100 vjet në vendnumëro, me kafe, duhan dhe muhabet!

0
144

Flutura Açka

 

fluturaMë 18 mars 1914, njëqind vjet më parë, u betua qeveria e Turhan Pashë Përmetit, me të cilën do të qeveriste principatën e copëtuar shqiptare, Princ Vidi, i katapultuar në Shqipëri për të provuar një nga eksperimentet e radhës të Evropës. Sigurisht, pasi Evropa ishte lodhur shumë në prapaskenat e Konferencës së Londrës që të ishte politikisht korrekte me Rusinë që t’i jepte Gjakovën Serbisë (pasi paskësh aty një kishë ortodokse) dhe t’ia linte Shkodrën e rrethina Shqipërisë (a thua se nuk ishin të dyja shqiptare!). Për të thënë vetëm njërin nga faktet, pasi skizma e Shqipërisë atëkohë rendit shumë të tilla. Një Turhan Pashë në moshë të tretë, i cili nuk lëçiste fare shqip, por që dinte njëfarë të folure, u gjend diku për t’u vënë në krye të shtetit. Kronikat e kohës, të pjesës më të madhe të burimeve, thonë se ministrat vinin me vonesë në punë, pinin duhan dhe kafe gjithë ditën dhe bënin muhabet me orë të tëra, madje edhe në mbrëmje mblidheshin te shtëpia e Esat Pashës dhe deri në mesnatë sërish bënin muhabet, pinin kafe dhe duhan. Kështu i zgjidhnin hallet e Shqipërisë, së asaj Shqipërie që s’ishte një e tërë, sepse në Shkodër qeverisnin ndërkombëtarët (një Zot e di pse nuk iknin pas qeverisjes së Vidit, të cilin e vunë vetë), në Shqipërinë e Mesme trafikanti Esat Pasha (i ashtuquajturi ministër i Brendshëm dhe i Luftës) grabiste armët e blera për xhandarmërinë shqiptare dhe armatoste ushtrinë e vet, në jug dhe juglindje grekët (në bashkëpunim më shqiptarë vorioepirotë të shitur) shkrumbonin mbarë me dhjetëra fshatra dhe i kalonin në thika me qindra fshatarë, qytetet më të rëndësishme kurrë nuk u vunë nën administrimin e kësaj qeverie.

Kur një mëngjes, majori Slyus, komandanti i Durrësit, hyri në dhomën ku do të bëhej mbledhja e qeverisë dhe i pa me kafe dhe duhan sërish, i përshëndeti “Mirëmëngjesi, horra!”, ata, pa ia ditur kuptimin në holandisht shprehjes, ia kthyen përshëndetjen e mirëmëngjesit. Këtë Slyus e bëri shumë shpesh, ngaqë ishte i pakënaqur nga ngadalësia dhe shkujdesja e shqiptarëve për fatet e vendit të tyre, shkujdesje që do t’i jepte shumë shpejt efektet e veta, si pjesë e të gjitha arsyeve që çuan në dështimin spektakolar të Princ Vidit.

Njëqind vjet më pas, nga Evropa vjen Fyle, vijnë edhe të tjerë, vjen dhe Toni i blerë (siç e cilëson një analist), të na vërë në punë! Sa për kafet, duhanin dhe muhabetin, nuk besoj se ka nevojë për shumë komente. Shihni e shkruani!

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency