Sonja Caka
Avokati kërkoi ndryshimin e kualifikimit të veprave penale, i pandehuri shprehet i penduar për veprimet e kryera. Aplikimi i gjykimit të shkurtuar, iu ul një e treta e dënimit
I dyshuar si vrasës me pagesë, Olsi Karagjozi dënohet nga gjykata me 22 vite burg, nga të cilat do të vuajë vetëm 14 vjet e 8 muaj për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Më herët, prokurori Blerim Tominaj ka kërkuar dënimin me 25 vite burg për këtë të pandehur, për disa nga akuzat për të cilat akuzohet. Por, duke qenë se gjyqi është mbyllur me pak seanca, pasi që në fillim të tij Karagjozi kërkoi të gjykohet në aplikim të gjykimit të shkurtuar, gjykata ka marrë vendim ta dënojë në bashkim të dënimeve me 22 vite burg të dyshuarin si vrasës me pagesë, ndërsa përfundimisht pas uljes së një të tretës së dënimit, vetëm me 14 vjet e 8 muaj burg.
Akuzat
Në vendimin e saj të detajuar, Gjykata e Tiranës rendit edhe akuzat për të cilat është dënuar Karagjozi, sipas ditave kur kanë ndodhur ngjarjet. Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se në datë 07.12.2012, shtetasi Gerald Ciku, i shoqëruar nga nipi i tij Emanuel Ziri, kanë shkuar në Rinas, tek servisi i shtetasit Roland Kurti për të marrë një parakolp automjeti, të cilin do ta dërgonin më pas për ngjitje në fshatin Shargë, ku do ta ngjisnin tek servisi i shtetasit Shkëlqim Kazazi. Pasi ta ngjitnin, do ta çonin përseri për ta montuar tek servisi i shtetasit Roland Kurti. Sipas vendimit të gjykatës, Geraldi dhe Emanueli po qëndronin tek servisi i Shkëlqimit, i cili ndodhet fare pranë rrugës nacionale Vorë-Prezë. Geraldi po bisedonte me punonjësit e servisit Rigers Kazazi e Avdi Bahiti. Në këtë kohë, në rrugën kryesore ka kaluar një automjet tip Volkswagen Touareg me xhama të errët dhe me targa të huaja, drejtuesit të së cilës Geraldi ia ka bërë me dorë. Automjeti ka ndaluar pak shpejtësinë, ka ndryshuar sensin e lëvizjes dhe pasi ka bërë një rrotullim në formë të numrit tetë, ka ndaluar në krahun e rrugës ku ndodhej servisi. Në një distancë rreth 10-12 metra larg nga Geraldi, drejtuesi i automjetit, i cili më pas ka rezultuar se ka qenë i pandehuri Olsi Karagjozi, ka ulur paksa xhamin e automjetit dhe i ka bërë me shenjë Geraldit që të afrohet. Nderkohe që Geraldi dhe nipi i tij 15-vjeçar po ecnin në drejtim të automjetit, i pandehuri ka ulur dhe pak xhamin dhe me një armë zjari tip pistoletë ka qëlluar disa herë në drejtim të Geraldit. Plumbat kanë plagosur Geraldin në pjesën e sipërme të kofshës, Emanuelin në kërcirin e majtë, si dhe kanë dëmtuar automjetin e Geraldit, i cili ishte përpara servisit. Nga qitjet e pistoletës, perveç plagosjes se dy shtetasve dhe dëmtimit të automjetit, është rrezikuar seriozisht jeta e shtetasit Rigers Kazazi, i cili ka qenë në një pozicion ballor me automjetin e dëmtuar, si dhe e shtetasi Avdi Bahiti, i cili ndodhej brenda në servis, por duke parë dinamikën e qitjes së predhave, si dhe pozicionin e dëmtimeve, mund të ishte rrezikuar seriozisht edhe jeta e tij. Pasi ka harxhuar thuajse të gjithe karikatorin, i pandehuri është larguar me shpejtësi. Të plagosurit, me ndihmen e punonjësve të servisit, si dhe të disa personave të tjerë që kane shkuar atje rastësisht, janë dërguar në spital, ku u është dhënë ndihma e kualifikuar mjekësore. Ne vendin e ngjarjes kane shkuar menjehere punonjesit e policisë. Më datë 12.01.2013 është arrestuar shtetasi Olsi Karagjozi. Gjate kontrollit, atij i janë gjetur e sekuestruar një pistolete TT me dy karikatorë e tetë fishekë, një copë fitili detonator, një bombol me gaz neoparalizues, dy telefona celularë, 18 karta SIM të kompanive të ndryshme celulare, disa dokumente në gjuhen italiane, karta d`identita, patente di guida, etj., të dyshuara si të falsifikuara. Gjithashtu, i është sekuestruar edhe automjeti tip Volksëagen Touareg me targa BI SË 90.
Mbrojtja
I pandehuri olsi Karagjozi e ka pranuar ngjarjen, duke deklaruar se nuk kishte për qëllim të vriste Gerlad Cikun. Sipas avokatit të tij, për të dëmtuarin Gerald Ciku ngjarja ka qenë e rastësishme. “I pandehuri ka shkuar tek servisi i shtetasit Roland Kurti me automjetin e tij, pasi ka patur një defekt. Është përplasur me shtetasin Gerald Ciku për punën e radhës në servis, përplasje e cila më pas ka degjeneruar me sharje të ndërsjellta. Pas kësaj, Olsi Karagjozi i ka gjuajtur këtij shtetasi në drejtim të këmbës disa herë me një pistoletë të cilën e mbante pa lejen e organeve kompetente. Drejtimi i qitjes është poshtë në drejtim të tokës, fakt i cili pranohet edhe nga përfaqësuesi i akuzës, ku vetëm një predhë ka demtuar bagazhin e një automjeti në servis” ka reaguar avokati Sajmir Visha, duke hedhur në gjyq një tjetër version për ngjarjen nga ai që lexoi prokurori.
Akuza
“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë”,
“Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”,
“Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”,
“falsifikimi i dokumenteve”
Vendimi
Vodhi në farmaci telefonin e motrës së Elda Tomçinit, dënohet
Gjykata e Tiranës ka dënuar një gjobë 120 mijë lekë të reja Brikena Zirin (Veit), e cila ka marrë telefonin e motrës së farmacistes së njohur Elda Tomçini në banak. Sipas vendimit të gjykatës, gruaja nga Tirana por me banim në Gjermani, ka marrrë telefonin e harruar nga motra e farmacistes në banak, duke u larguar më pas nga territori shqiptar. Referuar vedimit të gjykatës, pasditen e datës 10.11.2013, shtetasja Elda Tomçini, ka shkuar ne farmacinë e saj, e cila ndodhet në rrugën e Durrësit. Shkaku që ka shkuar ka qenë se motra e farmacistes që kishte të punësuar, e cila quhet Jonida Halili, kishte qenë në farmaci dhe kishte harruar atje telefonin e saj Blackberry. Jonida kishte ardhur përsëri në farmaci pas rreth dy orësh për të pyetur se mos e kishte harruar telefonin. Në farmaci është i instaluar një sistem kamerash sigurie. Elda ka parë regjistrimet dhe ka konstatuar se Jonida e kishte harruar vërtet telefonin në farmaci, por atë e kishte marrë vajza e një klienteje të quajtur Xhevrije Ziri, e cila kishte ardhur atë pasdite në farmaci. Elda e njihte vajzën me emrin Kela Ziri. Elda ka kontaktuar me shtetasen Xhevrije Ziri dhe i ka thënë se vajza e saj kishte telefonin e një klienteje, gjë që duhej qartë në imazhet e fiksuara nga kamera e sigurisë. Xhevrija i ka thënë se do ta rikthente telefonin. Elda ka kërkuar disa herë të kontaktonte me Xhevrijen për t’i kërkuar telefonin. Ajo e ka takuar Xhevrijen disa herë, por kjo e fundit i është shmangur, duke i thënë që sa ti vijë e bija në Shqipëri do t’ia sjellë telefonin. Ajo ka thënë gjithashtu se e bija udhëton shpesh. Ndërkohë, Xhevrija nuk ka ardhur më në farmaci. Elda i ka shkuar edhe në shtëpi Xhevrijes, duke e paralajmeruar se po të mos e kthente telefonin do të ndiqte rrugën ligjore. Xhevrija i ka thënë që vajza telefonin e kishte gjetur në banak dhe nuk e kishte vjedhur. Pas këtij momenti, farmacistja Tomçini i është drejtuar policisë me një kallëzim.





