Diskutimi në Kuvend/ Qeveria shtyn “Nëpunësin”, por nuk ndryshon qëndrim: Amendimet e ligjit, të nevojshme

0
143

Gëzim Saliu

 

Celibashi: Jemi të detyruar të zbatojmë vendimin e Kushtetueses që rrëzoi aktin normativ të qeverisë për ligjin e nëpunësit civil

CELIBASHI---24_21Qeveria shtyn diskutimin e amendimeve të ligjit “Për nëpunësin civil”, me arsyetimin e mundësisë së gjetjes së konsensusit mes palëve. Por pavarësisht nga ky akt, duket se mazhoranca qeverisëse nuk do të heqë dorë nga ndryshimi i ligjit të miratuar me shumicë të cilësuar vitin e kaluar si pjesë e paketës së Brukselit për statusin. Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, deklaroi dje pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve se shtyrja e diskutimit u bë për t’i dhënë më shumë kohë opozitës të njihet me këtë nismë e për të arritur një konsensus, por duke nënvizuar njëkohësisht se amendimet e ligjit janë të domosdoshme, në kohën kur këto të fundit janë cilësuar si shkelje e konsensusit mes palëve nga ana e opozitës. “Ne si qeveri bëmë një propozim, që kishte të bënte me shtyrjen e diskutimeve që kanë të bëjnë me ndryshimet në lidhje me “nëpunësin civil”, me qëllim për të pasur mundësinë për të diskutuar dhe për të arritur konsensus me opozitën në lidhje me këto ndryshime. Por ligji ka nevojë të amendohet”.

 

Çështja e nëpunësit

Nga ana tjetër, ministri theksoi se qeveria është e detyruar të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për aktin normativ të qeverisë. “Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin për aktin normativ të qeverisë për ligjin e nëpunësit civil dhe jemi të detyruar të zbatojmë atë. Që të mos tregohemi arrogant, vlerësuam që shqyrtimi i amendamenteve të mos bëhet në datën 6 por të shtyhen në kalendarin e punimeve të Kuvendit”, – tha ai. Ndërsa lidhur me paralajmërimet e dy ditëve të fundit të opozitës për bojkot të mundshëm të Kuvendit, Celibashi tha: “Qëndrimi bojkotues ndaj veprimtarisë së Kuvendit nuk është zgjidhje e dëshiruar dhe as dobiprurëse”. Pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të aktit normativ që shtynte me 6 muaj kohë hyrjen në fuqi të ligjit “Për nëpunësin civil”, qeveria ka vendosur dy javë më parë ndryshimin e ligjit. Ndër ndryshimet më të rëndësishme të tija janë ato që lidhen me nenin 50, që prek nëpunësit e larguar nga puna, për shkak të rikonstruktimit apo mbylljes së institucionit. Sipas këtij ndryshimi, në rast se nuk ka mundësi transferimi të nëpunësit ai “lirohet nga shërbimi civil duke i dhënë si dëmshpërblim pagën e 1 (një) muaji nëpunësve civilë, që kanë deri në 1 (një) vit eksperiencë pune si nëpunës civilë, pagën e 2 (dy) muajve nëpunësve civilë, që kanë nga një deri në 5 (pesë) vjet eksperiencë pune si nëpunës civilë, dhe pagën e 3 (tre) muajve nëpunësve civilë, që kanë më shumë se 5 (pesë) vjet eksperiencë pune si nëpunës civilë”. Ndryshimet e ligjit janë cilësuar nga opozita si shkelje e konsensusit mes palëve si edhe mos respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi më parë ndërhyrjen me akt normativ në një ligj që ishte miratuar me shumicë të cilësuar. Nga ana tjetër të djathtët kanë bërë të ditur se përmes boshllëkut ligjor që ka krijuar qeveria me nëpunësin civil janë kryer spastrime në administratë, duke emëruar sipas tyre në vend të specialistëve, militantë partiakë.

 

 

Marrëveshja e IPA-s

Grant prej 64 mln eurosh, Sequi: Duhen rezultate në luftën kundër korrupsionit

Qeveria shqiptare përfiton 64 milionë euro nga buxheti i Bashkimit Evropian për 12 projekte zhvillimi. Ambasadori i BE-së në vend, Ettore Sequi, ka deklaruar gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes se pritshmëria nga qeveria shqiptare është e lartë sa i takon luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me fondet nga buxheti i Bashkimit Evropian do të financohen projekte për forcimin e shtetit të së drejtës, reformën në administratën publike, sektorin e transporteve, reformat ekonomike dhe zhvillimin e bujqësisë. Lidhur me këtë, kryediplomati i BE-së në vend tha se pavarësisht nga kriza ekonomike, Evropa vijon mbështetjen financiare për Shqipërisë, por, sipas tij, është e rëndësishme që të arrihen rezultate konkrete, sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Pritshmëritë për rezultate nga kjo asistencë janë të larta. Ne presim që Shqipëria të ecë me reformat. Ne presim një gjyqësor eficient dhe përpjekje më të mëdha për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, në funksion të marrjes së statusit të vendit kandidat. Adresimi i këtyre çështjeve është i rëndësishëm jo vetëm për detyrimet e Shqipërisë përgjatë procesis të integrimit, por edhe për të treguar aftësinë për të tërhequr investitorë të huaj dhe për cilësinë e qeverisjes shqiptare. Pritshmëritë tona nuk janë modeste”, – u shpreh ambasadori Sequi.

Ligj i ri për turizmin

Licencim dhe certifikim i hoteleve

Qeveria po përgatit ligjin e ri për turizmin, përmes të cilit do të detyrohen të gjithë operatorët turistikë të licencohen si dhe të kategorizojnë shërbimet që ata ofrojnë. Sipas ekzekutivit, cilësia e shërbimit në zonat turistike në vend vijon të mbetet një nga problemet kryesore me të cilat përballet turizmi shqiptar. Në këtë kontekst, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit do të nisë licencimin dhe certifikimin e hotelerisë apo operatorëve të tjerë që veprojnë në këtë sektor. “Duke vlerësuar shumë peizazhin, duke vlerësuar trashëgiminë kulturore, mikpritjen edhe kuzhinën shqiptare herë pas here turistët kanë pasur vërejtje për cilësinë e shërbimit. Me ndryshimet ligjore që kemi filluar dhe kemi përgatitur draftin e parë, i cili po diskutohet me grupet e interesit, duam që të rrisim konkurrueshmërinë në turizëm, të rrisim standardet duke vënë klasifikimin, licencimin dhe certifikimin e operatorëve që veprojnë në fushën e turizmit”, – tha dje ministrja Eglantina Gjermeni, ku lançoi projektin pilot për zhvillimin e kursit të trajnimit për grupin e parë të guidave turistike e që do të realizohet në bashkëpunim me Qendrën për Edukim Ekonomik dhe Biznes. Sa i përket kësaj çështjeje, pritet që në këtë sezon veror të ketë edhe guida të licencuara turistike, kur individë të ndryshëm që zotërojnë një gjuhë të huaj shërbejnë si ciceron për zonat me vlera turistike. Ligji për turizmin pritet të kalojë në Parlament brenda muajit qershor.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency