Ndërtesat si bankat, hotelet, zyrat, motelet, magazinat, pikat e karburantit, depot që përdoren për tregti dhe çdo ambient që kryen veprimtari tregtare do të paguajë 400 lekë për m2
Në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak në 26 shkurt, pritet të miratohet dhe projektvendimi “Për disa shtesa dhe ndryshime” në vendimin “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”, i ndryshuar. Ky projektvendim pritet të ndryshojë taksën për banesat në kryeqytet për individët për bizneset, si dhe për spitalet apo farmacistë. Ndarja e taksës për banesat do të bëhet duke marrë për bazë vitin 1993. Ata qytetarë që kanë në pronësi një ndërtesë e cila është ndërtuar pas viti 1993 do të paguajnë 30 lekë për m2, ndërsa ata individë që kanë në pronësi një ndërtesë e cila është ndërtuar para viti 1993 do të paguajnë 15 lekë/m2. Ndërtesat si bankat, hotelet, zyrat, motelet, magazinat, pikat e karburantit, depot që përdoren për tregti dhe çdo ambient që kryen veprimtari tregtare do të paguajë 400 lekë për m2. Kjo taksë një vit më parë ka qenë 200 lekë/m2, por është dyfishuar pas vendimit të qeverisë për rritjen e taksës së banesave. 400 lekë/m2 do të paguhet edhe taksa e ndërtesave që përdoren për shërbime. Në këtë kategori futen farmacitë, spitalet, qendrat shëndetësore, maternitetet si dhe njësitë e shërbimit artizanal si këpucar, orëndreqës etj. Organizatave jofitimprurëse, zyrat përfaqësive ndërkombëtare si dhe ambasadat do të paguajnë 100 lekë për m2. Ata individë, të cilët kanë në pronësi një shtëpi të dytë, do të paguajnë 60 lekë/m2.
Vendimet
Vendimi më i rëndësishëm, kur priten diskutime të ashpra mes këshilltarëve në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak të Tiranës, është ai për projektbuxhetin afatmesëm. Në mbledhjen që u zhvillua në 27 dhjetor të vitit të kaluar, këshilltarët e majtë ranë dakord që të shtynin votimin e buxhetit të Bashkisë, ndërkohë që ky është buxheti më i madh që mund të ketë pasur Tirana. Buxheti total i Bashkisë së Tiranës për vitin 2014 parashikohet të jetë 8.645.847.000 lekë dhe ka një rritje prej 5% në krahasim me buxhetin e vitit të kaluar. Për vitin 2014, të ardhurat nga taksat e tarifat vendore janë parashikuar në shumën 7.511.533.000 lekë ose 5% më shumë se parashikimi i vitit 2013. Për vitin 2015, të ardhurat do të jenë 4% më shumë se viti i mëparshëm dhe për vitin 2016 do të jenë 3% më shumë se parashikimi i vitit 2015. Transferta e pakushtëzuar është parashikuar në shumën 1.134.314.000 lekë ose 3% më e lartë se viti paraardhës, e parashikuar të rritet me 3% në vit, për periudhën 2014-2016, referuar udhëzimeve të Ministrisë së Financave. Shpenzimet e përgjithshme të Bashkisë së Tiranës për periudhën trevjeçare 2014-2016, për të gjitha funksionet parashikohen respektivisht në masën 8,645,847,000 lekë, 8,996,718,000 lekë dhe 9,238,394,000 lekë, me një rritje në përputhje me rritjen e nivelit të të ardhurave të parashikuara prej përkatësisht 5%, 4% dhe 3%. Një tjetër vendim është dhe ai për “Disa ndryshime në vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 2, datë 30.3.2009 për “Miratimin e rregullores, për organizimin dhe funksionimin e shërbimit taksi në qytetin e Tiranës”.
Miratohet buxheti për vitin 2014 i Bashkisë Kamëz
Këshilli Bashkiak i Kamzës miratoi me shumicë votash buxhetin e vitit 2014. Në buxhetin e këtij viti parashikohet një pjesë e konsiderueshme për investimet publike, edhe pse situata në të cilën ndodhet pushteti vendor në përgjithësi, me ardhjen e qeverisë së majtë në pushtet, nuk është e mirë, për disa shkaqe, ndër të cilat janë heqja e taksës për biznesin e vogël, bllokimi i legalizimeve, bllokimi i lejeve të ndërtimit, dhëniet me qira etj. Kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, tha se ashtu si vitet e mëparshme, përparësi do të jenë investimet. Buxheti i vitit 2014 bazohet në të ardhurat e vetë Bashkisë, që përbëjnë pjesën më të madhe të buxhetit, në përdorimin e fondeve publike në mënyrë sa më ekonomike, si dhe në të ardhurat nga transferta e pakushtëzuar. Mziu theksoi në fjalën e tij se ndryshe nga viti i kaluar, buxheti miratohet më vonë. “Dua t’ju shpjegoj se në ndryshim nga vitet e tjera ky buxhet nuk miratohet në kohën e duhur, pra në muajin dhjetor, për shumë arsye: së pari, për shkak të ndryshimit të ligjit ku mbështetet paketa fiskale dhe në këtë drejtim ishim të detyruar për ta shtyrë miratimin e buxhetit dhe kjo është periudha në të cilën ishte më e shpejta e mundshme për ta bërë miratimin e këtij buxheti”, – është shprehur ai, duke theksuar më tej se granti i qeverisë është 2% më i ulët se vitin e kaluar ose rreth 3 milionë lekë më pak. “Transferta e pakushtëzuar, granti që jepet nga qeveria, është 232 milionë lekë. E veçanta e këtij granti krahasuar me vitin e kaluar është rreth 2% më pak se një vit më parë ose rreth 3 milionë lekë të reja më pak sesa vitin e kaluar. Jo vetëm është ulur, por kjo bie ndesh edhe me vendimin e Këshillit të Ministrave, ku është përcaktuar saktë që grantet që akordohen ndaj njësive vendore do të jenë jo më pak sesa 1% dhe deri në 30%, pra do të thotë që e vetmja është Bashkia e Kamzës që ka përfituar një grant më të ulët se vitin e kaluar”, – ka përmendur në fjalën e tij kryebashkiaku Mziu. Ai deklaroi gjithashtu se taksa e biznesit të vogël ka kaluar tek pushteti qendror dhe në buxhetin e qeverisë, të miratuar për vitin 2014, është parashikuar taksativisht që 40% e taksës së biznesit të vogël do të kalojë e inkluduar në grantin e fillimit të vitit dhe 60% do të transferohet sipas pagesës që do të bëjë biznesi i vogël. Kryetari i Bashkisë ka bërë me dije se vlera e buxhetit për vitin 2014 është 685,6 milionë lekë. Nga këto parashikohet që 421 milionë lekë të jenë të ardhurat nga vetë Bashkia. Ndërkaq, 232 milionë lekë janë të ardhurat nga granti i qeverisë, 2% më pak se viti i kaluar.





