ka parlamentarizëm. Nëse qeveria e merr në sqetull kreun e ILDKP-së, kujt do t’i japë llogari për deklarimin e pasurive. Parlamenti duhet të ndërpresë ofensivën ndaj AMA-s dhe SHISH. Nuk mund të ketë parlament në rast se nuk kthehet kushtetutshmëria në institucione dhe të ndërpritet ofensiva ndaj tyre. Ne kërkuam që në kalendar të futet axhenda e respektimit të institucioneve, si një kusht kryesor për integrimin. Ne ishim në Strasburg dhe ishim duke diskutuar rreth kësaj çështjeje, që kishte një ndjeshmërinë nga të gjithë eurodeputetët. Ndërsa ne ishim aty u bë shkarkimi i drejtuesit të një institucioni tjetër. Ne në parlament do të vazhdojmë t’iu bëjmë të ditur qytetarëve se çështja e respektimit të institucioneve duhet të jetë pikë kryesore e axhendës parlamentare”, – deklaroi Halimi.
Mazhoranca çon në Kuvend ligjin e nëpunësit civil, Celibashi: Opozita të japë konsensusin
Mazhoranca miratoi futjen e ligjin të “Për nëpunësin civil” në procedurat parlamentare. Pas mbylljes së djeshme të punimeve të Konferencës së Kryetarëve, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirian Celibashi, kërkoi konsensusin e opozitës për miratimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin “Për nëpunësin civil””. Në një prononcim për mediat në përfundim të Konferencës së Kryetarëve, Celibashi tha se këto ndryshime në ligj, përbëjnë një rëndësi të madhe, ndaj dhe mbështetja e opozitës në këtë proces është shumë e rëndësishme. Fakti që ndryshimet në ligjin “Për nëpunësin civil” janë të karakterit teknik, sipas Celibashit, e bën më të lehtë për opozitën dhënien e konsensusit. “Ndryshimet e parashikuara në projektligj nuk cenojnë aspak konsensusin politik dhe juridik të arritur në legjislaturën e kaluar për ligjin e nëpunësit civil”, – theksoi ministri. Ai tha se komisionet parlamentare përkatëse pritet të fillojnë shqyrtimin e projektligjit në fjalë dhe më pas ai do të kalojë në seancë plenare.