Kur këndonin këngën e Ahmet Zogut

0
177

Nga Vepror Hasani

 

banda muzikore VatraKORÇË– Kryetari i Republikës Ahmet Zogu kishte vendosur t’i ofronte përkrahjen e vet shoqërisë muzikore “Vatra” të Korçës dhe të kujdesej për të sa të ishte gjallë. Lajmi u përhap me shpejtësi në gjithë qytetin e Korçës. Shumëkush nuk deshi ta besonte, por gjithçka kishte qenë e vërtetë. Pati edhe nga ata që nuk reshtnin së pyeturi veten e të tjerët gjithë habi: Përse Zogu po i vinte në ndihmë një bande që kishte falimentuar dhe nuk jepte asnjë shpresë për ringjallje, por përgjigjen ende nuk po e gjenin dot. Habia e njerëzve u pasqyrua edhe në faqet e shtypit të kohës. Të gjitha dilemat, dyshimet dhe çuditë do t’i rendisim më poshtë. E vërteta është se banda “Vatra” shkëlqeu më shumë se kurrë ndonjëherë tjetër, vetëm kur Zogu e mori në Tiranë dhe e shndërroi atë në një bandë famoze. Për t’ia mbërritur këtij qëllmi, Zogut iu desh të shtonte radhët e anëtarëve të bandës me muzikantë të rinj, të sillte edhe instrumentistë profesionistë nga jashtë vendit, ta pajiste bandën me veglat muzikore më të përparuara të kohës, t’u ofronte një pagesë të kënaqshme që nuk e kishin pasur kurrë, madje pa u munguar për asnjë çast as përkushtimi i tij personal. Pa të gjitha këto, as që mund të mendohet se “Vatra” do t’i rrezistonte rrënimet që po e tërhiqte tatëpjetë. Të gjitha këto do t’i sjellim përmes kronikave të kohës dhe fakteve.

 

BANDA “VATRA” VJEN NË KORÇË

Banda “Vatra” ishte krijuar në Ëorcester Mass të Amerikës në dhjetor të vitit 1916 dhe pas tre vjet e gjysëm aktivitet atje, në vitin 1920 u kthye në qytetin e Korçës. Pikërisht në këtë kohë gjejmë të shkruara lajme të tilla: “Nesër më ora 3 pasdite, po të bëjë kohë e mirë, banda “Vatra” do të lozë disa copra (pjesë) të zgjedhura në kopësht të “Çezmave të arave”. (“Gazeta e Korçës”, 20 nëntor 1920). Bëhet fjalë për vendin ku sot gjendet lulishtja “Themistokliu”. Me kthimin e “Vatrës” në Korçë u shpresua shumë në zgjimin e jetës kulturore të qytetit, por në të vërtetë, nga sa shihet edhe në kronikat e kohës, “Vatra” kishte filluar ta humbiste shkëlqimin që kishte patur në Amerikë. Tashmë bashkia e Korçës po përpiqej të shfrytëzonte ardhjen e profesor Thoma Nasit për ngritjen e një bande muzikore të re me djem të rinj. Njoftimi që u përhap ato ditë ishte ky: “Katundaria (bashkia) e Korçës vendosi që të formojë një bandë muzikore nën drejtimin e profesor Thoma Nasit, direktor i bandës “Vatra”. Pra, luten të gjithë ata djelmosha korçarë që kanë dëshirë për të mësuar artin e muzikës, le të drejtohen tek profesori për hollësira. Mësimi është darovisht (duke dhuruar diçka) për gjithë kanë dëshirë”. (“Gazeta e Korçës”, 15 shtator 1920).  Pra, po kërkohej krijimi i një formacioni të ri muzikor. Tashmë “Vatra”  kishte 5 vjet që ishte kthyer në Korçë, por ajo që ishte shpresuar nuk po ndodhte.Vetë banda “Vatra” e kishte braktisur Amerikën, sepse mbijetesa e saj atje ishte bërë e vështirë. Këtë të vërtetë e gjejmë edhe të kronika që po sjellim më poshtë.

 

KUSH ISHTE BANDA “VATRA”

Kush ishte banda “Vatra”? Këtë gjë e mësojmë nga një përshkrim i ish-kryetarit të kësaj bande: Ja çfarë thotë ai: “Që të mund njeriu të përshkruanj formimin e kësaj organizacie dhe veçanërisht veprat që bëri në Amerikë dhe më në fund këtu në Shqipëri duhet pendë dhe shkrimtarë të fortë se fuqia ime është e dobët që ta përshkruanj, por dyke patur nderin të jem kryetar i kësaj organizacie tre vjet e gjysëm, do të rrëfej ato që mund, me anën e gazetës kombëtare “Gazet’ e Korçës”. Tre vjet e gjysëm të shkuara në kolloninë Ëorcester Mass, një tok djem të rinj, atdhetarë të flakët dhe me ndjenja të kulluara dyke menduar që, si mund t’i shërbejnë atdheut të tyre të dashur, vendosnë të formojnë një bandë kombëtare. Menjëherë i dërgojmë një letër atdhetarit të flakët profesor z. Thoma Nasi që të vijë në Ëorcester Mass. Z. Thoma si i palodhur që është, me të marrë letrën, ngrihet dhe vjen në Ëorcester, ku me gëzim djemtë e paraqitin dëshirën e tyre dhe pyesin që në mundin të mësojnë. Z. Thoma Nasi me nënqeshje u thotë që si është e pamundur që shqiptari aq i zgjuar të mos mësojë, kurse njerëz të egër mësojnë muzikë, jo pastaj shqiptari që është muzikëdashës. Djemtë të enthusiasmuar thërresin: Rroftë Banda Kombëtare “Vatra!” Menjëherë zgjidhet një pleqësi me kryetar të nënshkruanin; një arkëtar, sekretar dhe 2 kontrollorë. Që të mos përçanet kjo organizacie u lidh në mes tyre me anën e avukatit, dyke depozituar secili nga 50 dollarë dhe 25 të tjera uniformën dhe instrumentin. U betuan që të gjithë që, posa që zëri i atdheut t’i thërresë të jenë gati për detyrë”. (“Gazeta e Korçës”, 23 qershor 1920)

 

DJEMT E “VATRËS” NUK MUNDEN MË

Përshkrimi i ish-kryetarit të “Vatrës” vijon më tej: “Posa nënshkruanë kontratën zunë të veprojnë me profesorë në krye z. Thoma. Po z. Thoma si energjik që ishte punonte pa reshtur dhe në 6 muaj nxori të marshonjë dyke lojtur përpara amerikanëvet, sa kur i dëgjuan, u habitnë. Djemtë të bandës, të cilët i kini sot përpara syve tuaj, punonin nëpër fabrikat ditën dhe mbrëmanet vinin të praktikonin në klub, në vend si djema të vinin të shikonin qejfet e tyre dhe theatrot, i lanë të tëra përveçse të mësojnë muzikë. Përveç këta djem, që kishin dhe detyra familjare për të përmbajtur me dirsën e tyre, po kishin edhe harxhe të mëdha, se duheshe të paguanin profesorë, klubin, libra  dhe shumë sende të tjera. Tërë këto të holla duheshe të dilnin nga xhepi i tyre që i nxirrnin me dirsën e gjakun e tyre, dyke punuar në fabrikë. Se kjo bandë ka kushtuar 15.000; tërë këto të holla ngaj duallë? Natyrisht nga xhep’ i tyre”. (“Gazeta e Korçës”, 23 qershor 1920).  Sigurisht për të gjitha këto Kryetari i Republikës Ahmet Zogu ishte në dijeni, ndaj dhe nuk dëshironte ta linte këtë shoqëri muzikore të shkonte drejt vdekjes.

 

KORÇA PA BANDË MUZIKORE

Edhe pse kishin kaluar 5 vjet nga ardhja e bandës “Vatra”, qyteti i Korçës vazhdonte të mbetej pa një bandë të denjë muzikore. Mbahej mend vetëm “Banda e “Lirisë, e krijuar në tetor të vitit 1908, por ajo nuk ekzistonte më. Përpjekjet e shumta të drejtuesve të bashkisë për të krijuar një bandë po aq të suksesshme sa ajo e “Lirisë” nuk kishin rezultuar të suksesshme. Dështimet kishin qenë të njëpasnjëshme. Bandat që krijoheshin nuk rezultonin jetëgjata. Disa vjet më parë ishte krijuar shoqëria e “Arteve të Bukura”, por edhe kjo krijesë u rrënua sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. Megjithatë, autoritetet e bashkisë, duke mos patur asnjë mundësi tjetër, u detyruan t’i rikthehen edhe një herë “Arteve të Bukura”, me shpresën se kësaj radhe mund t’ia delnin në krye. “Gazeta e Korçës”, dt. 28 mars 1925, shkruante: “Bashkia do të riformojë shoqërinë e “Arteve të Bukura”, e cila edhe pse ka disa vjet që është formuar, jo vetëm që nuk ka bërë as ndonjë përparim, por tani në kohën e fundit u shkatërrua. Bashkia mori iniciativën të riformojë shoqërinë e përmendur. Për këtë qëllim bashkia caktoi dhe një shumë prej 2.000 fr. ar në buxhetin e saj dhe për së shpejti do të zgjidhet një komision prej njerëz seriozë, i cili me përkrahjen e Bashkisë të riformojë shoqërinë mbi baza të forta. Shoqëria do të ndahet në tri degë: letrare, muzikore e sportive”.  Pikërisht, në këtë kohë, kur shoqëritë muzikore të Korçës gjendeshin në krizë, për shoqërinë muzikore “Vatra” kishte mbërritur oferta e njeriut më të fuqishëm të vendit, i cili po i ofronte gjithë mbështetjen e vet..

 

AHMET ZOGU DHE “VATRA”

Nga kronikat e kohës kuptohet se dëshira e Ahmet Zogut për të ndihmuar bandën “Vatra” mund të ketë lindur me fillimin e vitit 1925 ose disa muaj më parë, pasi, sipas “Gazetës së Korçës”, dt 31 janar 1925, qeveria kishte planifikuar në buxhetin e saj 20.000 franga ari për bandën “Vatra”. Me sa duket, Zogu kishte vendosur ta ndihmonte “Vatrën” dhe për këtë gjë ai duhet të ketë patur dy projekte: Së pari, mund t’i ofronte ndihmë financiare duke e lënë të ushtronte aktivitetin e vet në qytetin e Korçës, ndaj dhe në buxhet vendoset shuma prej 20.000 franga ari,  por ndërkaq, duket se ai ka dyshimin se me këto fonde edhe mund të abuzohej, pasi nuk ishte hera e parë që Korça përflitej për abuzime me fondet e kulturës. Dhe së dyti, mund të ketë mendur se vetëm marrja e kësaj bande në Tiranë dhe shndërrimi i saj në bandë presidenciale, mund ta nxirrnin përfundimisht këtë shoqëri muzikore nga kriza ku ishte mbërthyer. Gjithsesi, ajo që dimë ka të bëjë me faktin se marrëveshje mes palëve u nënshkrua në mars. Nga shtypi i atyre viteve mësojmë: “Banda “Vatra” ose djemtë e bandës pas marrëveshjes që bënë me qeverinë qendrore, shkuan në Tiranë me anën e Sarandës më 26  të këtij. (Mars). Për këtë gjë vërtet gëzohemi që do të ketë kryeqyteti bandë, por edhe helmohemi se paskëtaj Korça do të shurdhohet dhe do të mos ketë lëvizjen e vjetme. Po me dëshirën e atyre që kanë kryet e punës, mund të bëhet xheç (“Gazeta e Korçës”, 28 mars 1925) . Pra, më në fund, banda “Vatra” kishte lënë pas Korçën dhe ishte bërë pjesë e kryeqytetit.

 

HABI DHE KURESHTJE

Me ikjen e bandës “Vatra” në Tiranë, nisën të mësoheshin të gjitha bisedat që ishin bërë mes Ahmet Zogut dhe pjestarëve të “Vatrës”. Gjithkush dëshironte të shuante kureshtjen e vet e të mësonte diçka më shumë. Vetë Zogu i kishte pritur djemtë e “Vatrës” në shtëpinë e tij. Shtypi i kohës pasyronte  pjesë nga bisedimet mes palëve. Në një nga takimet që kishin patur djemtë e “Vatrës” me Ahmet Zogun, ky i fundit i kishte ndihmuar me një shumë prej 50.000 franga ari. ‘Gazeta e Korçës” e përshkruante kështu: “Për bandën, për atë që nuk shpresonte njeri kurrë që ta bënte. Dhe me gjithë që djemtë e bandës kanë qenë anëtarë të shoqërisë “Bashkimi” dhe kurdoherë e kanë luftuar Ahmetin në zgjedhjet, (dhe) me gjithë që Ahmeti i dinte këto, e mori bandën nën përkrahjen e tij personale. Të 50.000 frangat ar që “Dielli” shkrojti se u votuan nga Parlamenti, nuk ishin puna e Parlamentit, por e Ahmetit. Kur vajti banda në Tiranë, Ahmeti i thirri djemtë në shtëpinë e tij, u dha 100 napolona dhe u tha se sa të rrojë, kurrë nuk do ta lërë të vuajë”. (“Gazeta e Korçës”, 25 korrik 1925).

 

AHMET ZOGU PËRMBUSH DËSHIRAT E MUZIKANTËVE

Gazeta në fjalë tregon gjithashtu edhe dëshirat që u kishte përmbushur Zogu muzikantëve të “Vatrës”: “Në përpjekjen e fundit që profesori Thoma Nasi pati me Ahmetin, i kërkoi disa gjëra për përmirësimin e bandës, si për shembull, shtimin e muzikantëve në 32 veta. Ahmeti e pranoi menjëherë. Profesori kërkoi sjelljen e disa instrumenteve që duheshin për të përmbushur bandën, si 3 corni, 1 oboe, 1 corno inglize, 1 fagotto dhe të tjera. Ahmeti tha menjëherë që t’i jepen profesorit të hollat. Duke marrë kurajo, Nasi i tha se duhen edhe një palë tympani, ca kambana, një tam-tam dhe i shpjegoi ç’janë. U kënaq tepër dhe nxori të hollat nga xhepi dhe tha se këto do t’ia dhurojë ay bandës. Të tjera përmirësime: Profesor Nasi i tha pastaj se do të ishte mirë të kish banda dhe 3-4 muzikantë nga jashtë. Ahmeti e pranoi dhe proponoi që të sjellin 4-5 instrumentistë të telave nga Vjena. Besoj se me këto do të merrni një ide për sjelljen e Ahmetit. (“Gazeta e Korçës”, 1 korrik 1925)

 

KORÇA MALL PËR BANDËN “VATRA”

Që nga fundi i muajti mars, kur banda shkoi në Tiranë e deri në fund të muajit  korrik kishin kaluar 4 muaj. Që nga ajo ditë banorët e Korçës nuk i kishin parë më djemtë e bandës “Vatra”. Thuhej se ata kishin përparuar shumë në mësimet e këngëve dhe melodive. Thuhej gjithashtu se kishin blerë instrumente të reja dhe ishin veshur me rroba të bukura. Dëshironin që t’i shihnin e të dëgjonin këngët e meloditë të interpretuara prej tyre. Para se djemtë të iknin në Tiranë, njerëzit e Ahmet Zogut e kishin dhënë një premtim. Në behar do t’ua dërgonte djemtë që të qëndronin në Korçë për një farë kohe. Edhe “Gazeta e Korçës” nuk harronte të kujtonte djemtë e bandës. Ja çfarë shkruan ajo në një artikull të saj: “Kur na e muarë bandën për në Tiranë, gjysmë zyrtarisht na e taksën se do të na i dërgojnë dy muaj në behar. Tani behari erdhi, koha mori karar, po edhe nuk dimë cilat janë qëllimet e bandës, do të na vijë apo jo. Po me që sot banda varet drejtpërdrejt nga Presidenti, shpresojmë se zotëria e Tij duke ditur se Korça është tepër filomuze do të bëjë një sakrificë të madhe dhe do t’ia dërgojë Korçës dobare për një muaj. Kjo dëshirë nuk është vetëm jona, po është e tërë qytetit të Korçës. Ne këtu, me anën e gazetës, çfaqim interesimin e përgjithshëm dhe i mbyllim këto sërë me shpresë të plotë që zoti President me t’i kënduar këto rreshta do ta mbushnjë dëshirën e qytetarve të Korçës dhe do t’ua dërgojë bandën që të zbaviten për një kohë të shkurtër”. (“Gazeta e Korçës”, 20 qershor 1925)

 

AHMET ZOGU U KTHEN PËRGJIGJE

Shkruesit e kronikës të “Gazetës së Korçës”, kishin patur të drejtë. Kryetari i Republikës e kishte lexuar gazëtën. Pas kësaj i kishte kërkuar shefit të kabinetit t’u kthente përgjigje. Telegrami mbërriti në bashkinë e Korçës. Sërish ishte “Gazeta e Korçës” ajo që bëri të njohur përmbajtjen e telegramit: “Shkëlqesia e Tij, zotni President i Republikës tue marrë parasysh dëshirën e popullit bujar të Korçës për dërgimin e Bandës Presidenciale për një kohë të arsyeshme aty, kam nderin t’iu njoftoj se banda në fjalë ka me u nis për aty mbas dhetë dit. Shefi i Kabinetit të Presidentit të Republikës, Vasil Kalluci”. (“Gazeta e Korçës”, 11 korrik 1925). Dhe ashtu siç kishte premtuar Kryetari i Republikës, banda mbërriti pas dhjetë ditësh. Gazeta e përmendur më sipër shkruante: “Pardje arrivi në qytetin  t’ënë Banda Presidenciale dhe do të qëndrojë nonjë muaj e gjysëm. Profesor Nasi nuk ardhi sepse desh t’i paguaj Bashkia 30 napolona!” (Gazeta e Korçës, 25 korrik 1925)

 

“VATRA” KONCERTE PËR KORÇËN

“Që pardje, të dielën mbrema, “Banda Presidenciale” filloi të lozë tre herë në javë. Pardje të dielë mbrëma lojti disa copra (pjesë) të zgjedhura dhe gjindja, afro katër mijë shpirt u kënaq e u enthuziasmua aq shumë sa duartrokitjet nuk pushuan për dhjetë minuta dhe pastaj nisën të thërrisnin: Rroftë Presidenti që na dërgoi bandën. Kështu presim të dëgjojmë e programet të koncerteve të arthme”. (Gazeta e Korçës, 1 gusht 1925). Ditët kalonin dhe leja që u ishte dhënë nga Presidenti po mbaronte. Shumëkush dëshironte të qëndronte edhe disa ditë më shumë në qytetin e tij pranë familjes. Gazeta përsëri do të sillte lajmin e radhës: “Me qenë se disa nga pjestarët e bandës kanë edhe nja dy javë punë familjare këtu, i shkruajtën profesorit në Tiranë t’u marrë nja dy javë leje nga kryetari. Mbesojmë që kjo lutje do të merret parasysh”, shkruante “Gazeta e Korçës”, 25 gusht 1925)

 

 

 

 

KORÇA KËNDON KËNGËN E AHMET ZOGUT

“Nesër mbrëma Banda Presidenciale do të lozë për të fundit herë dhe nga java shkon për në Tiranë. Në këtë kohë të shkurtër që ndenji, lojti rregullisht nga tri herë në javë, në mes të një shumice të madhe të popullit. Mbrëmanet kur lozte banda, qyteti merrte një pamje të ndryshme, kujtonje sikur ishe më ndonjë qytet evropian nga lëvizja e madhe dhe mirënjojtjen e tij karshi Kryetarit të Republikës që pati mirësinë të dërgojë bandën për një kohë të shkurtër, populli e tregoi me duartrokitjet  e brohoritjet sa herë që lohej marshi i Zogut”. (“Gazeta e Korçës, 29 gusht 1925). Kënga e Ahmet Zogut ishte vjershëruar prej z. Kristo Floqi dhe kompozuar prej z.  Zhoma Nasi që nga viti 1922. Bashkë me bandën këndonin edhe banorët e Korçës: “Si shkëndijë që lëshohet prej diellit/, edhe tym, edhe mjegull shpërndan/, si rrufe që shkëputet prej qiellit/ edhe shkatërron, edhe djeg, edhe përlan/. Si një ëngjëll i naltë prej Zotit/, si një yll që zbret befas mbi dhe/, ashtu zbriti Arbërin e Kastriotit/, ashtu leu Ahmeti Zogu për ne/. Roftë Ahmet Zogu, rroftë/, shpëtimtari i atdheut/, breza pas brezi u kujtoftë/, nip stërnip i Skënderbeut”. “Gazeta e Korçës, 29 gusht 1925 bënte të ditur edhe programin e koncertit ku shkruante: “Programi i koncertit të fundit që do të lohet nesër mbrëma është ky: 1) E. Grieg – Norvegian Dance Nr II. 2) Francis Popy Sphinx Vals. 3) Ë.A.Mozart – Marcia alla Franceze. 4) Sehubert – Berte  – Dreimaderathus Vals. 5) E. Grieg – Norvegian Dance Nr III. 6) Ë.A.Mozart – Memieeto. 7) Ofenbach – Orpheus Galop. 8) Batiste – The Pelegrins. Song of Hope. 9) Beethoven – Andante nga Simfonia e Parë.

 

E DUAM “VATRËN” POR… FALAS

“Sa për bandën, Korça e ka dashur e do dhe do ta dojë sa kohë që ta kemi pa para (Pa pagesë). Po në u bëftë që të paguajmë para (të holla) do të mejtohemi pa të përgjigjemi nëse e duam apo nëse nuk e duam. Po me gjithë këto, kopështi po shtrohet me shur (zhavor) e po bëhet si me asfalt, lulet kanë hapur, ilektriku në skenë ndrit, populli po pret, nëse do të lozë banda apo jo nuk e dimë. Ca thonë se djemtë e bandës  kanë marrë leje për një muaj që të çlodhen, ca thonë të tjera. Si qëndron e vërteta nuk dihet. Vjet që na ardhi banda dhe që zbavitnë korçarët me muzikë pa para (pa pagesë) i detyrohen gazetës sonë dhe lutjes që i bëmë shkëlqesisë së tij Presidentit. Po mjerisht nuk u ndodh ndonjë që të na çfaqë falenderime dhe kjo erdhi se kemi një rritje të mirë dhe kemi haber nga etiqeta”.(etika) (Gazeta e Korçës, 30 qershor 1926).

 

EPILOGU

Sipas shtypit të kohës, edhe pse kishin kaluar gati tre vjet nga largimi i “Vatrës”, bashkinë e Korçës e gjejmë sërish duke bërë përpjekje për krijimin e bandës së qytetit: “Për të formuar bandën e qytetit, bashkia u muar vesh dhe pajtoi profesorin, zotërinë e tij, Paskuale Anibale, i cili do të vijë për së shpejti këtu nga Manastiri”. (“Gazeta e Korçës”, 24 korrik 1926). Ndërsa pas një viti, po kjo gazetë shkruante: “…Banda formohet prej çunave të jetimores Korçë dhe prej shkollavet prej të cilvet më të mëdhenjtë nuk e kapërcejnë moshën 13 vjeç, kështu që çdo dëgjonjës nuk mund të mos i admirojë këta çuna, të cilët me meloditë e ëmbla të gëzojnë shpirtin (“Gazeta e Korçës”, 10 shtator 1927). Mirëpo e vërteta është se për mungesë të fondeve për pagesa, djemtë jetim largoheshin nga banda sapo e shihnin veten të rritur. Dhe pas kësaj niste gjithçka nga e para, ashtu si me gurin e Sizifit. Pas kësaj, bashkia do të hiqte dorë nga krijimi i bandës së qytetit dhe do të mendonte për bandën “Lyra”, ku bashkë me krijimin e saj do të niste dhe përfolja për abuzimet me fondet, por për këtë shoqëri muzikore ne do të shkruajmë një herë tjetër.

Gjithsesi, nga Tirana vijonin të vinin lajme të mira: “Që më 15 të këtij muaji, Banda Presidenciale do të fillojë të lozë përpara pallatit të Presidentit” (“Gazeta e Korçës”, 15 mars 1928). Ahmet Zogu  e kishte ndalur vdekjen e “Vatrës”

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency