Itali / Trafikonin fëmijë nga Elbasani për një jetë më të mirë, shpallen në kërkim

0
192

femijet-lypesNjë skemë e vërtetë trafiku minorenësh është zbuluar nga policia italiane. 25  fëmijë  të mitur nga qyteti i Elbasanit në Shqipëri janë trafikuar drejt Italisë, konkretisht në qytetin e Imolas nga një rrjet i organizuar shtetasish shqiptarë, të gjithë rezidentë në shtetin fqinj. Nga hetimi ka rezultuar se të gjithë këta fëmijë janë trafikuar drejt Italisë me pëlqim të prindërve të tyre, të cilët dëshironin një jetë më të mirë për fëmijët dhe marrjen e lejes së qëndrimit nga ana e tyre kur të mbushnin moshën 18 vjeç. “Qëllimi i dërgimit të fëmijëve të mitur në Itali ishte që ata t’i besoheshin shërbimeve sociale dhe pastaj të kishin mundësi të arsimoheshin dhe merrnin lejen e qëndrimit, kur të arrinin moshën madhore” bëjnë me dije mediat italiane, të cilat iu referohen burimeve policore. Në këmbim të shumave të parave që u merrnin prindërve të fëmijëve në Shqipëri, organizatorët e trafikut i siguronin ata se fëmijët do t’i besoheshin shërbimit social në Itali, i cili garanton fondet e nevojshme për shkollimin e rasteve të tilla. Në këtë mënyrë rrjeti i trafikut funksiononte si një agjenci udhëtimi për qëllime studimi. Dyshimet e policisë për këtë rast u nisën nga fakti se fëmijët trokisnin në dyert e policisë tepër të sigurtë në vetvete, dinin se çfarë kërkonin dhe ishin të veshur me rroba cilësore. “Vinin të gjithë në orën 8 të mëngjesit, të pastruar, të rregullt dhe tregonin të gjithë të njëjtën histori, që kishin mbërritur në Bari me traget”- shprehen efektivët. Në këto kushte policia detyrohej t’i besonte fëmijët e mitur tek Shërbimi Social, që kujdesej për strehimin, ushqimin dhe arsimimin e tyre. Momentalisht Shërbimi Social në Imola trajton 27 fëmijë të mitur, 25 prej të cilëve janë shqiptarë, të gjithë nga qyteti i Elbasanit. Autoritetet në Itali vijojnë punën për të kapur tre përgjegjësit kryesorë të këtij trafiku, të identifikuar si D.A 39 vjeç, K.K 32 vjeç dhe S.L 29 vjeç, të gjithë rezidentë në Faenza, Lequile (Leçe) e Riolo Terme dhe tashmë në kërkim për “favorizim të emigracionit klandestin”. Gjithashtu po punohet për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë në trafikun e të miturve nga Elbasani në Imola. Kryebashkiaku i Imola-s ka falënderuar policinë për këtë operacion dhe zbulimin e këtij trafiku qëniesh njerëzore.

 

Shkatërrohet banda e kokainës, në pranga 4 shqiptarë

Shpërndarësve të drogës mes Bergamos e Parmës iu gjet një sasi prej 3 kg kokainë, operacioni u kodua “Vajzat”

Itali

Policia italiane shkatërroi dje në Parma një bandë shqiptarësh që gjatë dy viteve të fundit kishte transportuar nga Shqipëria në Itali rreth 40 kilogramë lëndë narkotike të llojit kokainë. Arrestimet e 4 anëtarëve të fundit të bandës u bënë dje në operacionin e koduar “Vajzat”. Gjatë këtij aksioni është sekuestruar edhe një sasi prej 3 kilogramë kokainë. Të arrestuarit janë, shqiptarët, Armand Keçi, 37 vjeç rezident në Parma, Alket Ajdini, 30 vjeç, rezident në Parma si dhe dy të tjerë me inicialet: Alfred Kokomani, 33 vjeç rezident në Fontanella të Bergamos, Durim Daja, 38 vjeç, rezident në Alseno, në provincën e Piaçenzas. Arrestimet e këtyre personave janë bërë nga skuadrat e lëvizshme të karabinierëve. Mediat italiane bëjnë me dije se dy shqiptarët e arrestuar, të cilët shpërndanin pluhurin e bardhë në Bergamo e Parma rezultonin me dokumente dhe një punë të rregullt. Mediat bëjnë me dije se Keçi figuronte si sipërmarrës ndërtimi ndërsa Ajdini punëtor. Ndërkohë që në tregun e drogës, roli i Armand Kecit ishte i furnitorit dhe ai i Ajdinit ishte i shpërndarësit të drogës. Të gjitha fitimet e ardhura nga shitja dhe shpërndarja e drogës, ata i dërgonin tek të afërmit në Shqipëri.

Operacioni

Mediat italiane e ka bërë me dije operacionin antidrogë, pas njoftimit të policisë së Parmës se dje ishte finalizuar përfundimi i operacionit të nisur në dhjetor të vitit 2012 ku u arrestua një nuëm ri madh shpërndarësish të kokainës. Operacioni e ka marrë emrin “Vajzat”, pasi kështu e emërtonin kokainën trafikantët me qëllim që të humbnin gjurmët. Ishin dy rrugë të trafikut të drogës, nga Shqipëria në Bergamo ose nga Shqipëria në Reggio Emilia. Hetimet ndaj kësaj bande të trafikut të kokainës kishin nisur në dhjetor të vitit 2012 nga seksioni i antidrogës në Parmës. Në atë kohë ishin arrestuar 4 persona, ndërsa një i pestë ishte larguar nga Italia. “Në prill të vitit 2013 ishte sekuestruar një sasi prej 1 kilogramë kokainë në makinën që drejtohej nga shqiptari Alfred Kokomani, 34 vjeç. Ky shtetas kishte edhe rolin e furnizuesit të kokainës si 37-vjeçari Keci. Dy makina, njëra pararojë dhe tjetra që kishte drogë, po udhëtonin afër njëra-tjetrës në autostradën A4 në Teldate, në provincën e Bergamos. Makina e parë ishte një Ford Focus ndërsa makina ku ndodhej lënda narkotike ishte në një Seat Altea. Në makinë u gjetur 1 kilogramë kokainë dhe shoferi u arrestua”, shkruhet në dosjen e Policisë së Parmës. Në dosje tregohet edhe se si është sekuestruar lënda narkotike. “Fillimisht është shkatërruar kanali i parë i drogës së shqiptarëve që mbërrinte në Reggio Emilia. Dy shqiptarë ishin ndaluar duke udhëtuar me një makinë në datën 3 maj 2013 dhe gjatë kontrollit u është gjetur sasia prej 106 gramësh kokainë. Gjatë kontrollit në banesën e tyre ishte gjetur 2 kilogramë e 200 gramë kokainë. Ndërsa 300 gramë të tjerë ishin gjetur në një mbajtëse kafeje” thuhet në raportin e policisë të përgatitur për këtë operacion. Policia bën me dije se droga transportohej shpesh për llogari të Kokomanit nga një tjetër shqiptar i besuar i tij, korrieri Marcel Roda. Pikërisht në momentin e transportit është bërë edhe ndërhyrja e policisë dhe sekuestrimi i drogës. Ndërkohë që Reggio Emilia, dy shqiptarët Kokomani e Roda ndihmoheshin nga dy bashkëkombasit e tyre Elton Sala e Caush Çela, edhe këta tashmë në pranga. Në përfundim të operacionit “Vajzat” u sekuestruan 4 kg kokainë dhe u arrestua 10 shqiptarë. Mes tyre, sipas policisë, në pranga u vu edhe 36-vjeçari Durim Daja, rezident në Alseno (Piacenza), i cili furnizohej me kokainë direkt nga dy shqiptarët që jetonin në Parma dhe më pas e shpërndante atë në Piacentino.

U arrestuan

Armand Keçi, 37 vjeç rezident në Parma,

Alket Ajdini, 30 vjeç, rezident në Parma

Alfred Kokomani, 33 vjeç rezident në Fontanella të Bergamos,

Durim Daja, 36 vjeç, rezident në Alseno

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency