Florenc Drizari
Edi Paloka: Qeveria nëse nuk ndërron rrugë, përcakton fundin e saj
Partia Demokratike pritet të protestojë mesditën e së enjtes në sheshin Skënderbej në Tiranë. Marshimi i opozitës pritet të filloi në sheshin qëndror të Tiranës dhe më pas protestuesit do ti drejtohen godinës qeveritare, kryeministrisë. Nisja e protestës është parashikuar të fillojë në orën 14:00 dhe sipas zërave në PD, nuk pritet të ketë fjalime nga krerët e opozitës. Protesta e opozitës është paralajmëruar disa ditë më parë nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha gjatë një mbledhje me grupin parlamentar demokrat dhe fokusi i saj është mënyra se si krerët e mazhorancës po e qeverisin vendin. Sipas opozitës qeveria ka dështuar në mbajtjen e premtimeve të bëra në fushatën e muajit qershor të vitit të kaluar dhe situata ekonomike në vend është përkeqësuar me vendimet e fundit të ekzekutivit. Por protesta e opozitës përkon me ditën kur Kuvendi i Shqipërisë mbldhet ne seancë plenare. Sipas burimeve brenda PD-së, opozita do të jetë në puimet e seancës plenare dhe rreth orës 14:00, deputetët e saj do të dalin nga salla e mbledhjes për të shkuar në marshim e 20 shkurtit. Burime brenda grupit parlamentar thonë se deputetët e opozitës do të vazhdojë seancën normale, duke diskutuar projektligjet në axhend, por edhe duke kritikuar mënyrën e qeverisjes dhe në të njëjtën kohë, duke i bërë thirrje edhe qytetarëve që të marrin pjesë në mashimin e opozitës në shesh. Më herët kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ka theksuar se paçka deklaratave të krerëve të opozitës për mbajtjen e protestave, mazhoranca do të vazhdojë axhendën e saj me punimet në Kuvendin e Shqipërisë.
Edi Paloka
Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, theksoi mbrëmë se protesta e opozitës është një mesazh për qeverisë për të ndryshuar raportet e krijuara me zbatimin e ligjit, opozitën dhe mbajtjen e premtimeve të bëra në fushatën e fundit elektorale. Në një prononcim për gazetën “Standard” Paloka deklaroi se qeveria duhet të tërhiqet nga nismat e fundit të saj, duke rikthyer thyerjen e konsensusit politik për ligjin e nëpunësit civil dhe qëndrimet për të reformuar strukturat e disa prej institucioneve të pavarura në vend.
“Mesazhi që ne i japim qeverisë nëpërmjet qytetarëve në protestë është që të ndali mënyrën e sjelljes arrogante ndaj opozitës, ndaj qytetarëve, t’ju japi fund mashtrimeve që iu ka bërë atyre dhe të kthehet në rrugën e një qeverisje demokratike”,-deklaroi Paloka.
Sipas kreut të grupit parlamentar demokrat, protesta e sotme nuk pritet të ketë një slogan të vetëm dhe kjo për faktin se është një “është një protestë për ta shkundur qeverinë, për t’i bërë të qartë se nëse nuk ndërron rrugë, do të përcaktojë fundin e saj”.
Në ditët e fundit krerët e opozitës kanë intensifikuar takimet e tyre me bazën si në qendër ashtu edhe në rrethe të ndryshme të vendit, duke i bërë thirrje qytetarëve, sidomos rinisë, t’i bashkohet anëtarësimit në Partinë Demokratike si dhe qëndrimeve të fundit për të protestuar në sheshin Skënderbej për vendimet e fundit të qeverisë. Gjithasthu opozita proteston sot edhe në kujtim të 23 shkurtit 1991, ditën kur në Tiranë u rrëzua busti i Enver Hoxhës.
Masat e policisë
Sot në orën 11:00 bllokohen të gjitha hyrjet drejt sheshit “Skënderbej “
Policia e Shtetit me anë të një komunikate për shtyp, bëri të ditur dje se gjatë protestës së ditës së enjte do të bllokohen disa rrugë që lidhin qendrën e Tiranës, sheshin “Skënderbej”. Bllokimi i rrugëve sipas policisë pritet të fillojë rreth orës 11:00 të ditës së sotme.
“Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, përgjatë zhvillimit të kësaj proteste. Sa sipër, lutemi qytetarëve për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e tyre, lidhur me bllokimin e disa segmenteve rrugore: Duke filluar nga ora 11.00 e ditës së nesërme, do të bllokohen të gjitha hyrjet drejt sheshit “Skënderbej”, përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe të gjitha rrugët që kanë lidhje me segmentin rrugor nga sheshi “Skënderbej” deri në sheshin “Nënë Tereza” Tiranë”,-përfundon njoftimi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Lidhur me masat e tjera për sigurinë e protestës, policia duket se ka menduar që në rreshtin e parë para kryeministrisë të ketë police femra, por duke mos përjashtuar forca të shumta sigurie në rast se protestestuesit përplasen me policinë. Këto masa të policisë merren edhe pse krerët e opozitës kanë deklaruar se protesta do të jetë paqësore.
Protesta, Berisha: Motoja “Edi Rama hiq duart nga xhepat e mi”
Pak orë para protestës së 20 shkurtit të opozitës, ish-kryeministri Sali Berisha ka shkruar në rrjetin social “Facebook”, duke thënë se kjo është protesta më e madhe e historisë e cila do të zhvillohet nën moton “Edi Rama hiq duart nga xhepat e mi”. “Protestojë për dinjitetin tonë dhe kundër mashtrimeve të Edvin Kristaq Ramës, për rritjen e rrogave, pensioneve dhe kundër ngrirjes se tyre trevjeçare, kundër rritjes së taksave dhe heqjes se shpërblimit të fundvitit nga Edi Rama”, shkruan Berisha. Më tej shton “protestojmë për punësimin, për legalizimet dhe shëndetësinë falas, kundër shkatërrimit të vendeve të punës dhe kundër tritolit në shtëpitë tuaja nga qeveria Rama-Meta.” “Protestojmë për uljen me 20% të çmimit të ushqimeve dhe energjisë elektrike dhe kundër faturës afrofe, për lëvizjen e lirë të furgonave dhe kundër monopoleve të qeveritarëve në transportin e pasagjerëve, për ligjin, transparencën dhe kundër qeveritarëve kleptokrat, për rendin, qetësinë, sigurinë tonë, kundër tritolit, maskave dhe kundër gjobave dhe trafiqeve të qeverisë”, shkruan më tej në fjalën e tij ish-kryeministri duke cituar të gjitha problemet e diskutuara kohëve të fundit dhe duke nënvizuar premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale nga qeveria e tanishme. “Protesta e 20 shkurtit është protesta e djemve, vajzave, burrave dhe grave që do shkruajnë nesër me guximin e tyre një faqe të re në historinë e demokracisë sonë”, përfundon shkrimin e tij ish-lideri i Partisë Demokratike. Më herët gjatë ditës së djeshme, ish-kryeministri Berisha zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët





