Reagon opozita/ “Projekti i ri i Ramës shkatërron administratën publike”

0
116

Florenc Drizari

 

Halimi: Ndryshimi në nëpunësin civil shton arsyet për protestën e 20 shkurtit

 

halimi Ndryshimi i ligjit të nëpunësit civil dy ditë më parë nga qeveria ka sjellë edhe reagimin e opozitës, e cila kundërshton këtë nismë, duke e quajtur antikushtetuese. Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, tha dje se Kryeministri Rama shkeli sërish vendimin e Gjykatës Kushtetuese, edhe pse pak javë më parë kjo Gjykatë ka rrëzuar vendimin e qeverisë për aktin normativ që shtynte efektet prapavepruese të ligjit për nëpunësin civil.

Në këtë projektligj janë bërë disa ndryshime dhe shfuqizime thelbësore të ligjit bazë, ku më kryesorët janë ato që lidhen me nenin 50 që prek nëpunësit e larguar nga puna për shkak të rikonstruktimit apo mbylljes së institucionit. Në projektligjin e qeverisë parashikohen dëmshpërblime për punonjësit e shkarkuar nga puna në bazë të kohës që ata kanë punuar më parë në administratën publike.

Ndërkaq, në deklaratën e djeshme, deputeti i Partisë Demokratike Eduard Halimi denoncoi këtë vendim të qeverisë si një rast të paprecedent në historinë legjislative shqiptare dhe botërore, ku një ligji të miratuar qeveria i bën ndryshime thelbësore, edhe pse ligjin nuk e zbaton për asnjë ditë. Për këtë ligj, sipas deputetit të opozitës, u organizuan me dhjetëra tryeza me ekspertë në 2 vjet, ndërkohë që brenda natës ndryshohet në 16 nene, pa asnjë transparencë nga qeveria.

“Askund nuk ndodh që Kryeministri i një Republike Parlamentare ta bëjë zakon shkeljen e Kushtetutës së vendit dhe shkeljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkojë anulimin e vendimit të Gjykatës Kushtuese, me ligj. Ndërsa ditën bllokon në mënyrë arbitrare publikimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke penguar ekzekutimin e vendimit, natën firmos ligje që të anulojë vendime gjyqësore, të sulmojë dhe spastrojë administratën publike, të shkatërrojë rrugën dhe integrimin e vendit.

Me këtë akt, Edi Rama ka tejkaluar çdo imagjinatë antiligjore, antikushtetuese, antiintegrim. Edi Rama ka bërë gjithashtu të qartë se është kundër konsensusit politik dhe ka zgjedhur të hedhë në erë çdo mundësi për të dialoguar me opozitën”, – theksoi Halimi.

Deputeti i opozitës shtoi se ky projektligj injoron vendimin e Gjykatës Kushtetuese, opozitën, Parlamentin dhe partnerët ndërkombëtarë, që janë treguar shumë të ndjeshëm në çështjet e administratës publike në vend. Ndryshimet e fundit në ligj, sipas ish-ministrit të Drejtësisë, përkeqësojnë gjendjen e administratës publike. Ai përmendi disa nga pasojat që pritet të sjellin këto ndryshime, si:

“-Përkeqëson garancitë për qëndrimin në detyrë, jo vetëm në raport me ligjin ekzistues nr. 152/2013, por edhe me vetë ligjin e vjetër të nëpunësve civil. -Ligjëron të gjitha shkarkimet dhe nxjerrjet në listë pritje, të kryera në kundërshtim me ligjin nga qeveria nga 1 tetori, duke rifutur konceptin e “listës së pritjes” në rastet e ristrukturimit dhe mbylljes së institucionit. Heqja e mekanizmit të listës së pritjes ka qenë kërkesë e vazhdueshme e Bashkimit Evropian. -Kërkon të ligjërojë të gjitha emërimet e paligjshme që janë realizuar në administratën publike nga data 1 tetor 2013 – deri më sot. -Synon të kontrollojë procesin e përzgjedhjes së trupës së nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues, duke politizuar administratën. -Krijon kushtet për spastrim të gjithë nëpunësve civilë aktualë që janë në periudhë prove”, – deklaroi Halimi nga foltorja e zyrës së shtypit në Partinë Demokratike.

