Anxhela Tato
Viktima i skeduar në Gjermani, dyshime se nuk pagoi lekët e një ngarkese droge dhe u fsheh në Shqipëri
Organi i akuzës kërkon bashkëpunimin e palës gjermane, pritet mbërritja e dosjes hetimore
Pazaret e pambyllura të drogës detyruan Baki Xhabaftin që të kthehej në Shqipëri, këto janë dyshime të organit të akuzës, i cili ka kërkuar bashkëpunimin e palës gjermane. Sipas të dhënave hetimore, rezulton se Xhabafti është person i skeduar në Gjermani për aktivitetin e trafikut të lëndëve të drogës. Ndërsa pritet mbërritja e dosjes hetimore, dyshimet janë që Xhabafti nuk ka paguar lekët e drogës dhe është kthyer për t’u fshehur në Shqipëri. Ndonëse nga ana e akuzës ende nuk ka prova që të çojnë në identifikimin e autorëve, pazaret e drogës është e vetmja pistë ku janë përqendruar hetimet. Për sa i përket hasmërisë nuk ka sinjalizime që krimi të jetë i lidhur me konfliktet e vjetra mes Xhabaftëve dhe Ymerajve. Vetëm pak ditë pas ngjarjes u zbulua se Xhabafti ishte person me precedentë penalë jashtë Shqipërisë për trafik droge në Belgjikë, Holandë dhe Gjermani, ku jetonte prej kohësh me vëllain. Dosja e viktimës në shtetin gjerman do të ndihmojë hetimet në zbulimin e linjave të drogës dhe personave të përfshirë në këtë rrjet, të cilëve ka dyshime se viktima nuk i kishte dhënë fitimet e nxjerra nga shitja e drogës. Sipas burimeve, frika e ka kthyer Baki Xhabaftin në Shqipëri, por vetëm pak ditë pas mbërritjes në vendin tonë ai është bërë pre e atentatit me eksploziv. Megjithatë, këto të dhëna mbeten në kuadrin e dyshimeve në pritje për t’u vërtetuar nga ana e organit të akuzës.
Droga
Sipas burimeve të policisë, rezulton se Xhabafti ishte i përfshirë në trafik lëndësh narkotike në tri shtete. Vetëm prej pak ditësh, viktima Baki Xhabafti ishte kthyer nga Gjermania, ku jetonte me vëllain e tij. Viktima rezulton të jetë i skeduar nga blutë si trafikant droge. Dyshohet se Xhabafti kishte precedentë penalë në Belgjikë, Gjermani dhe Holandë. Nga ana e bluve është kërkuar informacion më i detajuar në lidhje me skedën penale të 40-vjeçarit në këto shtete. Viktima kishte një servis makinash në Vorë, ku ishte transferuar me banesë pas kthimit nga Gjermania. Dyshohet se lënda eksplozive është montuar në momentin që automjeti ka qenë i parkuar. Ndërsa autori i krimit ka qëndruar në gatishmëri të lëvizjeve të 40-vjeçarit, duke pritur çastin që viktima do të futej në automjet. Sapo ka parë prenë e tij autori ka aktivuara lëndës plasëse C4, e cila ishte montuar poshtë automjetit. Një sasi prej 200 gramësh eksploziv ka mjaftuar që t’i merrte jetën viktimës, i cili është nxjerrë i karbonizuar pas shuarjes së flakëve.
Provat
Atentati ndaj Baki Xhabaftit nuk ka ende asnjë provë konkrete që mund të orientojë në zbulimin e autorit dhe në përcaktimin e pistës definitive të hetimeve. Ende nuk ka asnjë të dhënë nga karta SIM që është gjetur në mbetjen e lëndës eksplozive. Ndërsa në automjet nuk kanë mbetur gjurmë gishtash që të ndihmojnë policinë në krijimin e një identikiti. Ndonëse tre pistave të hetimeve, deri tash për asnjë nga të shoqëruarit nuk janë ngritur dyshime. Në total 30 persona janë marrë në pyetje në dy komisariate dhe janë lënë të lirë. Sipas burimeve të policisë rezulton se Bakiu ishte i përfshirë në trafik lëndësh narkotike në tre shtete. Viktima rezulton të jetë i skeduar nga blutë si trafikant droge. Një ndër pistat që u përfol në fillim të hetimeve ishte konflikte i vjetër dhe hasmëria mes dy familjeve Xhabafti-Ymeraj, por çdo gjë rezulton e mbyllur vite më parë. Pas marrjes në pyetje të familjarëve dhe inspektimit të dosjeve të vjetra nuk janë gjetur të dhëna që mund të forcojnë hetimet në këtë pistë. Droga mbetet e vetmja pistë ku janë fokusuar hetimet, ndërsa pritet që nga dosja hetimore e shtetit gjerman të gjendet se me cilët persona mund të jetë konfliktuar Xhabafti, duke u provuar nëse ky krim mban vulën e trafikut të drogës.
Shkolla e Policisë
Ja cilat janë dy grupet që do të testohen më datë 18 mars
Policia e Shtetit ka bërë publike datat e testimit me shkrim për kandidatët për Shkollën e Policisë që janë regjistruar në Tiranë. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit kanë bërë të ditur gjithashtu se të gjithë kandidatët duhet të vijnë në datën 18 mars 2014 për t’u njohur me procedurat e konkursit. Sipas Policisë së Shtetit, në datën 18 mars 2014, do të zhvillohet edhe testimi me shkrim i kandidatëve të përcaktuar për këtë datë sikurse ishte njoftuar më parë, përkatësisht: Në grupin e parë kandidatët me kodin e aplikantit 1-1230 Qarku Tiranë, në grupin e dytë kandidatët me kodin e aplikantit 1231-2460 Qarku Tiranë. Me qëllim dhënien e udhëzimeve të nevojshme mbi procesin e konkurrimit për Shkollën Bazë të Policisë, si dhe procesin e testimit me shkrim, që do të zhvillohet në datat 18-21 mars 2014, do të zhvillohet një takim me të gjithë kandidatët që kanë aplikuar për të ndjekur studimet pranë kësaj shkolle. Takimi me të gjithë aplikantët do të zhvillohet më datë 18 mars 2014, në orën 10:30, në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ku të gjithë konkurrentët nga të gjitha qarqet duhet të jenë të pranishëm për t’u informuar mbi procesin. Po ashtu aplikantët do të ndjekin dhe ceremoninë që do të zhvillohet në kuadër të fillimit të procesit të testimit të Shkollës Bazë të Policisë “Për patrullë të përgjithshme”.
Elbasan
Vodhi 50 mln lekë, pranga punonjëses së postës dhe 2 bashkëpunëtorëve
Një punonjëse poste në Elbasan ka rënë në prangat e policisë pasi shpërdori detyrën. Policia e Elbasanit bën me dije se punonjësja e postës së Shtërmenit, A. Toska, dyshohet të ketë vjedhur 50 milionë lekë të vjetra, nga paratë e paguara për shlyerjen e energjisë. Policia bën me dije se bashkë me të kanë rënë në pranga edhe dy persona të tjerë, që dyshohen të jenë bashkëpunëtorë në këtë ngjarje. Ata janë Nexhat Xhika e Sokol Kryemadhi nga Gostima. Arrestimi i këtyre personave u bë i mundur nga Strukturat e Krimit Ekonomik në Elbasan.
Tiranë
Sulmohen me gurë 4 autobusë, nuk ka të lënduar
Autobusi i linjës Tiranë – Korçë dhe 3 autobusë që bënin linjën Tiranë – Elbasan janë goditur me gurë mesditën e djeshme, teksa udhëtonin në afërsi të zonës së Mulletit. Autobusi i linjës Tiranë – Korçë, me targa TR 1839 T, ishte i mbushur me pasagjerë në momentin e goditjes, por fatmirësisht asnjë prej tyre nuk është lënduar. Mësohet se nga goditja me gurë e autobusëve janë thyer xhamat e tyre. Policia bën me dije se ende nuk ka identifikuar personat që qëlluan në drejtim të autobusëve. Ndërkohë që në vendngjarje kanë nisur tashmë hetimet.
Tropojë
Certifikatë false kosovarit, pranga punonjësit të Gjendjes Civile
Pajisi me certifikatë një qytetar nga Kosova, arrestohet punonjësi i zyrës së Gjendjes Civile në Lekbibaj. Burime nga Drejtoria e Policisë së Kukësit kanë bërë të ditur se Ermal Rosaj, 24 vjeç, ka pajisur me certifikatë personale dhe familjare Berat Brahimin. Sipas policisë, ndaj 24-vjeçarit Rosaj janë ngritur akuzat e “Falsifikimit të akteve të gjendjes civile” si dhe “Shpërdorim detyre”. Sipas policisë, ky persona ka shkelur ligjin duke pajisur me dokumente kosovarin Brahimi. Gjithashtu, procedimi penal ka nisur edhe ndaj Berat Brahimit, pasi ka aplikuar në datën 28 shkurt në komisariatin e policisë së Tropojës për t’u pajisur me pasaportë shqiptare. Brahimi mësohet se është shpallur në kërkim nga uniformat blu.