Legalizimet/ Qeveria tërhiqet nga premtimi: Brenda 4 viteve realizojmë pjesën më të madhe

Ligji i ri i turizmit, Gjermeni: Tërheqim investitorët e krijojmë punësim

 “Blerje të banesave që janë në stok të pashitura, për t’ua dhënë shtresave në nevojë”

 

 

gjermeni1Qeveria duket se do ta ketë të pamundur të mbajë premtimin e dhënë më parë për përfundimin e procesit të legalizimeve falas brenda mandatit qeverisës. Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, deklaroi dje se në mbyllje të mandatit 4-vjeçar qeverisës do të bëhet e mundur mbyllja e pjesës më të madhe të procesit. “Brenda 4 viteve do të mbarojë pjesa më e madhe e legalizimeve, kemi përfunduar strukturimin e Agjencisë së Legalizimeve, punonjësit do të shkojnë tek banorët, duke dashur të korrigjojmë gabimet e mëparshme”, – tha ajo në intervistën për “Zërin e Amerikës”. Ndërkohë më parë, Kryeministri Rama pati deklaruar se premtimi për legalizimin do të përmbushet brenda 4 viteve, duke nënvizuar njëkohësisht se në paketën e re do të ketë alternativa të ndryshme. “Konfirmoj që brenda katër viteve do t’i japim fund kësaj drame të madhe dhe kësaj loje të madhe. 300 mijë familje janë në një situatë ilegale, 160 mijë prej atyre që kanë aplikuar për legalizim, nuk kanë parë akoma që t’u trokasë shteti në derë. Ne do të ndryshojmë komplet politikën me legalizimet. Do të çojmë shtetin në zonat informale dhe brenda këtij muaji do të shpallim qartësisht platformën e legalizimeve falas. Platforma ka alternativa, njerëzit do të mund të zgjedhin mes alternativave”, – pati deklaruar Rama pak kohë më parë, në një dalje televizive. Ndërkohë, ministrja bëri të ditur në intervistën e djeshme se ndryshimet që do t’i paraqiten shumë shpejt në paketën ligjore për legalizimet do të garantojnë një proces falas, “që qytetarët ta bëjnë procesin e legalizimeve në një shtet të konsoliduar, ku të minimizohet korrupsioni dhe ku atyre t’u respektohen të drejtat dhe nevojat që kanë”.

 

Turizmi

Sipas ministres Gjermeni, rishikimi i ligjit ekzistues të turizmit dhe paralelisht me të, puna për një strategji afatmesme për periudhën 2014-2020, synon ta kthejë Shqipërinë në një vend destinacioni turistik. “Duke shfrytëzuar maksimalisht potencialet natyrore, bukuritë e peizazhit që Shqipëria ka, trashëgiminë kulturore dhe historike, mikpritjen, vlerat historike dhe kulturore dhe duke respektuar zhvillimin e mjedisit, duke pasur një turizëm të qëndrueshëm në Shqipëri që vërtet të përfaqësojë denjësisht çfarë përfaqëson Shqipëria”, – tha ajo. Më tej, ministrja shpjegoi se ligji i turizmit kërkon të vendosë standarde, klasifikimin dhe licencimin e operatorëve turistikë, hotelerisë duke dashur që konkurrenca në këtë sektor, pra sektori privat të zhvillohet në mënyrë konkurrente të ndershme dhe duke ofruar politika që të ndihmojë sektorin privat në këtë fushë. “Paralelisht me rishikimin e ligjit, edhe me përgatitjen e strategjisë, po punohet konkretisht, për sezonin turistik veror të këtij viti, po punohet paralelisht edhe për një imazh të ri të Shqipërisë turistike, duke dashur që vërtet në botë të njihet Shqipëria, duke përmirësuar imazhin përmes një strategjie të qartë”. Duke folur për planin e prishjes së ndërtimeve pa leje sidomos në jug të vendit, Gjermeni tha se puna e qeverisë ka filluar herët, me disa vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit, për të vendosur kontrolle mbi zhvillimin e territorit. Ndërkohë, lidhur me problemin e strehimit, ministrja kritikoi qeverinë e mëparshme e cila sipas saj nxori jashtë ish-pronarët, çështje, sipas saj, e cila u zbut me udhëzimin e ministrisë për shmangien e nxjerrjes me forcë. “Ndërkohë, po nxisim bashkitë dhe po punojmë me to konkretisht për të shpërndarë banesat sociale që janë të ndërtuara, duke ua dhënë kategorive në nevojë. Një rrugë tjetër është mundësia e blerjes së banesave që janë në stok të pashitura, për t’ua dhënë shtresave në nevojë”, – deklaroi ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni.

