Në Berat/ Rama: Reforma territoriale është themelore për ristrukturimin e shtetit

Gëzim Saliu

 

Kryeministri: Do të sigurojmë transparencë në sektorin hidrokarbur

 “Bulevardi i ri, vetëm fillimi që paralajmëron pranverën në Berat”

 

 

Rama te hidrokarburetKryeministri Rama e vlerëson si një hap jetik reformën territoriale pasi sipas tij përmes saj do të bëhet e mundur për ristrukturimin e shtetit. “Reforma territoriale është hapi i parë i rëndësishëm, themelor për të ristrukturuar gjithë funksionimin e shtetit. Reforma territoriale do të na japë mundësi të re, perspektivë të re për shëndetësinë, për transportin, për arsimin, për pastrimin, për trajtimin e mbetjeve, për ujësjellësin, për energjinë. Është një reformë historike dhe jetike, për të ngritur shërbimin në një cilësi të re. Ju e shihni vetë që në këto kushte është e vështirë, sepse është i gjithë sistemi që duhet rindërtuar dhe duhet riorganizuar, flas për gjithë sistemin organizativ të shtetit”, – tha Rama dje pas vizitës së palajmëruar në Drejtorinë e Shëndetit Publik të qarkut të Beratit. Sipas kreut të qeverisë, dy nga problematikat aktuale të sistemit shëndetësor janë furnizimi i spitaleve me medikamente dhe vënia në funksionim të aparaturave spitalore. “Furnizimin me ilaçe e kemi prioritet, po e sistemojmë. Plus që kemi edhe një ulje të çmimeve. Ndërkohë që për aparaturat po ndërtojmë një skemë të re të funksionimit dhe të mirëmbajtjes”, – u shpreh ai në një bisedë me stafin e këtij institucioni.

 

Hidrokarburet

Më parë, kreu i qeverisë, i shoqëruar nga ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, vizitoi zonën hidrokarbure Molisht-Shpirag, ku kompanitë “Royall Dutch Shell” dhe “Petromanas Albania” janë duke kryer operacionet e kërkimit për hidrokarbure. Nga drejtuesit e kërkimeve, Kryeministri Rama u informua se aktualisht operacionet hidrokarbure janë përqendruar për përfundimin e shpimit të pusit Molishti-1 dhe se parashikohet edhe shpimi i 3 puseve të tjerë, me investim prej 200 milionë dollarë. Sipas Kryeministri, ky sektor përballet me problematika serioze dhe mungesë transparence, për adresimin e të cilave nevojiten hapa të shpejtë për ristrukturimin e tij. “Ne jemi të vetëdijshëm se duhet të bëjmë hapa shumë të shpejtë për ta ristrukturuar gjithë sektorin, në mënyrë që aktorë të një rëndësie kaq të lartë, sa ç’jeni ju, jo vetëm që të ndjehen mirë brenda kufirit të zonës, por të ndjehen mirë në gjithë raportet me sektorin, sepse e dimë që sektori ka qenë jashtëzakonisht problematik, jashtëzakonisht jo transparent, jashtëzakonisht i kapur nga interesa dhe fije që e kanë dëmtuar shumë perspektivën e tij dhe kanë cenuar të ardhurat e popullit. Ndërkohë, në këtë vijë paralele, ju duke shpuar e duke nxjerrë dhe ne duke garantuar rrugën e transparencës, do të bëjmë të mundur që përfitimi reciprok të jetë absolutisht i plotë, aq më tepër që nafta këtu është i një cilësie spektakolare dhe është një kualitet i ri për Shqipërinë”, – tha Rama. Po ashtu, kreu i mazhorancës qeverisë inspektoi dje punimet në bulevardin “Republika” në qytetin e Beratit, ku tha se ky qytet se do të transformohet rrënjësisht kjo pjesë e qytetit. “Puna për realizimin e këtij projekti është vetëm fillimi që paralajmëron pranverën”.

 

 

ALUIZNI

Procedime penale për legalizimet kundër ligjit. Lame: Në çdo dosje ka 20 shkelje

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, deklaroi dje se të gjitha dosjet me shkelje në procedurën e legalizimeve do t’i kalojnë prokurorisë për hetimet. Në një dalje publike, ai denoncoi se në 6 vite janë legalizuar sipërfaqe ku nuk ka pasur objekt, në parqe kombëtare, në zona të mbrojtura historike, në zona bregdetare e në oborre shkolle. Sipas kreut të ALUIZNI-t, ky institucion po has me një lumë ankesash në të 14 sportelet e drejtorive. “Në sportelet tona ka rreth 1680 kërkesa në javë, kjo një shifër jashtë çdo kapaciteti dhe faji është i administratës së shkuar, që në 8 vite ka prodhuar vetëm probleme”, – tha ai. Në këtë kontekst Lame tha se në viti 2013 shkeljet janë flagrante pasi theksoi ai, në çdo dosje ka mbi 20 shkelje. “Janë dhënë leje abuzive sidomos ato të dhëna në 2013. Këtu ka shkelje pafund dhe rastet më flagrante do ti dërgohen prokurorisë”, – pohoi kreu i ALUIZNI-t. Gjatë denoncimit Lame përmendi legalizimin e 8 objekteve në Parkun e Liqenit në kundërshtim të plotë me ligjin. Në këtë kontekst, ai deklaroi se janë larguar nga puna krerët e ALUIZNI-t në rrethe për shkak të abuzimeve e punonjës të tjerë, të cilët sipas tij opozita do t’i rikthejë në punë, sipas tij. “Kjo është lista me emra që na kërkojnë ti kthejmë në punë. Le të thonë cilin duan të rikthejnë në punë, por janë me mijëra qytetarët që iu dridhet mishi për ato që kanë hequr në vite nga këta punonjës”, – u shpreh Lame. Pas këtij denoncimi mbetet e paqartë se si do të veprohet për të gjitha ato raste që nuk cenojnë interesin kombëtar, por që gjithsesi lejen e kanë marrë në kundërshtim me ligjin.

 

 

Takimi i SEECP

Bushati: Shqipëria, angazhim maksimal gjatë kryesisë në qershor

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, vlerësoi dje gjatë takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, rolin e SEECP si procesi më i rëndësishëm politik për bashkëpunimin në rajon. Ai përshëndeti përpjekjet dhe arritjet, në kuadër të kryesimit rumun të nismës, si dhe ofroi të gjitha garancitë për angazhimin maksimal të Shqipërisë gjatë ushtrimit të kryesisë së radhës, duke filluar nga qershori 2014. Në këtë takim, që u zhvillua në Bukuresht, më 17-18 shkurt 2014, në kuadër të kryesimit rumun të kësaj nisme, Bushati përshëndeti krijimin e grupit të ekspertëve dhe shprehu pritshmërinë e Shqipërisë që në debatet dhe aktivitetin e këtij grupi të mbizotërojë vullneti i mirë dhe konsensusi për implementimin e parimit të gjithë përfshirjes, duke bërë të mundur përfshirjen e Kosovës në SEECP. Në këtë takim u bë një vlerësim lidhur me zhvillimet me të fundit në Evropën Juglindore, me fokus ecurinë e proceseve integruese në rajon, situatën politike, ekonomike e sociale, si dhe kontributin në forcimin e bashkëpunimit rajonal. Gjithashtu, në takim u arrit konkluzioni: “Tashmë janë krijuar të gjitha kushtet që të vazhdohet me hapa konkrete për ta përshtatur këtë nismë me realitetin e ri të rajonit, në funksion të forcimit të bashkëpunimit dhe rritjes së efikasitetit”. Gjithashtu në takim u vlerësua dimensioni gjithëpërfshirës në procesin e bashkëpunimit rajonal, dhe një grup ekspertësh u ngarkua me elaborimin e modaliteteve për përfshirjen e Kosovës në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

 

 

 

 

Share it :