Anxhela Tato
Prokuroria: Polici i Rinasit i tha Marjon Mitros të bënte kujdes dhe të largohej sa më parë
Kushërinjtë Mëhillaj u kontaktuan në celular nga polici i komisariatit të Vlorës
Dy oficerë policie spiunuan “Mega Operacionin”, duke vënë nënë rrezik arrestimin e të dyshuarave si anëtarë të bandës së vrasësve me pagesë, si dhe duke rrezikuar jetën e të penduarve. Nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda bëhet me dije se një efektiv policie në Rinas ka njoftuar Marjon Mitron, duke i thënë që të largohej sa më parë pasi do të arrestohej. Pas këshillës së policit spiun, Marjoni ka tentuar të niset në drejtim të Italisë, por fatmirësisht është arrestuar nga blutë. E njëjta skemë është edhe me dy kushërinjtë Mëhillaj, të cilët janë njoftuar nga një efektiv i bluve të Vlorës. Mësohet se ditën e publikimit të lajmit, efekti ka marrë në telefon kushërinjtë Mëhillaj duke i thënë se po i ngrihej një kurth nga policia dhe duhet të arratiseshin. Menjëherë pas kësaj bisede dy celularët rezultonin të fikur dhe kushërinjtë ishin zhdukur nga banesat e tyre bashkë me pjesëtarët e familjes. Prokuroria pritet që t’i thërrasë për t’i marrë në pyetje dy efektivët “urithë”, për të cilët akuza është ende në fazën e verifikimit paraprak.
Takimi
Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda është paraqitur në orët e paradites zëvendëskryetari i SHKB-së, i cili ka dorëzuar disa materiale që kanë të bëjnë me dy efektivët e policisë që dekonspiruan operacionit tek kushërinjtë Mëhillaj dhe Marjon Mitro. Zamir Shtylla në takimin e zhvilluar në prokuroria ka diskutuar edhe rastin e përfshirjes së dy policëve në trafikun e armëve me Kosovën. Shqetësuese për të është edhe implikimi i efektivëve të policisë në trafiqe droge duke njoftuar poseduesit për operacionet. Një çështje që është diskutuar në këtë takim ka qenë edhe publikimi i lajmit nga policia, duke rritur rrezikshmërinë. Prokuroria kërkoi që të evitohej në çdo lloj forme dhënia e detajeve mediatike pas arrestimit të Julian Sinanajt. Por ky mospëlqim nuk gjeti zbatim nga blutë, të cilët e injoruan. Mosprezenca e prokurorëve të çështjes në krah të drejtorit të policisë nënkupton edhe mospëlqimin e dhënë nga organi i akuzës për konferencën për shtyp. Objekt i hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme është edhe vetë rrjedhja e informacionit për mediat. Presioni në rritje i opinionit publik për gjendjen e përkeqësuar të sigurisë shtyu Ministrinë e Brendshme të thërriste mediat në një deklaratë publike. Kamerave iu la koha e mjaftueshme që të filmonin provat materiale dhe publikimi për mediat i kartës së identitetit të Julian Sinanajt përbën vepër penale. Mungesa e prokurorëve të çështjes në krah të policisë dëshmon se grupi hetimor ishte kundër konferencës për shtyp dhe publikimit të të dhënave sekrete për marketing.
Reforma në drejtësi
Ekspertët e Komisionit të Venecias, takim më ministrin Naço
Ndërmarrja e reformave prioritare në fushën e drejtësisë, me fokus bashkëpunimin e harmonizuar të të gjithë aktorëve të sistemit, nën asistencën e ekspertizës së Komisionit të Venecias ka mbledhur dje në një takim ministrin e Drejtësisë, z. Nasip Naço, dhe delegacionin e ekspertëve të këtij Komisioni. Referuar faktit se një pjesë e kësaj reforme kërkon ndryshime të karakterit kushtetues, qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Drejtësisë, e ka ftuar zyrtarisht Komisionin e Venecias për të dhënë sugjerimet e tij në lidhje me objektivat e përcaktuara që priten të orientojnë këtë reformë. Sot, ky delegacioni i përbërë nga ekspertët, z. Peter Patczolay, prof. Sergio Bartole, z. Schnutz Rudolf Durr, ka zhvilluar një takim të parë me ministrin Naço, ndërsa pritet që gjatë ditëve në vazhdim të zhvillojë takime në nivel teknik. Ministri Naço i ka informuar bashkëbiseduesit në lidhje me fokusin e reformës në drejtësi duke u ndalur në nevojën për ndryshimet në Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Konferencën Gjyqësore etj. “Gjykata e Lartë po përballet me një numër çështjesh të mbartura të cilat janë të papërballueshme dhe arsyeja kryesore e kësaj mbingarkesë është që në praktikë palët ankimojnë çdo çështje para Gjykatës së Lartë, sepse kjo gjë lejohet në rregullat procedurale ekzistuese. Mangësitë në organizimin e brendshëm të gjykatës janë gjithashtu përgjegjëse, për shkak të vendeve të lira të gjyqtarëve, përbërjes së trupit gjykues për pranimin e çështjeve, mungesës së ndihmësve ligjorë etj. Nga ana tjetër, ligji duhet të mbështesë shndërrimin e Gjykatës së Lartë në një Gjykatë Karriere, nëpërmjet përcaktimit të kritereve transparente për emërimin e gjyqtarëve me përvojë, duke i dhënë përparësi përvojës në gjyqësor dhe nëpërmjet konkretizimit të kërkesave të parashikuara në Kushtetutë”, – u shpreh Ministri Naço. Për sa i përket reformës në Gjykatën Kushtetuese, ministri Naço vlerësoi si prioritare çështjet që lidhen me emërimin dhe kualifikimin e gjyqtarëve, procedurat e përzgjedhjes së tyre, organizimin e kësaj gjykate, etj. Reforma në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ka paraqitur interes për grupin e ekspertëve të Komisionit të Venecias dhe ministri Naço u shpreh se prioritare në vizionin e Ministrisë së Drejtësisë, janë problematikat qe lidhen me përbërjen, statusin si edhe rolin e anëtarëve të KLD-së; emërimin, transferimin si dhe procesin e vlerësimit të gjyqtarëve; por njëkohësisht edhe harmonizimin e punës së dy inspektorateve përkatës, atij të Ministrisë së Drejtësisë dhe atij të KLD-së. Vëmendje gjatë këtij takimi i është kushtuar edhe reformës në organin e Prokurorisë së Përgjithshme, ku ndër të tjera theksi u vu edhe në rritjen e rolit të Këshillit të Prokurorisë, i cili aktualisht ka vetëm funksionet e një bordi këshillimor. Pasi janë njohur me vizionin e Ministrisë së Drejtësisë dhe propozimet e saj në kuadër të reformimit të sistemit, ekspertët e Komisionit të Venecias u shprehës se do të vijojnë takimet dhe diskutimet në lidhje me planet dhe projektet e parashtruara, dhe më pas do të konkludojnë në një dokument përmbledhës me sugjerimet përkatëse. Sipas grupit të ekspertëve, në çdo rast reformimi i sistemit të drejtësisë do të kërkojë një bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët ndërsa ministri Naço garantoi se në këtë proces është i mirëpritur edhe kontributi i opozitës.
Gjakmarrja
Dokumente false për përfitim azili, pranga kryetarit të Misionarëve të Pajtimit
Realizonin dokumente false për azil në shtete të ndryshme të botës kundrejt pagesave të majme. Për këtë arsye, me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Misionarëve të Pajtimit Mbarëkombëtar, shtetasin N. Prenga, të akuzuar për “Korrupsion pasiv në sektorin privat” dhe “Falsifikim dokumentesh”. Po kështu, masa “Arrest me burg” u dha edhe për shtetasit T. Marena dhe P. Ndoj, të akuzuar po për “Korrupsion aktiv në sektorin privat” dhe “Falsifikimi i dokumenteve. Vendimi i Gjykatës është ekzekutuar sot nga ana e oficerëve të Policisë së Shtetit. Nga hetimi i Prokurorisë rezulton që këta shtetas dyshohet se në këmbim të shumave nga 300 deri në 1000 euro hartonin dokumente të falsifikuara për qytetarë të ndryshëm si të përfshirë në gjakmarrje, të cilët i paraqisnin më pas këto akte pranë autoriteteve të huaja për përfitim të lejeve të qëndrimit, kryesisht në zonën Shengen.





