Përfundon hetimi / Vodhi në llogaritë e 50 klientëve, drejtori i bankës dërgohet në gjyq

0
122

Sonja Caka

Skema e plotë/ Si i vidhte drejtoi Blendi Topalli, në bashkëpunim me 4 vartës, punonjës të një banke të nivelit të dytë, paratë e klientëve

 

banka_para-euroKa përfunduar hetimi dhe është dërguar në gjyq drejtori i një banke të nivelit të dytë dhe 4 vartës të tij, po punonjës të kësaj banke, të cilët në bashkëpunim vodhën para nga llogaritë e mbi 50 klientëve, në vlerë 2.9 milionë euro, duke i transferuar në llogari të tjera për t’i tërhequr më pas. Sipas akuzës, për afro 4 vjet, nga data 20.01.2009 deri në datë 03.09.2013, (data e arrestimit), Blendi Topalli ka vjedhur nga këto llogari paratë e klientëve, të cilat tashmë kanë filluar të rimbursohen nga banka. Prokuroria  e Korçës ka dërguar dje për gjykim kërkesën ndaj ish-drejtorit të një banke të nivelit të dytë në Bilisht, Korçë, konkretisht të pandehurit Blendi Topalli, i akuzuar për “vjedhje bankash me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”. Nga veprimet e tij të kundërligjshme, ka arritur të tërheqë dhe përdorë rreth 2.900.000 euro (dy milion e nëntëqind mijë euro) nga llogaritë bankare të mbi 50 personave, klientë të bankës. Gjithashtu, prokuroria e Korçës ka dërguar për gjykim kërkesën edhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij. Më konkretisht, Ervin Xhaçi, i akuzuar për “vjedhje bankash” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”; si edhe, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” për vartësit e Topallit, Fioralba Andrea, Julian Kosho, Kimet Hoxha dhe Loren Ballço (këta të fundit punonjës të të njëjtës bankë të nivelit të dytë).

Hetimi

Nga hetimi i prokurorisë së Korçës është provuar se ish-drejtori Topalli, në bashkëpunim me shtetasin Xhaçi kanë transferuar në mënyrë të paligjshme shuma të konsiderueshme parash nga llogaritë e personave të ndryshëm në emër të personave të ndryshëm, që më pas ua merrnin. Nga hetimi ka rezultuar gjithashtu se pjesa më e madhe e shumave të vjedhura nga llogaritë e klientëve janë përdorur për vendosjen e basteve sportive, ndërsa një pjesë është përdorur për blerjen e pasurive të paluajtshme. Ndërsa katër punonjësit e tjerë të bankës, të akuzuar për “shpërdorim detyre” kanë vepruar në mënyrë të kundërligjshme dhe kanë kryer veprimet burokratike, të cilat i kanë shërbyer qëllimit të vjedhjes nga ana e drejtorit të filialit. Gjithësesi, sipas akuzës, nuk provohet që këta punonjës kanë pasur dijeni për qëllimet e drejtorit të tyre, por kanë vepruar në mirëbesim, pavarësisht së në kushtet e shpërdorimit të detyrës.

Vjedhja në llogaritë e klientëve

Pas konstatimit të disa blerjeve të dyshimta dhe kryerjes së disa transaksioneve të dyshimta përmes bankës, nisën hetimet brenda filialit ku drejtonte Blendi Topalli. Nga hetimi ka rezultuar se siç kishte ndërhyrë në llogarinë e shtetasit N.Z, drejtori i atij filiali kishte ndëryrë edhe në llogaritë e 57 klientëve të tjerë të bankës. Sipas hetimeve, Topalli ka cënuar dhe vjedhur lekët nga 57 klientë të tjerë të bankës, në një shumë prej 2 852 954,52 euro, duke i tërhequr drejtëpërsëdrejti shumat e lekëve nga llogaritë, ose duke i transferuar në kundërshtim me ligjin, në llogari të personave të tjerë (të njohur të Blendi Topallit, të njohur, miq dhe të afërm të bashkëpunëtorit të tij Ervin Xhacit, apo personave të tjerë të njohur të personave që merreshin me llotari sportive). Nga kjo shumë, shtetasi Blendi Topalli, ka kthyer nëpër llogaritë përkatëse, shumën prej 319 300, 10 euro, duke i shkaktuar bankës një dëm total prej 2 533 654, 42 (dy milionë e pesëqind e tridhjetë e tre mijë, pikë dyzetë e dy) euro. Më konkretisht, nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Blendi Topalli, këtë shumë e ka tërhequr duke përdorur transfertat e paligjshme nga llogaritë e klientëve, në llogari të personave të njohur të tij (shokë) dhe pjesën më të madhe të kësaj shume ai e ka tërhequr duke e transferuar në llogari të shtetasit Ervin Xhaçi, të afërmve të tij, shokëve të tij apo në llogari të të afërmve të shokëve të Ervinit. Në çdo rast që janë tërhequr shumat e lekëve, direkt nga llogaritë apo nëpërmjet transferimit tek të tretë, përfitues të shumave kanë qenë shtetasit Blendi Topalli dhe Ervin Xhaci. Në këto veprime me apo pa dashje është ndihmuar nga vartësit e tij Loren Ballço, Kimet Hoxha, Julian Kosho dhe Fioralba Andrea.

 

 

Si vepronte drejtori Topalli

Nga hetimi ka rezultuar se të 57 personat të cilët ju janë cënuar llogaritë, i kishin depozituar shumat e lekëve apo të eurove në këtë bankë, dega Bilisht tek shtetasi Blendi Topalli, me afat një vjeçar. Në çdo rast shtetasi Blendi Topalli, për t’i joshur klientët ju ka dhënë kontrata depozite,  me përqindje interesi më të lartë nga ajo që realisht ofronte banka në periudhat përkatëse. Këto kontrata ai nuk i ka reklamuar për bankën, por i mbante të regjistruara në kompjuterin e tij, duke i ripërsëritur në mënyrë fiktive vit pas viti, sipas interesave të caktuara prej vetë atij. Megjithëse, në pjesën më të madhe të rasteve shumat e lekëve apo valutës ishin tërhequr nga Blendi Topalli, miqtë e tij dhe të bashkëpuntori Ervin Xhaçi dhe miqtë e këtij të fundit. Në mënyrë që ai të mund t’i transferonte këto shuma lekësh nga llogaritë e 57 klientëve, nëpërmjet punonjësve të bankës, Loren Ballço, Kimet Hosha dhe Juljan Kosho, nëpërmjet depozitave ka hapur overdrafte, pa praninë dhe pëlqimin e klientëve, dhe më pas këto shuma lekësh i ka transferuar tek persona të tjerë, të njohur prej tij apo të njohur të Ervin Xhaçit ose i ka tërhequr drejtpërsëdrejti nga llogari e tyre. Një metodë tjetër e përdorur nga shtetasi Blendi Topalli, për të tërhequr shumat e lekëve ose valutave të tjera, ishte edhe momenti i maturimit të depozitës, duke bërë kërkesa fiktive për thyerjen e tyre dhe më pas lekët transferoheshin tek personat e tjerë, ose tërhiqeshin, drejtpërsëdrejti nga ana e tij, duke falsifikuar nënshkrimet e klientëve. Nga hetimi ka rezultuar se në pjesën më të madhe të rasteve klientët të cilët presupozohej të kryenin veprimet, (kërkesë për hapje ovedrafti, kërkesë për transferim apo tërheqje nga llogari), ndodheshin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe për më tepër në asnjë rast ata nuk kanë hapur overdrafte, nuk kanë transferuar shumat e lekëve ose të kenë tërhequr shuma lekësh prej llogarive të tyre. Nga hetimi ka rezultuar se në asnjë rast nuk ka pasur njohje midis klientëve të debituar dhe personave të cilëve ju janë transferuar shumat e lekëve të tërhequra më pas. Këta të fundit, sipas akuzës, kanë qenë miq, ose të njohur të Blendi Topallit dhe Ervin Xhacit.

 

 

Dëshmia e drejtorit: Paratë i lija në baste sportive

I pyetur si person nën hetim shtetasi Blendi Topalli, ka pretenduar se shumat e përfituara ai i kishte luajtur në loto sportive, duke luajtur baste, tek persona dhe kompani të ndryshme bastesh. Ky fakt konfirmohet edhe nga persona të tjerë dhe nga personat të cilët kanë qenë përfitues të shumave të ndryshme. Por nga hetimi ka rezultuar se luajtja e shumave në baste sportive, përveçse argument se ku kanë përfunduar shumat e lekëve apo valutës, ka qenë një mënyrë mjaft efikase e shtetasit Blendi Topalli për të fshehur vjedhjen e një shume kaq të madhe parash. Kjo pasi ai ka mundur të përfshijë në transferta shumë persona të panjohur prej tij, gjithashtu duke kryer një numër të madh transaksionesh ka bërë të mundur që të mos kuptohej në asnjë rast nga auditet e brendshme të bankës dhe të mos raportohej asnjë rast i dyshimtë transaksionesh bankare tek Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave. Këtë gjë, ai ka arritur ta realizojë falë bashkëpunimit të ngushtë me shtetasin Ervin Xhaci, i cili ka qenë i vetmi person që i ka vënë në dispozicion emrat e personave ku duhej të transferonte shumat e lekëve Blendi Topalli. Gjithashtu, nga hetimi ka rezultuar se shtetasit që kanë përfituar shuma të ndryshme lekësh dhe që merreshin me vendosjen e basteve sportive, nuk e njihnin shtetasin Blendi Topalli. Të gjitha shumat që ata kanë tërhequr kanë qenë shuma të cilat sipas tyre i kishte vendosur bast shtetasi Ervin Xhaci. Nga ana e tij, ky i fundit është shok i ngushtë i shtetasit Blendi Topalli, të cilit Blendi, i ka dhënë disa herë kredi nga banka, duke vendosur si garanci, depozitën e një personi të panjohur për Ervinin, sikurse është shtetasi K.H. Ervin Xhaci i ka vënë në dispozicion 38 emra Topallit për të transferuar paratë dhe më pas për t’i tërhequr ato.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency