Atentati/ Eksploziv makinës së oficerit të Policisë Gjyqësore

0
149

Anxhela Tato

 

Hetimet, Rezart Alija, OPGJ i Prokurorisë së Përgjithshme, është larguar para 1 muaji në Kanada

 Merret në pyetje e dashura, patenta e saj u gjet në makinën që iu la në përdorim nga Alija

 

makine_e_djegur-1Zbulohet identiteti i shënjestrës së atentatit të ndodhur mbrëmjen e së hënës në kryeqytet, ku një makinë ka shpërthyer në zonën e parkut të Liqenit. Rezart Alija, oficeri i Policisë Gjyqësore, është pronari i automjetit me targa italiane, së cilës i ishte vendosur 200 gram C4 në pjesën e prapakolpit. Makina ka qenë në përdorim të të dashurës së tij, e cila punon në një firmë italiane. Targa e huaj ka ngatërruar fillimisht policinë, të cilët kanë dyshuar se bëhej fjalë për një biznesmen italian. Por në makinë është gjetur patenta e 31-vjeçares Mercedez Jazenxhi, e cila është marrë në pyetje paraditen e djeshme. Para oficerëve të policisë dhe prokurorit të çështjes 31-vjeçarja ka mohuar që të ketë probleme ose konflikte me ndonjë person. Në lidhje me bashkëjetuesin e saj, Jazenxhi ka rrëfyer se ai është larguar jashtë shtetit dhe nuk di të ketë pasur kërcënime apo shqetësim nga ndonjë person. Për 31-vjeçaren motivi i ngjarjes është ende mister, në rrethanat kur nuk kanë probleme. Mercedez Jazenxhi ka treguar se makina i ishte lënë asaj në përdorim dhe prej një muaji qëndronte e parkuar në zonën ku ndodhi shpërthimi. “Unë punoj për një firmë italiane dhe nuk e di arsyen pse na i kanë vënë eksploziv makinës. As unë dhe as Rezarti nuk kemi probleme ose konflikte me askënd. Rezarti punon në Prokurorinë e Përgjithshme, është oficer i Policisë Gjyqësore, por ka një muaj që ka ikur jashtë shtetit. Meqë makina nuk i duhej, ma la mua në përdorim. Automjeti ka një muaj i parkuar në atë zonë dhe nuk e kuptoj këtë që ka ndodhur. Nuk di çfarë të them dhe nuk kam dyshime, pasi ne nuk kemi probleme”, – pjesë e dëshmisë së 31-vjeçares.

 

Hetimet

 Për policinë kjo ngjarje mund të jetë e lidhur me detyrën e oficerit të Policisë Gjyqësore, por ky mbetet vetëm një aludim, i cili duhet vërtetuar dhe faktuar me prova. Në pjesët e lëndës plasëse nuk janë gjetur gjurme gishtash, çka është tipike për atentate të tilla, por sipas policisë, ko ngjarje ka qenë vetëm me qëllim paralajmërimin e oficerit, duke qenë se makina kishte një muaj e parkuar dhe askush nuk ndodhej në brendësi të saj. Ndërkohë, nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda është kërkuar sekuestrimi i të gjitha dokumenteve të çështjeve, me të cilat ka qenë duke u marrë kohët e fundit Rezart Alija. Nga këto dokumente pritet që të zbulohet nëse oficeri ka qenë duke u marrë me ndonjë çështje problematike, çka mund të sillte rrezikshmëri të lartë për të, por nuk mohohet as pista që kjo ngjarje të jetë bërë, me qëllim përfitimin e azilit nga oficeri Alija, i cili prej një muaji e gjysmë ndodhet në Kanada. Sipas të dhënave të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila ka ndërmarrë hetimet, Rezart Alija ka kërkuar leje për t’u larguar jashtë shtetit dhe prej një muaji ndodhet në Kanada, por në institucionin ku ai punon, në Prokurorinë e Përgjithshme, nuk ka dhënë sqarime për arsyen e lejes. Nga ana e Prokurorisë do të mundësohet kontaktimi me Rezart Alinë, i cili duhet të kthehet dhe të merret në pyetje në lidhje me ngjarjen.

 

Ngjarja

 Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:15 të mbrëmjes së të hënës, kur banorët të terrorizuar kanë njoftuar policinë pas një shpërthimi në afërsi të Parkut Zoologjik. Menjëherë patrulla policie të komisariatit numër 2 kanë mbërritur në vendngjarje, duke nisur hetimet për identifikimin e pronarit të automjetit. Nga të dhënat e para u bë me dije se automjeti i përket një biznesmeni italian, por pas verifikimeve është sqaruar se automjeti i përket një oficeri të Policisë Gjyqësore. Makina ka targën italiane GR 310749 dhe është e markës “Opel Astra”, ngjyrë jeshile. Mësohet se automjeti ka rreth një muaj që gjendet e parkuar në këtë zonë. Nga të dhënat paraprake të grupit hetimor bëhet me dije se lënda eksplozive, rreth 200 gramë C4, ishte vendosur në pjesën e shasisë së makinës. Sipas policisë, kjo ngjarje është një shenjë paralajmërimi për pronarin e saj, duke qenë se automjeti ka rreth një muaj i parkuar në këtë zonë.

 

 

Agjencia Kombëtare e Krimit

Shumica e fëmijëve të trafikuar në Britani janë shqiptarë

 Fëmijët shqiptarë, pjesë e tregut të seksit në Angli. Ky është konstatimi i Agjencisë Kombëtare të Krimit (National Crime Agency), e cila ka publikuar një raport për vitin 2013, ku konstatohet se më shumë se 140 fëmijë janë identifikuar nga ajo si të trafikuar për abuzim seksual drejt Britanisë. Sipas të dhënave të kësaj Agjencie, shumica e këtyre fëmijëve të trafikuar vijnë nga Shqipëria, për t’u ndjekur më pas nga Nigeria, Vietnami e Rumania, shkruan gazeta “Independent” në Britaninë e Madhe në numrin e djeshëm. “Shqipëria ishte vendi më i zakonshëm i origjinës së viktimave, pasuar nga Nigeria, Vietnami dhe Rumania”, – shkruan gazeta britanike. 1746 viktima potenciale të trafikimit njerëzor nga 112 shtete janë raportuar gjatë 2013-ës nga NCA, ndërkohë që numri i atyre që kanë shpëtuar nga të mbajturit si skllevër është rritur afërsisht përgjysmë. Viktimat përfshijnë 88 të rinj, të sjellë në Britani përmes detit, sidomos nga Shqipëria dhe Vietnami, si 56 të tjerë të lindur në Mbretërinë e Bashkuar. Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) tha se 1 746 viktimat sociale të trafikimit njerëzor nga 112 shtete, shënojnë një rritje me 47 për qind të këtij numri ndaj 2012-ës. 64 për qind prej tyre ishin femra dhe 36 për qind ishin meshkuj, ndërsa 26 për qind ishin nën moshën 18 vjeç. Rritja e numrit të personave të trafikuar sipas Ministrisë së Brendshme tregon për një rritje të skllavërisë në kohët moderne. Theresa May, sekretare e Ministrisë së Brendshme, ka thënë se duhet legjislacion i fortë në mënyrë që të luftojnë në kohë për zgjedhjet e ardhshme në maj 2015. NCA bëri të ditur se gjysma e grave të rrëmbyera në shtet punonin si prostituta dhe një numër më i vogël si shërbyese në shtëpi apo punë të tjera shërbimi. Afërsisht dy të tretat e burrave bënin punë të papaguara, ndërkohë që 18 burra të rritur dhe 90 djem ishin sjellë të punonin në industrinë e seksit. Liam Vernon, kreu i Qendrës për Trafikim Njerëzor në Mbretërinë e Bashkuar, NCA, tha: “Ky është krim që prek disa nga njerëzit më të pafuqishëm të shoqërisë dhe disa nga viktimat do të mbeten të pazbuluara”. Ai shtoi se NCA është angazhuar që të ndërpresë tregtinë kriminale me njerëzit. Karen Bradley, ministri i Ministrisë së Brendshme, tha: “Këto shfaqje tregojnë në mënyrë jo të zakonshme shkallën e plotë të skllavërisë moderne, aspak njerëzore, për ata që vuajnë mbrapa çdo statistike. Për këtë arsye ne po ndërmarrim aksion në një numër frontesh, duke përfshirë rritjen e ndërgjegjshmërisë publike”.

 

 

Elbasan

Tentoi të fuste celular në paraburgim, arrestohet polici

 Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm pranë Ministrisë së Drejtësisë, në kuadër të punës intensive për parandalimin e shkeljes së Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve dhe garantimin e sigurisë, kreu dje një kontroll në institucionin e paraburgimit Elbasan, ku u konstatua një rast shkeljeje e rregullave të detyrës. Punonjësi Ali Alla, me detyrën polic i rolit bazë, po tentonte të fuste në këtë institucion sende të ndaluara. Ai u kap duke futur celularë dhe është bërë arrestimi në flagrancë nga SHKB e burgjeve. Aktualisht, çështja i ka kaluar për hetim Prokurorisë së Rrethit Elbasan.

 

 

Arrestimi

Pengmarrja për 100 mijë euro, pranga 2 autorëve

Dy persona janë vënë në pranga dhe një i tretë është në kërkim për një pengmarrje prej 100 mijë eurosh të ndodhur në 31 dhjetor 2013. Policia e Tiranës ka bërë të ditur se, janë arrestuar Rubin Hoxha, 32 vjeç, Albert Zerani, 54 vjeç si dhe u shpall në kërkim Ilir Hyseagolli, 26 vjeç, të tre banues në Tiranë. Këta persona akuzohen se, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin në datën 31 dhjetor 2013 kanë marrë peng dhe i kanë kërkuar 100 mijë euro Fabjan Sh., i cili më pas është lënë i lirë. Çështja është hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila kishte dërguar në gjykatë kërkesën për arrestimin e tre personave. Sipas policisë të ndaluarit janë nën masën e sigurisë “arrest me burg”. Ndaj tyre është ngritur akuza e “rrëmbimi ose mbajtja peng e personit në rrethana lehtësuese”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency