Deputeti i PS-së/ Majko: 20 shkurti meriton të kujtohet, s’pres gjëra të jashtëzakonshme në protestë

Gëzim Saliu

 

Ambasadorët e NATO-s, në maj në Tiranë, merr pjesë edhe Rasmussen

 “As opozita s’pret që ne ta marrim me të mirë dhe as ne nuk presim që opozita të mbajë ison”

 

MajkoDeputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, deklaroi dje se opozita ka të drejtën e saj të kujtojë 20 shkurtin e vitit 1991, por, sipas tij, me rëndësi parësore në politikë nuk është ajo që duket. Për anëtarin e kryesisë së PS-së, në protestën e thirrur nga opozita ditën e enjte nuk do të ndodhë asgjë e jashtëzakonshme e në këtë kontekst ai kërkoi që opozita të ngrihet në një standard të ri. Nuk pres të ndodhin ngjarje të jashtëzakonshme, me kolegët e PD-së shkëmbej dhe batuta humori që do ndodhë kjo apo ajo me 20 shkurt apo ju kanë ngelur kaq apo aq. 20 shkurti meriton të kujtohet, por pas tij vjen 21, 22, që në një pikëpamje janë më të rëndësishme, pasi nuk do të flasim vetëm për opozitën, por për të gjithë shqiptarët. Nga ky kontekst mendoj që ajo që mund të vlerësojmë dhe rivlerësojmë tek vetvetja është bashkëpunimi”, – u shpreh Majko për “Ora News” nga Brukseli, ku po merr pjesë në takimin e Komitetit të Çështjeve të Sigurisë dhe të Mbrojtjes në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Më tej, ligjvënësi socialist theksoi se sistemi aktual aq sa i duhet funksionimi i mirë i mazhorancës, aq i duhet dhe një mirëfunksionim i opozitës. “Nuk besoj që rrëzimi i një busti vite më parë apo përvjetori i rrëzimit të një busti mund të kthehet në një institucion të riformimit të kulturës opozitare në Shqipëri. Mendoj se publiku është mësuar si me ne kur ishim në opozitë, ashtu dhe me PD-në që është sërish në opozitë. Sigurisht që do ketë fërkime të tilla, por nuk besoj që duhet të fillojmë të mendojmë që kjo që po ndodh është fundi i botës dhe nuk ka asgjë përpos 20 shkurtit, do të ishim shumë dritëshkurtër nëse do ta thoshim. Probleme do ketë, por me një optimizëm racional do ketë dhe zgjidhje. Nuk mendoj që opozita po pret që ne ta marrim me të mirë dhe as mazhoranca nuk është duke pritur që opozita ti mbajë ison. Opozita ka të drejtë të flasë jo me zë të lartë, por dhe të ulërasë. Pra, fërkimet jo gjithmonë janë shfaqje të krizës”, – tha ai.

 

NATO

Sipas deputetit socialist, në maj do të mbahet në Tiranë takimi i ambasadorëve të NATO-s, ku do të marrë pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës se Atlantikut të Veriut, Andres Fogh Rasmussen. “Këto janë takime që bëhen rregullisht në Bruksel me grupet parlamentare që janë pjesë e delegacioneve të vendeve përkatëse të vendeve anëtare të NATO-s në atë që quhet Asambleja e NATO-s. Në muajin maj në Shqipëri do të mbahet takimi i tryezës së ambasadorëve dhe do të marrë pjesë dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Do jetë një takim përgatitor mjaft i rëndësishëm për samitin e NATO-s që mbahet këtë vit. Kjo është shprehje e vlerësimit të Shqipërisë si vend i ri anëtar i NATO-s dhe besoj se do ketë reflekset e veta dhe na rajon. Është takim që është i zhveshur nga anët formale, është kornizë konsultative. Në fokus janë çështjet më sensitive, si situata në Siri, Ukrainë, lufta kundër terrorizmit. Janë problematika që diskutohen ngushtësisht, në disa raste dhe në një kuadër më konfidencial”, – tha kreu i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Pandeli Majko. Ndërkohë, lidhur me mundësin e marrjes së statusit kandidat në BE, ish-kryeministri u shpreh optimist, duke vlerësuar se gjithçka është në dorën e Shqipërisë. “Janë shenjat që nëse ne do dimë t’i hedhim hapat në kohën e duhur ashtu siç duhet, gjasat janë që në qershor të kemi një lajm të mirë jo për qeverinë, jo për mazhorancën, por për të gjithë. Këto që po them dikur i kanë thënë dhe kolegët e mi të PD-së kur kanë qenë në qeveri dhe ia vlen ta ripërsëris faktin se ngjarja që presim në qershor nuk është qeveritare, është thellësisht shqiptare”.

 

 

Takimi

OSBE, qeverisë: Duhen shenja më të forta të besimit mes mazhorancës dhe opozitës

OSBE shpreh mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, po kërkon më shumë frymë besimi nga ana e mazhorancës qeverisëse përkundrejt opozitës. Në një takim të zhvilluar dje me ministren e Integrimit Klajda Gjosha, shefi i Prezencës së OSBE-së, Florian Rauning, ka theksuar: “Keni nevojë për shenja më të forta të besimit të ndërsjellë opozitë-mazhorancë”. Nga ana e saj, ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, tha se qeveria po vijon reformat, ndërsa nënvizoi se duhet edhe bashkëpunimi për zbatimin e dy reformave që është ajo territoriale dhe e drejtësisë. “Aktualisht ne po vazhdojmë të punojmë me reformën administrative-territoriale dhe atë në drejtësi, të cilat kanë rëndësi madhore për vendin. Që këto reforma të zbatohen, duhet konsensusi edhe i opozitës të cilën ne e kemi ftuar të jetë pjesë konstruktive në këtë angazhim tonin përpara qytetarëve shqiptarë”, – deklaroi ajo. Sipas ministres, Shqipëria e meriton të jetë pjesë e BE-së. Në këtë kontekst, kreu i OSBE-së pohoi se prezenca e misionit në Shqipëri nuk do të thotë se në këtë vend gjërat nuk po shkojnë mirë. “Ne jemi partnerë të sinqertë të Shqipërisë, për një sërë masash mjaft inkurajuese të ndërmarra nga Mazhoranca që po qeveris vend. Mbështesim Shqipërinë në këtë rrugë”, – pohoi Rauning.

 

Forumi Civil

Meidani e Moisiu: Konsensus i gjithanshëm për reformën. Arvizu: Optimist për bashkëpunimin

Ish-krerët e shtetit, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu, kërkuan dje nga klasa politike shqiptare që të lënë mënjanë konfliktet mes tyre dhe të nisin bashkëpunimin për reformën administrativo-territoriale. Nga tryeza e Forumit Civil 2010 ish-presidentët theksuan se për këtë reformë ka rëndësi parësore konsensusi mes palëve. “Konsensus i gjithanshëm qytetar dhe politik për ta realizuar me sukses këtë reformë dhe natyrisht për të mos ta çuar ato në disa labirinte kushtetuese apo ligjore”, – deklaroi ish-presidenti Meidani. Ndërkohë, Moisiu theksoi: “Duhen përjashtuar kryqëzimet politike. Fjalën kryesore duhet ta kenë specialistët dhe njohësit e vërtetë të problemit. Mendojmë se detyra e kësaj tryeze nuk është zgjidhja e problemeve dhe kontradiktave, por t’i bëjmë thirrje atyre që e kanë për detyrë, të ulen dhe të bëjnë atë që u takon”. Ndërkohë, pjesëmarrës në këtë takim, ambasadori amerikan Alexander Arvizu u shpreh optimist në bashkëpunimin e forcave politike në komisionin parlamentar. “SHBA beson se Komisioni parlamentar për Reformën Territoriale do të vazhdojë të funksionojë kjo edhe pse ekziston edhe një konsensus i përgjithshëm për këtë çështje është një nevojë praktike që të kemi konsensus dhe produkti i punës në këtë Komision do të ketë ndikim në zgjedhjet për pushtetin vendor në vitin 2015”, – tha kryediplomati i SHBA-së në vend.

 

 

Share it :