 

 

6-vjetori i pavarësisë

Krerët e shtetit dhe përfaqësuesit e lartë politikë urojnë Kosovën

Kremtimi i 6-vjetorit të pavarësisë së Kosovës është uruar dje edhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar si edhe përfaqësuesit kryesorë të jetës politike në vend. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i ka dërguar një mesazh urimi Presidentes Atifete Jahjaga, duke e uruar për këtë arritje të Kosovës dhe gjithë popullit shqiptar. “Kam nderin dhe kënaqësinë e madhe që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju uroj përzemërsisht Ditën e Pavarësisë, Juve dhe gjithë popullit të Kosovës! Republika e Shqipërisë u gëzohet arritjeve të mëdha shtetkonsoliduese, angazhimeve rajonale dhe evropiane që Kosova ka përmbushur përgjatë këtyre gjashtë viteve modeste, si edhe garanton mbështetjen e vazhdueshme në vazhdimësinë e mëtejshme të përballjes së këtyre sfidave”, – thuhet ndër të tjera në mesazhin e kreut të shtetit. Ndërkohë, Kryeministri Rama ka preferuar të ndajë me të gjithë miqtë e tij të rrjeteve sociale gëzimin për 6-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. “Gëzuar ditën e bekuar të pavarësisë së Kosovës”, – shkruante Rama. Nga ana e tij, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mesazhet përshëndetëse për festën e Kosovës i ka dhënë nga mbledhja e grupit të Partisë Demokratike. Gjatë urimit të tij, Basha tha se njohja e Kosovës si shtet është rritur nga viti në vit. “PD do të japë të gjithë mbështetjen e saj për forcimin e këtij shteti të dhe në njohjet e saj”, – deklaroi ndër të tjera në fjalën e tij kreu i PD-së. Urimet në “Facebook” nuk kanë munguar as nga ish-kryeministri Sali Berisha. Në mesazhin e tij, Berisha nderoi ish-presidentin Rugova, heroin Adem Jashari si dhe të gjitha shtetet që u bënë pjesë e aleancës për çlirimin e Kosovës. “Gëzuar Kosovë përvjetorin e 6-të të pavarësisë, veprës më të ndritur të bijve dhe bijave tuaja dhe të kombit shqiptar! Zoti e bekoftë Kosovën dhe kombin shqiptar! Gëzuar!”, – uroi Berisha.

 

 

Pritja për “Kosovën”

 Pas debatit të kangjellave, Rama  shfaqet me Nishanin

Me rastin e gjashtë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Ambasada e Kosovës në Tiranë ka zhvilluar një pritje pasditen e djeshme në hotel “Sheraton”. Në këtë ceremoni pritjeje ishin të pranishëm, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, Kreyparlamentari Ilir Meta, Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë Alexander Arvizu, Ambasadori i BE-së Ettore Sequi, përfaqësues të shoqërisë civile, trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, deputetë, përfaqësues të mediave, konsuj të nderit dhe shumë personalitete të tjerë. Në fotot e publikuara nga kryeministri në “facebook”, vihet re që në tryezën e rrumbullakët janë edhe Presidenti Nishani me bashkëshorten si edhe kryeparlamentari Meta. Dy ditë më parë punimet në rrethimin e selisë së Presidencës kanë përplasur dje anëtarët e Forumit për Trashëgiminë Kulturore, Artan Shkreli e Artan Lame me kreun e shtetit Bujar Nishani. Pas nisjes së punimeve, të dy përfaqësuesit e qeverisë bënë thirrje për ndalimin e tyre pasi, theksuan ata, kangjellat që po hiqen janë pjesë e identitetit të godinës prej 6 dekadash. Në reagimin e saj, Presidenca, i cilësoi si të pavenda, spekulative dhe të paprincipta vërejtjet e anëtarëve të Forumit për Trashëgiminë Kulturore. “Presidenti i Republikës, i habitur dhe i lënduar skajshëm me nostalgjizmin sovjetik të kritizerëve, siguron se gjatë këtyre punimeve restauruese, në asnjë rast, në asnjë fragment dhe për asnjë çast, nuk është fjala për asnjë tjetërsim estetik dhe asnjë prekje trashëgimie”, thuhej në reagim.

Share it :