Kam rënë në dashuri me mikun tim më të mirë, po tani si t’ia bëj? Mos vallë miqësia dhe dashuria mes një burri dhe një gruaje janë marrëdhënie që rrjedhin paralelisht dhe të destinuara për të mos u kryqëzuar kurrë? Ja si mund ta përballoni situatën nëse ju ndodh diçka e tillë
Ndodh që miku i ngushtë të bëhet diçka më shumë për ju. Por përse femrat bien pikërisht në dashuri me shokët e zemrës? Mos vallë ndikojnë besimi, pasionet e përbashkëta, respekti dhe vlerësimi reciprok? Ndoshta ka shumë arsye, por më kryesorja është që mund të mbështeteni në çdo moment tek ai. Me të mund të flasësh për gjithçka pa pasur frikë se mund të gjykohesh.
Por para se të vendosni t’i flisni hapur për dashurinë, në fillim duhet të kuptoni nëse ndjenja juaj është e sinqertë. Heshtja mund të prishë gjithçka, t’ua prishë marrëdhënien. Ndoshta nga e gjithë kjo mund të lindë një dashuri, ose në rast të kundërt do ta vazhdoni shoqërinë me një peshë me të lehtë në stomak. Ndodhi pikërisht atëherë kur nuk e prisje. Mes një besimi reciprok, një përqafimi të dashur, një komplimenti që del nga thellësia e shpirtit, duke ndriçuar papritur një ndjenjë për të cilën nuk ishit shumë e qartë. Pastaj vlerësimi reciprok dhe besimi bënë të vetën: kështu si pa e kuptuar ke rënë në dashuri me mikun më të mirë dhe e keqja është se nuk mund të kthehesh më pas. Të mbetet vetëm të rezistosh e të përballesh me situatën e ndërlikuar. Por si mund të silleni para një ndryshimi të tillë? A ndodh shpesh që dy miq të bien në dashuri dhe lidhen me njëri-tjetrin? Ja disa këshilla lidhur me këtë “problem”.
Përse ndodh
Rrugët e dashurisë janë të pafundme, por ka nga ato që fshehin kurthe dashurie më shumë se të tjerat. Miqësia midis burrit dhe gruas është shpesh një rrëshqitje e butë drejt një marrëdhënieje tjetër. Kjo ndodh sepse keni mundësi që të kaloni më shumë kohë me një person tjetër pa u kufizuar, pa pasur frikë se mund të ndodhë ndonjë gjë e pakëndshme, të bindur se miqësia ka kode të ndryshme nga dashuria dhe ndodh që të mos biesh në grackën e kësaj të fundit. Por me sa duket gabohemi! Liria u jep mundësinë personaliteteve dhe karaktereve të zbulohen gradualisht, pa qenë e nevojshme të kalohet nëpërmes etapave standarde, secila me hapa të përcaktuar dhe të detyruar.
Si të silleni
Tani që i keni qartësuar ndjenjat tuaja, prisni një moment para se të rrëfeheni. Përpiquni të kuptoni nëse ajo që ndieni ju kthehet, duke provuar që të ndërroni pak sjelljen. Kështu mund të vëreni nëse edhe tek ai ka ndonjë ndryshim. Frika më e madhe është se mos shkatërrohet një marrëdhënie e qëndrueshme, apo marrja e një përgjigjeje negative. Kështu që pritja është një sugjerim i mirë për të kuptuar se sa e vërtetë dhe e qëndrueshme është kjo marrëdhënie në zemrën tuaj. Gjithashtu, ky mund të jetë një moment vetmie reflektimi nga i cili po përpiqeni të kthjelloni ndjenjat e ngatërruara, nëse kjo e juaja është miqësi apo diçka tjetër. Pasi t’i keni bërë të gjitha këto kontrolle emocionale duke arritur në përfundimin që, po është dashuri, nuk ju mbetet gjë tjetër veçse t’ia thoni. Nuk ka më kuptim të vuani në heshtje, më mirë të flisni hapur, sepse nuk i dihet mund të merrni një përgjigje pozitive.
Nëse merrni një jo
Në këtë rast, zgjidhja më e mirë do të ishte largimi për një periudhë të shkurtër kohore në mënyrë që të kthjelloheni. Pavarësisht përgjigjes negative të shtireni sikur gjithçka shkon si më parë, do të thotë të sforcoheni, gjë që rrezikon të komprometojë përfundimisht marrëdhënien. Merrni të gjithë kohën që ju nevojitet për të vlerësuar nëse ia vlen dhe a është e mundur që ta varrosni ndjenjën e dashurisë dhe të kënaqeni me atë të miqësisë