Gëzim Saliu
Regjistër elektronik për konfliktin e interesave, verifikim nëse të afërmit e zyrtarëve kanë përfituar nga fondet publike
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka vendosur fillimin e procedurave të kontrollit, rikontrollit dhe hetimit administrativ të të gjithë deklaratave të interesave private që nga viti 2003 për funksionarët e lartë të shtetit. Sipas këtij institucioni, hetimi administrativ ka nisur për të gjithë zyrtarët e lartë në vend, që nga Presidenti i Republikës, Kryeministri, Kreu i Kuvendit, deputetët, drejtuesit e policisë, doganave e deri te gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve. Në bazë të këtij vendimi do të rikontrollohen deklaratat e pasurisë që prej vitit 2003 edhe për kryetarët e bashkive, drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, drejtorit të Përgjithshëm të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Rikontrolli
Duke bërë të ditur se rezultatet e kontrollit do të përfundojnë dhe do të bëhen publike rast pas rasti deri më datë 31.12.2014, ILDPKPI nënvizoi se vendimi i saj është marrë nisur nga situata në të cilën gjendet zyra e administrimit të dosjeve të kontrollit të plotë të deklaratave të interesave private të zyrtarëve. “Nisur nga fakti i konstatimit të zhdukjes së regjistrit disavjeçar të denoncimit të rasteve të korrupsionit dhe interesave private të fshehura ose të padeklaruara të zyrtarëve, raste këto të denoncuara nga ana e qytetarëve, medias dhe shoqërisë civile; nisur nga fakti që prej vitit 2006 nuk është kontrolluar asnjë zyrtar i lartë nëse ka përfituar nga fondet publike apo jo, sipas ndalimeve të përcaktuara në nenin 21 të ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar; nisur nga konstatimi se gjatë këtyre viteve është shkelur tepër rëndë detyrimi ligjor i nenit 25 të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, për skemën e kontrollit, duke lënë jashtë skemës së kontrollit të plotë, qëllimisht, zyrtarë të niveleve të ndryshme”, – bënte të ditura arsyet sipas saj ILDKPKI për rikontrollin e pasurive. Më tej, theksohej se rikontrolli dhe hetimi administrativ do të zhvillohej përmes një politike të hapur dhe transparente, ku nuk do të mungojë bashkëpunimi me institucionet e specializuara në luftën kundër korrupsionit. Po ashtu ky institucion pohoi se ka nisur punën për hartimin e regjistrit elektronik për konfliktin e interesave me qëllim që të fillojë verifikimi nëse zyrtari, bashkëshortja, prindërit e zyrtarit, prindërit e bashkëshortes, fëmijët në moshë madhore, kanë lidhur apo jo kontrata me institucionet shtetërore dhe kanë përfituar nga fondet publike “në kundërshtim me ndalimet e përcaktuara në nenin 21 të ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.





