Ervin Kaduku
Mund të zëvendësohen në çdo sportel të bankave të nivelit të dytë apo në Bankën e Shqipërisë me vlerën e tyre reale
Kujt i kanë mbetur ende kartmonedha, që nuk mund të përdoren më, nuk duhet t’i konsiderojë si lek të humbur, pasi ka afat edhe për 10 vjet që t’i ndërrojë ato me kartmonedha të reja. Të gjitha bankat, degët e bankave të huaja dhe zyrat e këmbimit valutor do të pranojnë për këmbim deri në datën 31 dhjetor të vitit 2023 kartëmonedhat që tashmë e kanë humbur kursin e tyre ligjor dhe do t’i dërgojnë ato menjëherë pranë Bankës së Shqipërisë dhe degëve të saj. Zotëruesit e kartmonedhave të ndryshme, që nuk vlejnë më për të kryer asnjë transaksion apo blerje, ende mund t’i zëvendësojnë ato në banka me kartmonedha të vlefshme, në të njejtën vlerë, edhe për gati 10 vjet të tjera.
Aktualisht, është në fuqi një Vendim i Bankës së Shqipërisë lidhur me një gjë të tillë, që përcakton se kartëmonedhat pa kurs ligjor do të mblidhen për këmbim, kundrejt pagesës së vlerës fillestare të emetimit, me kartëmonedha dhe monedha të tjera në qarkullim.
Do të mund të zëvendësohen në këtë mënyrë kartmonedhat: 100 lekë, emetim i viteve 1993, 1994, 1996, imazhi i Luftëtarit Kombëtar; 100 lekë, emetim i vitit 1996, imazhi i Fan S. Nolit; 200 lekë, emetim i viteve 1992, 1994, 1996, imazhi i Ismail Qemalit; 500 lekë, emetim i vitit 1991, 1992, 1993, 1996, 1997, imazhi lule dielli; 500 lekë, emetim i vitit 1992, 1994, 1996, imazhi i Naim Frashërit dhe 1000 lekë, emetim i vitit 1992, 1994, 1995, 1996, imazhi i Skënderbeut.
Si do të ndryshojnë të ardhurat nga akciza dhe tatimi mbi pagën
Me rritjen e ndjeshme të akcizave, në linjë me vendet e tjera europiane, edhe të hyrat nga ky zë në buxhet pritet që të shtohen ndjeshëm. Sipas parashikimeve të Financave në programin afatmesëm 2014-2017, nga 2.8% e PBB-së që vlerësohet të kenë arritur në 2013-n (me tkurrje me bazë vjetore, si reflektimin e rënies së qarkullimit të mallrave në ekonomi), ky zë pritet të kërcejë në 3.4% të PBB-së në 2014-n, për të arritur në gati 4% në 2017-n, niveli më i lartë i pritshëm historik.
Në paketën e fundit fiskale, u rritën akcizat për një sërë produktesh, si nafta, kafeja, birra, ndërkohë që për herë të parë u vendos dhe akciza për pijet energjike.
Për naftën dhe benzinën akciza u shtua me 10 lekë për litër në 17 lekë për litër. Për cigaret, nga 1 janari 2014 akciza u bë 4500 lekë/ 1000 copë cigare, ose 90 lekë për paketë (nga 70 lek ëpër paketë që ishte më parë). Akciza do të shtohet me 10 lekë për paketë edhe në tre vitet pasuese, 2015-2016-2017.
Tatimi mbi pagën, pa shumë ndryshime
Taksat që bizneset dhe individët pritet të paguajnë mbi të ardhurat e tyre personale pritet që të mbeten pa shumë ndryshime, pak a shumë në nivelin e 2-2.2% të PBB-së. Paketa e re fiskale, në fillim të 2014-s ktheu sërish taksën progresive, fillimisht për të ardhurat nga paga, ndërsa pritet që në vitet në vijim, ai të shtrihet dhe mbi lloje të tjera fitimesh.
Të ardhurat në buxhet nga ky zë u rritën ndjeshëm, nga 1% e PBB-së në 2006-n, në 2.2% të PBB-së në 2008-n, pas vendosjes së taksës së sheshtë prej 10%, e cila solli automatikisht shtim të tatimit për të gjithë ata që kishin paga të ulëta.





