Ekspertiza psikologjike/ “Andon Mëhillaj nën stres, nuk ka shqetësime mendore”

Anxhela Tato

 

 

Biseda 30 minutëshe me psikologen, i dyshuar si sekser është i trembur dhe i frikësuar se çfarë do ndodh

Sipas psikologes Mëhillaj shfaq shenja të ngarkesës psikologjikë si rrjedhojë e stresit

 

 

andon mehillaj“Gjendja mendore e Andon Mëhillajt është stabël, ai shfaq vetëm shenja të një ngarkese psikologjike si rrjedhojë e stresit që po përjeton”, – pjesë e ekspertizës së parë psikologjike të të dyshuarit si sekser i bandës së vrasësve me pagesë. Prej mëngjesit së 14 shkurtit Andon Mëhillaj ndodhet në qelitë e paraburgimit nën masën e sigurisë së arrestit me burg. Nga ana e mbrojtësit së tij është pretenduar se Mëhillaj është i tronditur dhe është në fazat e para të problemeve me shëndetin mendor, duke pasur nevojë për një kurim më specifik. Por sipas psikologes, që ka arritur të bisedojë për 30 minuta me Mëhillajn, gjendje e tij shëndetësore nuk është aq e agravuar dhe e rëndë saç e ka parashtruar avokati mbrojtjes. Psikologia është dërguar në qelinë ku ndodhet Mëhillaj dhe ka zhvilluar me të një bisedë të përgjithshme, duke u fokusuar me tepër tek jeta e 38-vjeçarit dhe familja. Ajo ka konstatuar se Mëhillaj është i stresuar nga kjo situatë në të cilën është përfshirë, duke shfaqur gjithmonë shqetësim dhe alarm për jetën e familjarëve të tij. Mësohet se edhe psikologes Mëhillaj i ka shprehur pafajësinë dhe bindjen se do të vërtetojë të kundërtën e akuzave, në të cilat e ka përfshirë Julian Sinanaj. Sipas konstatimit të psikologes, Andon Mëhillaj shfaq simptomat e një njeriu të trembu dhe të frikësuar, duke qenë gjatë gjithë kohës në ankthin e asaj çka do ta presë dhe si do të arrijë të dalë nga kjo gjendje. Në raportin psikologjik thuhet se Mëhillaj është mjaft i stresuar, por jo deri në atë pikë sa të ketë shenjat e para të prekjes së shëndetit mendor. Psikologja mohon që Mëhillaj të jetë në fazën e parë të depresionit dhe sipas saj nuk është e nevojshme që i dyshuari të kurohet me medikamente anti-depresiv. Për psikologen Andon Mëhillaj është një person, i cili ndodhet në udhëkryq dhe nuk di çfarë do të ndodh me jetën e tij. Ajo e përshkruan Mëhillajn si një person dyshues dhe të trembur. Ai ndodhet në mëdyshje dhe e shqetëson shumë siguria e familjes së tij. “Frika e qëndrimit në burg dhe e statusit si i dyshuar e trembin Andon Mëhillaj, duke stimuluar stresin tek ai. Por Mëhillaj nuk ka ngarkesë të agravuar psikologjike dhe shëndeti i tij mendor është ende në ekuilibër më ndërgjegjen. Pra Andon Mëhillaj nuk ka nevojë për medikamente anti-depresive, të cilat mund t’i stimulonin një gjendje të rënduar psikologjike dhe mendore”, – vijon raporti i psikologes.

 

Vetëvrasja

“Tentativa e Andon Mëhillajt për të prerë damarët nuk është aspak e vërtetë. Ne nuk kemi asgjë të dokumentuar dhe as sinjalizime për një ngjarje të tillë, të cilën nuk do të mund ta mbanim dot të fshehtë”, – përgjigje që vjen nga organi i akuzës një ditë pas publikimit të lajmit të vetëvrasjes së të dyshuarit si sekser. E njëjta përgjigje vjen edhe nga dy institucionet e tjera, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Policia e Tiranës. Sipas dy institucioneve Mëhillaj ka qenë dhe është nën kujdes dhe mbikëqyrje, por nuk ka tentuar në asnjë moment që të vetëvritet. Ndonëse Mëhillaj është i shqetësuar dhe i stresuar, gjendja e tij mendore është e qetë. Sipas burimeve nga policia Mëhillaj ka qenë gjithë kohës në  mbikëqyrje nga oficerë të policisë, për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqet si dhe lidhur me faktin që akuzohet si sekser i një bande vrasësish me pagesë, çka mund ta ekspozojë nga rreziqeve dhe hakmarrjes. Ndërsa Drejtoria e Burgjeve e mohon këtë episod duke u shprehur se në asnjë moment nuk kanë pasur sinjalizime as nga prokuroria dhe as nga polica që Mëhillaj preu damarët e dorës së djathtë.  Burime të organit të akuzës shprehen se me datë 14 shkurt Andon Mëhillaj është mbajtur gjatë gjithë kohës nën vëzhgim për shkak të procedurave të marrjes në pyetje dhe ruajtjes për parandalimin e çdo incidenti të mundshëm. Këto burime sqarojnë se Mëhillaj është në vëzhgim të vazhdueshëm të oficerëve të policisë për shkak të statusit si sekser i bandës së vrasësve me pagesë.

 

Avokati Lazër Sokolaj

“Andoni tentoi vetëvrasjen, nuk më lejojnë të takoj”

Avokati mbrojtës i Andon Mëhillajt insiston në faktin se klienti i tij ka tentuar vetëvrasjes. Sipas tij ky episod i rëndë ka ndodhur pasditen e së shtunës, por nuk disponon informacion se me çfarë mjetesh dhe në çfarë forme Mëhillaj ka arritur të pres damarët e dorës së djathtë. Në një deklaratë për shtyp Sokoli shpjegon se klienti i tij është në gjendje të rëndë shëndetësore, si dhe duhet t’i dërgohen ilaçe në qeli, të cilat i ka të nevojshme për problemet e shëndetit mendor. Sipas tij ngjarja ka ndodhur në ambientet e burgut 302, ku ndodhte i izoluar në seksionin e paraburgimit Andon Mëhillaj. Avokati, Lazer Sokoli, tha se klienti i tij Andon Mëhillaj ka kërkuar ta takojë dhe të dërgohet në spital, por nuk është lejuar nga autoritetet e burgut, ndërsa ka mundur t’i dërgojë atij disa ilaçe në qelinë e paraburgimit. Policia nuk ka dhënë ende ndonjë deklaratë zyrtare rreth këtij akti, kurse drejtoria e Burgjeve e ka mohuar se ka ndodhur diçka e tillë në qeli me të dyshuarin, Mëhillaj. Andon Mëhillaj u vetëdorëzua në polici pak ditë më parë, ndërsa avokati i tij mbrojtës deklaroi se është i pafajshëm dhe se nuk qëndrojnë akuzat ndaj tij si ndërmjetës apo porositës për disa vrasje me pagesë. Ndërkaq mbetet në kërkim kushëriri i tij, Genis Mëhillaj, për të njëjtat akuza, “akte terrorizmi” dhe “financim të terrorizmit”.

 

 

Atentati ndaj Nesnik Dervishit

Aparati celular u ble nga N.GJ tek tregu i dollarit më 6 dhjetor

Ndryshon sërish rrjedha e fakteve për celularin që u përdor nga Julian Sinanaj në atentat ndaj prefektit Besnik Dervishi. Sipas burimeve të organit të akuzës ka qenë i penduari N.GJ. personi, i cili ka blerë aparatin celular në tregun e zi duke ia dorëzuar më pas Sinanajt. Siç bëhet me dije nga këto burime vetë N.GJ ishte personi që furnizonte njeriun bombë me lëndë eksplozive dhe aparate celulare të nevojshme për shpërthimet e telekomanduara. Këto burime mohojnë që aparati celulat t’i jetë vjedhur një taksisti. Ndërsa saktësojnë se celulari i është blerë një djali 19-vjeçar me inicialet A.SH, i cili mësohet se e ka pasur në përdorim aparatin celular deri më datë 5 dhjetor të vitit të kaluar. Tek 19-vjeçari është paraqitur N.GJ. i cili ka blerë celularin më datë 6 dhjetor. Episodi është zhvilluar tek tregu i dollarit, ku 19-vjeçari kishte nxjerrë në shitje aparatin celular. Ndërsa nuk specifikohet se cila ka qenë vlefta financiare, mësohet se N.GJ ia ka dërguar në apartament Julian Sinanajt. Njeriu bombë ka arritur që ta montojë duke e lidhur me detonatorin e lëndës plasëse, e cila ishte pozicionuar poshtë automjetit të prefektit Dervishi. Julian Sinanaj, i dyshuar si killer me pagesë ka përfituar dy shtëpi në qarkun e Vlorës, për ekzekutimet që do të kryente. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar dy kontrata noteriale, ku vërtetohet kalimi i pronësisë së këtyre pronave të paluajtshme në emrin e nënës së Julianit, Zana Sinanajt. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se nga njëra kontratë e firmosur para noteres rezulton që Marjon Mitro, i dyshuar si porositës i lëndës eksplozive që u zbulua më 13 janar 2014 në makinën e prefektit të qarkut të Vlorës, Besnik Dervishi, i ka kaluar në pronësi nënës së të dyshuarit Sinanaj, një pronë të paluajtshme, konkretisht një shtëpi. Ndërkohë që prona e dytë është përfituar pas vrasjes së Sokol Veizit. Akti noterila i kalimit të pronësisë ëhstë firmosur nga Andon Mëhillaj para noteres A.M. duke kaluar në emrin e njerkës së Sinanajt.

 

 

Share it :