Seancë plenare/ Berisha: Qeveria vjen me 150-ditëshin e rrënimit e të mashtrimit të qytetarëve

0
167

Florenc Drizari

 

Berisha, qeverisë: Po riktheni me shpejtësi 2003-2004, po riktheni me shpejtësi bandat, të cilat ju sundojnë ju, sundojnë biznesin

 

 

BERISHA_NE_PARLAMENTKuvendi i Shqipërisë zhvilloi dje seancë plenare për disa çështje kryesisht të fushës ekonomike dhe bujqësore, duke miratuar gjatë projektligje si dhe emrat e 15 anëtarëve të komisionit hetimor në Policinë e Shtetit. Në tërësi këto çështje nuk patën përplasje qëndrimesh mes pozitës e opozitës dhe gjatë votimit u miratuan me konsensus, ndërsa debatet dhe replikat u bënë për çështje jashtë rendit të ditës. Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi krerët e qeverisë për mosmbajtjen e premtimeve të bëra para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Sipas tij çdo premtim i bërë nga përfaqësues të opozitës së atëhershme, sot është shndërruar në mashtrim për qytetarët shqiptarë.

“U premtuat bizneseve të vogla heqjen e taksës, ua shtuat taksën, duke u dyfishuar taksën e sipërfaqes së lokalit. U premtuat fermerëve 5-fishimin e ndihmës, heqjen e taksës së qarkullimit, rimbursimin e TVSH-se së inputeve, ndatë 300 milionë lekë për të mbushur xhepat tuaj, sepse rimbursimet kanë rregullin e tyre. Rimbursimi është proces i kodifikuar në kodin tatimor të vendit dhe nuk ka nevojë për asgjë tjetër veçse zbatimin e atij kodi. Por ju nuk doni ta zbatoni atë, ju doni të mbushni xhepat duke i ndarë. Kjo është e vërteta. Ju premtuat heqjen e TVSH-së të ushqimeve, rritët taksën e qarkullimit për të rritur të gjitha çmimet e ushqimeve, për të thelluar më tej listat, për të vrarë më tej vendet e punës. Ju premtuat 300 mijë vende pune, faktikisht keni çpunësuar me dhjetëra mijëra gjatë kësaj periudhë dhe nuk jeni të zot të tregoni qoftë edhe një vend pune, përveçse mureve të zyrave të punës. Po pse? Se makineria e punësimit është paralizuar tërësisht nga ju! Sepse e fundit për të cilën flet kryekreu juaj është punësimi, sepse i vetmi kantier që ai ka hapur për pesë muaj është zyra e tij, klinika e psiko-analizës që ka krijuar në Kryeministri”, – deklaroi Berisha.

Në fjalën e tij, ish-kryeministri akuzoi qeverisë për situatën e rendit në vend dhe marrëdhëniet me sistemin e drejtësisë.

“Ju po riktheni me shpejtësi 2003-2004, po riktheni me shpejtësi bandat, të cilat ju sundojnë ju, sundojnë biznesin. Prapa çdo akti të këtyre bandave, ju doli mu në zonën e kryekreut, banda e partisë. Nuk ka shqiptar që nuk e ka marrë vesh, se i penduari i parë ishte bashkëpunëtor në vrasje, iu refuzua padia për 7 ditë me radhë dhe nuk iu dha mbrojtje, përkundrazi ai u la në mëshirën e fatit për t’u ekzekutuar, sepse gjithçka ishte midis partisë, midis Karkinit të partisë, sponsor kryesor i ministrit, dikush thotë ka edhe lidhje farefisnore me të, midis Gjikës së Bashkisë, Dervishit të qeverisë, të gjitha këto në këtë relacion. Një dekonspirim i përditshëm dhe prishje nga grupi e nga miqtë e tyre në Polici i të dhënave dhe bëjnë gjithçka për të rrënuar hetimet e Prokurorisë”, – theksoi Berisha.

Qëndrimet e ish-kreut të qeverisë u kundërshtuan nga deputeti Braçe dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Të dy përfaqësuesit e Partisë Socialiste kërkuan nga Berisha që të faktonte akuzat e bëra në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.

 

 

Replika dhe debate në Kuvend

Sali Berisha: Situata në këtë 150-ditësh erdhi me rrokullisjen e madhe, ndaj dhe unë ftoj qytetarët shqiptarë ta shndërrojmë 20 shkurtin në ditën e protestës më të fuqishme që ka njohur Tirana! Të ngrihemi në radhë të parë për mashtrimet që na janë bërë se ne jemi popull i lirë dhe njerëzit e lirë nuk pranojnë mashtrimin. I garantoj ata se çdo premtim-mashtrim do ta shndërrojmë në realitet së bashku.
Eduard Shalësi: Një kolegu im po më thoshte, zoti Berisha, teksa ju po hynit në sallë, më tha më duket se nuk është Saliu, por ai që e imiton. Në fakt, tani që e shoh nga afër, do t’i them kolegut tim që keni parë shumë komedianë që komentojnë politikanët, Sali Berisha është i vetmi komedian që imiton komedianin e tij.
Ilir Meta: Replikë zoti Tahiri dhe zoti Berisha e mbyllet kjo çështje.
Saimir Tahiri: Nuk dua të bëj debat, për më tepër se unë besoj se niveli i ish-kryeministrit e kapërcen nivelin e parlamentarizmit. Por unë ju sfidoj me emrat e 51 të vrarëve. Më numëroni emrat e 51 të vrarëve, përndryshe ikni nga ky Parlament si gënjeshtar.
Flamur Noka: Javën e kaluar, po ta mbani mend…
Erjon Braçe: Ç’punë ka java e kaluar, ne jemi sot në Parlament.
Flamur Noka: Listën e javës së kaluar, ai përmendi 51, por sot (dje), janë 55 (viktima).
Ilir Meta: E paska bërë Fariu më duket.
Flamur Noka: Jo, jo, nuk e ka bërë Fariu, e ka bërë e vërteta. Tani që po flasim, një viktimë është në Peshkopi dhe një tjetër në Laç dhe ai më del e më krekoset aty. O ka një ministër që nuk duhet të hapë gojën e të struket, është ky (Saimir Tahiri), por efekti i kokainës që merr…
Ilir Meta: Dakord, dakord, por mbylljani fjalën. Zoti Berisha të flasë, nuk ishte për procedurë.
Sali Berisha: Vijmë tek ky miku i bandave… Është bërë e domosdoshme që në Komisionin e Sigurisë të paraqiten para mediave një për një, emër për emër, të vrarët. Nëse ata janë 34, siç thoni ju, forca ime politike dhe unë do të kërkojmë një ndjesë publike, por nëse ata janë më shumë, ju shkelni mbi kufoma dhe s’ka gjë më makabër se kjo.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency