Krimi në Itali/ Bashkim Dobrushi në polici: As nuk mundohem të kuptoj ish-gruan

0
151

Anxhela Tato

 

 

Njoftimi i vëllait për t’u kthyer në Itali, Bashkimi e parandjeu se u kishte ndodhur diçka vajzave

 Stabilizohet gjendja shëndetësore e Edlira Dobrushit, ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spital

 

 

 bashkimi me vajzen“Ishte një nënë e mirë, por vrau vajzat e mia. Nuk mund ta fal kurrë”. Kështu ka deklaruar pas kthimit nga Shqipëria babai i tri vajzave të vrara nga nëna e tyre, Bashkim Dobroshi. Ish-burri i nënës vrasëse, babai i Simonës 14 vjeçe, Keisit 10 vjeçe dhe Sindit 3 vjeçe, është i pikëlluar nga ngjarja. “As nuk dua të mundohem ta kuptoj ish-gruan”, – ka thënë ai gjatë dëshmisë për policinë italiane në Leko, ku deri pak muaj më parë jetonte me familjen e tij. Mediat italiane bëjnë me dije se Bashkimi sapo ishte nisur për në Shqipëri me të dashurën e tij, më të re në moshë, të cilën donte ta prezantonte me prindërit. Lajmin e rëndë e mori nga vëllai i tij, i cili në telefon i kishte thënë: “Duhet të kthehesh, ka një problem, policia thotë që duhet të kthehesh”. Në ato momente mendja e Bashkimit ka shkuar vetëm tek vajzat: “Duhet t’u ketë ndodhur diçka vajzave”, – i ka thënë ai një miku. Bashkimi ka treguar më tej në polici: “Vajzat e mia ishin të mrekullueshme dhe ajo ishte një nënë e mirë. E zonjë si të gjitha nënat. Edhe pse grindeshim shpesh, edhe pse nuk merreshim më vesh, nuk më shkonte kurrë në mendje që do arrinte t’u bënte keq vajzave. Unë i takoja gati çdo ditë”, – ka thënë ai. Ndërkaq, Edlira, nëna vrasëse, ka vazhduar të kurohet për plagët e marra gjatë tentativës për të vrarë veten. Gruaja nuk kurohej për sëmundje mendore, thonë ekspertët e mjekësisë, ndërsa asnjëherë nuk kishte abuzuar as me ilaçet qetësuese. Do të jenë psikiatrit ata që duhet të sqarojnë shqetësimet që e bënë atë të mendonte që vajzat e saj i priste një fat mizor dhe ishin të destinuara të bëheshin prostituta. Pas tragjedisë së rëndë ajo ka thënë vetëm shprehjen: “Bëra gjënë e duhur”.

 

Shkaqet e depresionit

 Megjithatë, detaje të reja nga jeta e Edlira Dobrushit vijnë tashmë nga mediat italiane, në lidhje me jetën e saj, marrëdhënien me burrin, Bashkimin dhe vendimin makabër që ndërmori duke u marrë jetën, siç i quante ajo, “engjëjve të saj”. Ndarja nga burri, më 12 shkurt të këtij viti, dhe sidomos vështirësitë ekonomike, e kishin çuar Edlirën në një depresion nga i cili nuk dinte si të dilte. Të shtunën, një ditë para krimit, ajo nuk kishte dalë fare nga shtëpia. Nga dëshmitë e komshinjve, që ishin familjarizuar me përshëndetjet e saj kur çonte vajzat në shkollë apo kur dilte për të bërë pazarin, mësohet atë ditë, makina e saj tip “Ford Focus” kishte qëndruar gjatë gjithë kohës e parkuar para shtëpisë. Të vetmin kontakt me botë jashtë mureve të shtëpisë ajo e kishte pasur atë ditë kur me ish-të shoqin, Bashkimin, i cili kishte ardhur për të përshëndetur vajzat përpara se të vinte për në Shqipëri për t’u prezantuar të shtëpisë së tij, të fejuarën e re. Më e depresionuar se kurrë, pa teksa Bashkimi, puthte vajzat e tij, ndërsa vetë Edlira, u përshëndet me të formalisht.

 

Facebook-u i Edlirës

 Trishtimi i saj ishte i qartë, aq sa edhe në profilin e saj në Facebook, kishte kohë që nuk postoheshin më fraza të lumtura, foto të qeshura me vajzat e saj. Sa më shumë që i afrohemi ditës së krimit, aq më shumë vëmë re trishtimin që e kishte mbërthyer, në shprehjet e saj në rrjetet sociale. Më 3 mars, e motra e saj, Mimoza, pyeste se çfarë po ndodhte me të pasi kishte parë një postim të trishtë të saj në lidhje me fëmijët. Dhe përgjigjja e saj kishte qenë: “Po bëhem gjithnjë e më sentimentale…” Në të njëjtën ditë, ajo nxjerr edhe postimin e saj të fundit ku shkruan: “Nuk duhet të gjykojmë jetën e të tjerëve, pasi çdo person njeh vetëm dhimbjen e tij”.

 

 

Durrës

I shpallur në kërkim nga FBI-ja për trafik droge, pranga Armand Marës

Sektori kundër narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës ka arrestuar sot shtetasin e kërkuar në SHBA, Armand Mara, 37 vjeç. Kapja e shqiptarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga FBI-ja për trafikimin e kokainës në SHBA, u bë e mundur në sajë të një operacioni të mirorganizuar. Shtetasi Armand Mara (Shima) njihej ndryshe dhe si Goni Brraka. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga FBI, pasi në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se ka kryer mbajtjen dhe shpërndarjen e sasive të konsiderueshme të kokainës. Armand Mara ishte pjesë e një organizate kriminale, e përfshirë në trafikimin e sasive të konsiderueshme të kokainës nga Kalifornia në Boston, Masaçusets. Kjo organizatë ka trafikuar mbi 50 kg kokainë nga Kalifornia në Boston, Masaçusets në vitet 2010-2012, ku Mara ishte ndër personat kyç në këtë veprimtari kriminale. Ndaj këtij shtetasi është lëshuar urdhër arresti më datë 15 nëntor 2012 nga Gjykata e distriktit Masaçusets në SHBA. Arrestimi i tij është bërë me qëllim ekstradimi drejt SHBA-së.

 

 

Sarandë

Sekuestrohen 50 kg kanabis, transportuesit u larguan me vrap

 Një sasi prej 50 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa është sekuestruar nga policia e Sarandës pasditen e së martës. Droga po transportohej nga dy persona me një mjet tip “BMW” me targa angleze YIX 48 92. Drejtuesit e mjetit sapo kanë pikasur se po ndiqeshin nga policia, kanë braktisur makinën bashkë me sasinë e lëndës narkotike në afërsi të vendit quajtur Burimi i Bistricës dhe janë larguar me këmbë. Blutë e Sarandës janë vënë në ndjekje të tyre, ndërsa kanë bërë edhe sekuestrimin e lëndës narkotike. Droga kishte si destinacion tregun grek,ndërsa origjina e lëndës narkotike ishte Lazarati.

 

 

Tiranë

Zjarr në një pallat te “Don Bosko”, nuk dihet shkaku

 Banorët e një pallati 8-katësh në rrugën “Don Bosko” në kryeqytet janë evakuuar për disa minuta, pas shpërthimit të një zjarri në një nga apartamentet e këtij pallati. Burime nga policia bëjnë të ditur se nga zjarri nuk ka pasur të lënduar, ndërsa banorët kanë dalë nga banesat pasi flakët rrezikonin të përhapeshin. Fatmirësisht forcat zjarrfikëse kanë mundur të lokalizojnë në kohë flakët, duke shmangur rrezikun. Momentalisht mbeten ende të paqarta shkaqet e rënies së zjarrit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency