Gëzim Saliu
Ndikimi ekstremist, Füle: Statusi në dorën tuaj. Krijoni besueshmëri te vendet e BE-së
Rama: Pakënaqësia e dhjetorit na ka bërë më të vendosur. Sfida jonë, bashkëpunimi politik
Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Füle, kërkon më tepër angazhim nga forcat politike në Shqipëri për të përmbushur reformat për integrimin. Pas përfundimit të takimit të Dialogut të Nivelit të Lartë BE-Shqipëri, eurokomisioneri deklaroi në konferencën e përbashkët me Kryeministrin Rama se gjithëpërfshirja është kyç për integrimin e vendit në strukturat evropiane. “Reagimi ynë për përpjekjet tuaja të mëtejshme është për më tepër angazhim. Kam theksuar se konfrontimi nuk ndihmon në integrimin e vendit dhe kulturën e bashkëpunimit dhe të gjithëpërfshirjes në Parlament por edhe jashtë tij sepse ndihmon për integrimin. Gjithëpërfshirja është thelbësore në këtë proces. Ashtu si jam i bindur si qeveria dhe opozita mbeten të angazhuara për integrimin dhe dua ti bëj thirrje që të tregojnë frymë kompromisi dhe gjithëpërfshirje për t`u bërë ballë sfidave për integrimin e vendit në BE”, – tha Füle.
Konferenca
Sipas Stefan Füles, procesi i integrimit është në dorën e Shqipërisë duke përmbushur të gjitha reformat që kërkohen nga Brukseli. “Tashmë është në dorë të Shqipërisë që të shtojë përpjekjet për reforma dhe të përmbushë të gjitha ato sfida që kërkohen si shteti i së drejtës, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe reformës në gjyqësor”, – theksoi Füle, duke shtuar se mes këtyre prioriteteve është edhe ai për reformën në administratën publike. Gjithashtu komisioneri i BE-së garantoi se çdo vlerësim nga shtetet anëtare për vendet aspirante në BE do të bëhet sipas meritës. Në këtë kontekst, Füle theksoi se vetëm në bazë të provave dhe fakteve në ecurinë e reformave do të bëhet e mundur që vendet e BE-së të krijojnë besimin e duhur ndaj Shqipërisë për ti dhënë statusin e vendit kandidat. “Ne gjykojmë se çdo vend aspirant do të vlerësohet sipas meritës. Megjithatë, mund të them se jam i kënaqur që pavarësisht sfidave të BE-së zgjerimi mbetet një nga prioritet e Bashkimit Evropian. Anëtarësimi i Kroacisë jep prova të qarta që një shtet nëse jep rezultatet e duhura atëherë edhe shtetet anëtare japin vlerësimin e tyre. Besueshmëria e përpjekjeve tuaja do ta bëjnë vlerësimin e shteteve anëtare në qershor të besueshëm”, – pohoi ai. Ndërkohë Kryeministri deklaroi se qeveria do të bëjë përpjekjet e duhura për të përmbushur kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian për integrimin. “Dua ti siguroj edhe qytetarët por edhe partnerët tanë se ne jemi të vendosur që pakënaqësia që nuk e fshehëm për mosmarrjen e statusit në dhjetor nuk ka ndikuar negativisht por pozivisht që ne të vazhdojmë përpara për ta konsoliduar këtë proces me rezultate impresionuese që qeveria e arriti në pak muaj” tha ai. Më tej duke vlerësua praninë e bashkëpunimin e opozitës në tryezën e djeshme, kreu i qeverisë theksoi se bashkëpunimi politik dhe ndërinstitucional mbeten sfida kryesore. “Duke falënderuar komisionerin për praninë, për mbështetjen dhe për cilësinë e lartë të bashkëpunimit mes nesh dhe komisionit evropian dua të falënderoj edhe kryetaren e komisionit të integrimit Majlinda Bregu për qasjen konstruktive dhe vullnetin e shprehur për të dhënë një kontribut të çmuar në këtë proces me shpresën që i njëjti vullnet do të mund të mishërojë në tërësi nga ana e opozitës edhe në debatin tonë publik në Parlament. Sot sfida kryesore ështe bashkëpunimi politik, ndërinstitucional me partnerët tanë ndërkombëtar dhe bashkëpunumi me të gjithë aktorët tanë”, – deklaroi Rama.
Kundërshtitë dhe batutat e konferencës
Në konferencën e përbashkët mes komisionerit për zgjerimin në KE Stefan Füle dhe Kryeministrit Edi Rama u vu re mungesa e sintonisë mes palëve, kryesisht lidhur me çështjen e vendimit të dhënë nga këshilli i Ministrave të BE-së në dhjetor për statusin kandidat. Ndërsa kreu i qeverisë theksoi se i qëndron deklaratës së tij se kanë ndikuar qarqet ekstremiste në këtë vendim, eurokomisioneri nënvizoi se për marrjen e statusit kandidat vendosin vetëm vendet anëtare dhe se ky proces varet nga besueshmëri që krijon vendi aspirant tek Brukseli. Po ashtu një tjetër detaj i konferencës ishin edhe batutat, kryesisht ato të Kryeministrit Rama drejtuar gazetarëve, por edhe eurokomisioneri nuk geli pas në këtë pjesë.
Konferenca
Para pak ditësh ish-kryeministri Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj personit tuaj zoti Füle, duke ju quajtur serbofil, kjo është dhe një pyetje edhe për zotin Rama sepse të dyve ju ka cilësuar njëlloj.
Füle – Duket qartë që unë nuk jam nga miqtë e listës së “Facebook” të zotit Berisha por ju siguroj që jam mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kaq mund të them për sa i përket atij artikulli që sipas mendimit tim ishte fals dhe i pa bazuar.
Rama – Fakti që jam akuzuar unë nuk përbën lajm apo jo.
Cilat mund të ishin rrethanat që mund ta penalizonin sërish Shqipërinë?
Fule – Për sa i përket konkluzioneve kanë qenë të qarta dhe janë nxjerrë nga vendet anëtare. Janë fokusuar në përpjekjet për sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka kohë për sa i përket që nga dita e sotme për vlerësimin që do bëhet për Shqipërinë, por një vlerësim paraprak e kam ndarë sot. unë e kam vlerësuar punën që është bërë tashmë sidomos për sa i përket atyre që quhen prioritetet kyçe. Por ama vendimi do të merret në qershor nga 28 shtete anëtare ndaj është e rëndësishme që gjithë koha të përdoret në këtë drejtim të mirë.
Ju përmendët një takim tjetër në Tiranë në qershor por nuk thatë datën. Dhe pse duhet ky takim kur në 24 qershor vendet anëtare do marrin vendimin ?
Ndërhyn Rama – Për momentin kemi caktuar vetëm orën 11:00 (qeshin në sallë)
Füle – Mund të them që në atë takim ne do të kemi në raport që do të prezantohet. Dhe përderisa kemi rënë dakord që do arrihet një datë unë jam i lirë në fillim të muajit qershor po ashtu dhe Kryeministri ndaj besoj do e gjejmë një datë të përshtatshme
A druheni se qarqet nacionaliste do e dënojnë Shqipërinë në muajin qershor?
Füle – Nuk e di për çfarë e keni fjalën. Sepse kur fola më parë thash që vendimin e kanë në dorë shtetet anëtare të BE
Rama – Unë i qëndroj pikë për pikë asaj që kam thënë. Se sa do të ndikojnë ata në qershor, kjo mbetet për t’u parë. Ajo që është e rëndësishme është që ne, njësoj si në dhjetor, të shkojmë përballë Këshillit Evropian me detyra plotësisht të realizuara
Ndërhyn Füle sërish – Unë dëshiroj të shtoj diçka sepse është tejet e rëndësishme. Ne gjykojmë çdo partner, çdo vend aspirant apo kandidat, në bazë të meritës së tij. Megjithatë, unë mund te them se unë jam tejet i kënaqur në fakt, që shoh se pavarësisht sfidave me të cilat është përballur BE, zgjerimi vazhdon të mbetet fokusi i shteteve të BE dhe i BE-së. Mund të themi këtu që kemi pasur Kroacinë që u bë shtet anëtar në mesin e vitit 2013, ashtu si çeljen e negociatave me Malin e Zi, negociatave me Serbinë. Do të thosha që të gjitha këto janë prova të qarta që në momentin që një shtet kandidat aspiron për t’u bërë shtet anëtar i BE, jep rezultatet e duhura për sa i përket detyrave të shtëpisë, atëherë edhe shtetet anëtare bëjnë pjesën e tyre për sa i përket kredibilitetit apo besueshmërisë së procesit. Do të jetë besueshmëria e përpjekjeve tuaja që do ta bëjë vendimin e shteteve anëtare të BE, në qershor, të besueshëm.
Në Komisionin e Helsinkit
SHBA: Palët të bashkëpunojnë për statusin. Fajon: Qeveria të përmbushë detyrimet evropiane
Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor dhe bëjnë thirrje për vazhdimin e reformave. Në një seancë të Komisionit amerikan të Helsinkit, pjesëmarrësit duke marrë shkas edhe nga ngjarjet në Ukrainë, theksojnë se sa e rëndësishme është që angazhimi amerikan dhe i BE-së të vazhdojë për një Evropë të lirë dhe në paqe. Përsa i takon Shqipërisë, Zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Eurazinë, Hoyt Yee tha se me shtyrjen e dhënies së statusit kandidat, Shqipërisë iu dha kohë që të dëshmojë përparim të mëtejshëm nën qeverinë e re në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. “I bëjmë thirrje qeverisë dhe opozitës në Shqipëri që të punojnë së bashku dhe të arrijnë rezultate për t’i fuqizuar argumentat për një vendim pozitiv”, deklaroi ai. Ndërkohë Tanja Fajon tha se shtyrja përsëri e hapjes së dritës së gjelbërt për Shqipërinë, do të ishte një mesazh shumë i gabuar, sepse do të rrezikoheshin reformat.“Tani duhet të sigurohemi që qeveria e re po bën të gjitha përpjekjet për të plotësuar të gjitha detyrimet evropiane jo vetëm në letër por edhe t’i zbatojë, çka do të thotë luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar, reformat në drejtësi, në administratën publike dhe këto janë të gjitha shumë të rëndësishme”, theksoi ajo, duke nënvizuar se politikanët duhet të përqendrohen tek e ardhmja e vendit, dhe të punojnë së bashku.





