Gjykatë/ Mungon kryebashkiaku, dështon seanca e parë e gjyqit për Mziun

Sonja Caka

  

Avokati Gjokutaj: Klienti im është në një mbledhje kryekomunarësh në Bushat të Shkodrës, e parashikuar prej kohësh. Dëshiron të jetë vetë i pranishëm në gjyq

 

Xhelal MziuMungesa e kryebashkiakut të Kamzës ka bërë që të mos nisë procesi gjyqësor ndaj tij. Përmes avokatit të tij, Genci Gjokutaj, i pandehuri Xhelal Mziu ka kërkuar nga Gjykata që seanca e djeshme të shtyhej, pasi ai dëshironte të ishte i pranishëm vetë në gjyq. Sipas avokatit Gjokutaj, Mziu ishte në një aktivitet i cili kishte kohë i programuar në Bushat të Shkodrës, ku ishin mbledhur komunat e Shqipërisë. Pasi ka dëgjuar avokatin, gjyqtari Besnik Hoxha vendosi të pranonte kërkesën dhe shtyu seancën për në datën 10 mars. Të pandehur së bashku me kryebashkiakun Mziu janë edhe drejtori Juridik Atli Hoti dhe shefi i Tatimeve dhe Taksave Bujar Loshi. I pandehuri Mziu është duke u gjykuar në gjendje të lirë, pas vendimit të dhënë nga Apeli, i cili ndryshoi masën nga “Arrest me burg” në “Detyrim paraqitje”. Dosja mbërriti për gjykim më 6 shkurt të këtij viti, pasi akuza përfundoi hetimet për këtë çështje.

 

Akuza

 Hetimi nisi pas denoncimeve të kompanive “Gjoka Konstruksion” dhe “Albavia”. “Gjoka Konstruksion” u përjashtua nga ndërtimi i rrugës “Zgjimi” në Valias, edhe pse kishte fituar tenderin, për shkak të disa pretendimeve të ngritura nga Mziu dhe Hoti më pas. Si “Gjoka Konstruksion” dhe “Albavia” kanë denoncuar se janë ngarkuar pa të drejtë edhe me taksa dhe kjo ka futur Loshin në grupin e të pandehurve të Prokurorisë. Materiali është depozituar në Gjykatë me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” për tre të pandehur: Xhelal Mziu, Atli Hoti, drejtor i Drejtorisë Juridike dhe Bujar Loshi, drejtor i Drejtorisë së Taksave në këtë Bashki. “Dy kompanitë “Alabavia”sh.p.k dhe “Gjoka” sh.p.k në pesë vite rresht (2008-2013) kanë ankimuar fillimisht detyrimin e përcaktuar nga ana e Bashkisë Kamëz, pasi e kanë konsideruar të padrejtë. Ankimimi i tyre nuk është marrë parasysh asnjëherë dhe për këtë dy kompanitë çdo vit i janë drejtuar Gjykatës. Për 5 vite rresht është investuar Gjykata e Shkallës së Parë dhe e Apelit për të njëjtin argument. Në të gjitha rastet, gjykatat u kanë dhënë të drejtë shoqërive private. Por, nga ana e Bashkisë nuk janë marrë në konsideratë vendimet e Gjykatës, për më tepër Bashkia ka urdhëruar me akt administrativ bllokimin e llogarive bankare të shoqërive, të cilat janë detyruar të zhvillojnë të tjera procese gjyqësore për zhbllokimin e tyre”, – pjesë e kërkesës për gjykim. Ky procedim penal i referohet katër kallëzimeve penale të paraqitura nga dy nga shoqëritë “A” dhe dy të paraqitura nga shoqëria “Gj”. Në këto kallëzime parashtrohet fakti penal i kryerjes së veprimeve në kundërshtim me ligjin nga punonjësit e Bashkisë Kamë\. “Në dy kallëzimet e paraqitura nga përfaqësues të shoqërisë “A……. sh.p.k” parashtrohet fakti se ndaj kësaj shoqërie Bashkia Kamëz ka vendosur ndër vite, në kundërshtim me ligjin taksën “Për zënien e hapësirës për aktivitet tregtar” si dhe “Taksën e ndërtesës”. Edhe pse Gjykata ka vendosur disa herë me vendim të formës së prerë paligjshmërinë e këtyre taksave (e para si e vendosur totalisht në kundërshtim me ligjin dhe e dyta pjesërisht), nga autoritetet e Bashkisë Kamëz nuk është marrë asnjë masë për mosvendosjen e këtyre taksave në vitet në vazhdim, por ka ndodhur e kundërta, duke bërë rivlerësime tatimore. Gjithashtu, ndaj kësaj shoqërie nuk i janë kthyer detyrimet e paguara, të cilat Gjykata i ka deklaruar si të vendosura në kundërshtim me ligjin.

 

Hetimet

 “Konstatohet se Bashkia e Kamzës ka marrë njoftim rregullisht për proceset dhe vendimet gjyqësore të zhvilluara me paditës shoqërinë “A”. Në njoftimet e ardhura nga Gjykata gjendet kartelat shoqëruese të plotësuara nga kryetari i Bashkisë me shënimet përkatëse të tilla si: “Drejtoria Juridike dhe Drejtoria e Taksave… të mbrohet me çdo kusht”, përfaqësues të Bashkisë kanë qenë prezent në proceset gjyqësore, ndaj vendimeve gjyqësore është ushtruar ankim i cili është firmosur nga titullari i institucionit, por ajo që është më e rëndësishme për disa vendime gjyqësore janë lëshuar urdhrat e ekzekutimit nga Gjykata dhe janë ngarkuar zyrat e Përmbarimit përkatëse për ekzekutimin e këtyre vendimeve. Por pavarësisht ligjit dhe vendimeve gjyqësore, Bashkia Kamëz ka vazhduar të vendosë taksa ndaj shoqërisë në kundërshtim me ligjin pavarësisht dijenisë së saj për paligjshmërinë e këtyre taksave. Nga përllogaritjet rezulton se shuma e taksave të vendosura padrejtësisht në vitet 2008-2011 për shoqërinë “A” është rreth 12.000.000 lekë të reja. Gjithashtu, Bashkia Kamëz ka vendosur këto taksa të paligjshme edhe në vitin 2012 dhe 2013”.

 

 

Vendimi

Vidhnin në qendra tregtare, dënohen dy motrat nga Kavaja

Dy motra nga Kavaja, njëra 22 dhe tjetra 17 vjeçe janë dënuar nga Gjykata e Tiranës, pasi akuzohen se në bashkëpunim vidhnin rroba në qendra tregtare. Gjykata i ka dënuar me nga 1 vit burg dy vajzat, por në përfundim, ka urdhëruar pezullimin e dënimit me burg duke vendosur dënimin e tyre me kusht për 2 vjet, për t’u mbikëqyrur nga Shërbimi i Provës. Gjithashtu, gjykata ka vendosur që gjatë kësaj periudhe monitorimi 2-vjeçar, motrat Migena dhe Dolora Lami të mos shoqërohen me persona të dënuar. Sipas akuzës, motrat Lami hynin nëpër dyqanet e qendrës tregtare në periferi të Tiranës, piketonin rrobat dhe shkonin i vidhnin. Mekanizmi i përdorur ishte zgjedhja e rrobave të bukura, marrja për t’i provuar në dhomën e provës dhe më pas heqja e elementit të sigurisë. Më pas, i vishnin apo i fusnin brenda rrobave të brendshme dhe pasi shikonin rroba të tjera në dyqanin, dilnin pa blerë gjë. Po kjo taktikë u përdor disa ditë derisa shitëset kur bënin inventarin dilnin me sende apo rroba mangët. Nisën analizimin e kamerave dhe konstatuan se vetëm dy vajza u dilnin shpesh në pamje, të cilat merrnin rroba, hynin në dhomën e provës dhe dilnin pa blerë gjë ndërsa rrobat nuk gjendeshin më. Pronarët e dyqaneve lajmëruan policinë, të cilët bënë edhe ndalimin e dy vajzave dhe nisjen e hetimit për veprën penale të “Vjedhjes”.

 

 

 

Kërko