Anxhela Tato
Dyshimet e policisë se viktimat po udhëtonin me makinën e një trafikanti droge
Policia, 2 autorët zbrazën një karikator në drejtim të automjetit, ku po udhëtonin 2 vëllezërit
Atentatit në Milot i merr jetën dy djemve, ndërsa është në gjendje të rëndë shëndetësore vëllai i viktimës. Autorët kanë zbrazur një karikator të tërë në drejtim të automjetit ku ndodheshin tre djemtë dhe kanë arritur që të largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Nga plagët e marra kanë humbur jetën 25-vjeçari Tauland Prendi dhe Klodian Ndreca, ndërsa ka mbetur i plagosur Aurel Prendi, i cili është transportuar me urgjencë në drejtim të Spitalit të Lezhës. Mësohet se 21-vjeçari i është nënshtruar një operacioni, por gjendja e tij vijon të jetë kritike. Nëse nuk do të ketë përmirësim 21-vjeçari do të transportohet në Spitalin Ushtarak për mjekim më të specializuar. Ndërsa trupat e dy viktima janë në morgun e spitalit, ku i janë nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, që do të ndihmojë blutë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Patrulla dhe postblloqe janë ngritur në gjithë zonën për të ndaluar arratisjen e autorëve, të cilët dyshohet se kanë qenë dy persona. Në vendin e ngjarjes është sekuestruar një armë kallashi, e cila është dërguar në laboratorin shkencor për t’iu nënshtruar ekspertizës balistike. Nëse do të gjenden gjurmë gishtash do të jetë një ndihmë për blutë që të arrijnë në identifikimin e autorit. Ndërsa asnjë dëshmitar okular për krimin, i cili ka ndodhur poshtë urës së Milotit. Errësira është shfrytëzuar nga autorët, të cilët mesa duket i kishin zënë pritë makinës, duke ditur itinerarin lëvizjes së saj.
Ngjarja
Dyshimet e bluve janë se viktimat mund të jetë bërë aksidentalisht shënjestra e këtij atentati. Ata po udhëtonin me një automjet që nuk ishte në pronësi të tyren, por të një trafikanti droge. Por nuk hidhet poshtë as aludimi që kjo ngjarje mund të jetë e lidhur me ndonjë hakmarrje për borxh ose konflikt. Dy vëllezërit Prendi kanë një punishte që merret me prodhim gurësh për oxhaqe, me anë të së cilës mbanin familjet. Asnjë nga viktimat nuk rezulton të jetë i skeduar nga policia. Nga të dhënat e para të policisë mësohet se viktimat kanë qenë duke udhëtuar me makinë kur rreth orës 21:00 persona ende të paidentifikuar i kanë zënë pritë dhe kanë qëlluar me automatik në drejtim të tyre. Sipas policisë persona ende të pa identifikuar i kanë zënë pritë dhe kanë qëlluar me armë zjarri drejt një automjetit tip “Golf 5” me targë “AA047VM” .





