Driçim Çaka
Çfarë do të përmbajë dosja e çdo kandidati
Pikët bonus që marrin mësuesit e profileve të ndryshme
Në muajin maj do të zhvillohet testi për kualifikimin e mësuesve. Testet e provimit do të përbëhen nga dy pjesë. Pjesa e parë do të përmbajë dokumente zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet përkatëse lëndore, metodologjinë e mësimdhënies dhe të nxënies, si dhe çështje për etikën dhe komunikimin e mësuesve. Pjesa e dytë përfshin përmbajtjen shkencore të lëndës. Provimet me shkrim të mësuesve në sistemin parauniversitar do të zhvillohen në datën 3 maj, nga ora 10-12:30, në Tiranë. Mësuesit duhet që deri në datën 28 shkurt të plotësojnë formularin e aplikimit dhe të dorëzojnë portofolat e tyre, sipas profileve përkatëse.
Kriteret
Kandidatët për kualifikim janë punonjësit e institucioneve arsimore publike dhe private: që kanë diplomë mësuesie; nuk kanë diplomë mësuesie, por me arsim të lartë dhe japin lëndët profesionale në shkollat e arsimit të mesëm të lartë si dhe kanë kontratë individuale pune; pa diplomë mësuesie, por kanë kryer shkollën e mesme artistike. Procedurat e kualifikimit u nënshtrohen kandidatët të cilët deri në 31 dhjetor plotësojnë kushtet e mëposhtme për vjetërsinë e punës: Të paktën 10 vjet për kategorinë e kualifikimit “mësues i kualifikuar”; të paktën 5 vjet për kategorinë e kualifikimi “mësues specialist” dhe të paktën 5 vjet pas marrjes së kualifikimit “mësues i kualifikuar”; të paktën 20 vjet për kategorinë e kualifikimi “mësues mjeshtër” dhe të paktën 10 vjet pas marrjes së kategorisë “mësues specialist”. Duke filluar nga viti 2014, do të kenë të drejtë të aplikojnë për të fituar kategoritë e kualifikimit mësuesit të cilët kanë kryer të paktën 3 ditë trajnimi në vit ku një ditë duhet të jetë 8 orë zhvillim profesional dhe 2 orë janë seanca trajnimi. Nëse një kandidat nuk merr pjesë në kualifikim, ka të drejtë të marrë pjesë në testimet që do të bëhen në vitin pasardhës.
Pikët për kandidatët
-1-3 pikë për secilin përbërës të portofolit profesional (kandidati që nuk fito të paktën 5 pikë për portofolin nuk kualifikohet).
-Kandidati fiton 5 pikë bonus kur: Ka diplomë (SHPU, MND, Master mbi 60 kredite Ects, Dokoraturë), e fituar në fushën e mësuesisë, për kandidatët që janë të diplomuar para janarit të vitit 2011. Nëse diploma është fituar pas kësaj date duhet të jetë e njohur me provim shteti.
-Kandidati fiton 5 pikë kur ka të mbrojtur gjuhën e huaj pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës.
Kandidati fiton 5 pikë nëse mësuesi ka grumbulluar të paktën 7 kredite për çdo vit kualifikimi nga lista e programeve të akredituara.
Portofoli i kandidatit
Portofoli personal përmban këto dokumente:
-CV (me fotografi)
-Fotokopje e noterizuar e certifikatës me kredite
-Fotokopje e titujve, dëshmive apo gradave shkencore (nëse ka)
-Fotokopje e dëshmive të mbrojtjes së gjuhës së huaj (nëse ka)
Portofoli profesional përmban këto element:
-Një plan të plotë aktiviteti me nxënës të një klase të caktuar, në kuadër të shkollës si qendër komunitare
-Një test kapitulli të një lënde të caktuar
-Objektivat e arritjes së nxënësve për një kapitull
-Një planifikim të një mësimi model (ditar)
-Një plan të një projekti kurrikular së bashku me përshkrimin e realizimit të tij