Sipas opozitës, Kryeministri Edi Rama, me këto ndryshime, po u jep shqiptarëve edhe një arsye më shumë për të protestuar më 20 shkurt, ditë në të cilën krerët e PD-së kanë bërë thirrje për një marshim popullor në përkujtim të ditës së rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës 23 vjet më parë dhe keqqeverisjes që, sipas tyre, po i drejton shqiptarët.

 

 

BOX

“Nëpunësi civil”

Harito: Ndryshimet, sipas Kushtetutës, opozita nuk përgjigjet

 

Pas deklaratave të deputetit të PD-së, Eduard Halimi, i cili akuzoi Kryeministrin Ed Rama se ka firmosur në fshehtësi një projektligj të ri, që, sipas tij, zhbën tërësisht ligjin “Për nëpunësin civil”, reformën në administratën publike, vjen edhe reagimi i qeverisë. Ministrja për Administratën Publike, Milena Harito, deklaroi se qëllimi i vetëm i opozitës është të bllokojë reformat dhe për ligjin në fjalë, opozita është ftuar të kontribuojë, por përgjigjja ka qenë negative. Sipas saj, ndryshimet në ligjin “Për nëpunësin civil” kanë ardhur pas konsultimeve. “Ka një problem me opozitën e Partisë Demokratike sot. Kur i ftojmë në takim në Kuvend për të diskutuar, nuk vijnë, kur i shkruajmë për t’i informuar dhe kërkuar mendim, nuk përgjigjen. Në Parlament nuk e kanë mendjen tek rendi i ditës e në fund ankohen pse nuk u pyetën. E vërteta është se ndryshimet që qeveria ka propozuar në ligjin “Për nëpunësin civil” janë konsultuar edhe me partnerët ndërkombëtarë, edhe është tentuar të diskutohen me opozitën në Shqipëri. Por, opozita e PD-së tenton të bllokojë e të mos dëgjojë, me shpresën se gjërat në Shqipëri do të ngecin. Ne jemi të vendosur për të ndërmarrë reformat e nevojshme, brenda kornizës ligjorë, në përputhje me standardet ndërkombëtare, në konsultim me partnerët e huaj, e për aq sa mundemi, në konsultim edhe me opozitën. Falënderojmë me këtë rast një pjesë të opozitës, PDIU, që iu përgjigj pozitivisht ftesës dhe nuk u fsheh pas arsyesh absurde, për të mos pranuar as të ulej në tryezën e bisedimeve. Institucionet, sipas kërkesave ligjore, kanë dhënë mendimet e tyre në lidhje me ndryshimet që qeveria propozon në projektligjin “Për nëpunësin civil”; ekspertë vendas dhe evropianë janë konsultuar prej disa javësh tashmë”, – deklaroi Harito.

 

 

 

Basha takon Krasniqin: PD mbështet integrimin euroatlantik të Kosovës

 Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti në një takim Kryetarin e Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Vizita e Krasniqit në Shqipëri bëhet në vigjilje të 6-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. “Duke e uruar për këtë përvjetor, kryetari i Partisë Demokratike vlerësoi rëndësinë e konsolidimit të reformave që do të sillnin mirëqenie për qytetarët e Kosovës dhe integrimin euroatlantik të saj. Z. Basha e siguroi z. Krasniqi për mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike në këtë drejtim. Kryetari i Parlamentit të Kosovës e falënderoi z. Basha për kontributin e pazëvendësueshëm që ka dhënë Shqipëria për Kosovën gjithë këto vite. Gjithashtu z. Krasniqi e uroi z. Basha për detyrën e Kryetarit të Partisë Demokratike”, – thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit.

Ndërkaq, më herët, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti në zyrën e tij homologun Jakup Krasniqi. Në këtë takim mësohet se të dy përfaqësuesit e pushtetit legjislativ, diskutuan rreth forcimit të bashkëpunimit ndër-parlamentar, proceseve respektive integruese dhe zhvillimeve të fundit në rajon.

“Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta, pasi bëri një vlerësim të veçantë për stadin strategjik ku kanë kaluar marrëdhëniet dypalëshe sot, rikonfirmoi mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë dhe të Kuvendit të saj në avancimin e axhendës euroatlantike të Republikës së Kosovës duke theksuar se institucionet dhe eksperienca shqiptare do të jenë gjithnjë një shërbim të shtetit të Kosovës, në funksion të forcimit të institucioneve demokratike në vend dhe rrugëtimit të saj evropian”, – ka shkruar zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency