Vendimi i Gjykatës/ Tërhoqi paratë e motrës dhe nipit përmes mashtrimit, dënohet me burg

0
256

Sonja Caka

 

Akuza: Për tre vjet tërhoqi pensionin e motrës dhe pagesën e invaliditetit të nipit tetraplegjik me prokurë dhe autorizim fals

 

 

gjykata1 Mashtron motrën dhe nipin, të parës duke i tërhequr pensionin dhe të dytit duke i tërhequr pagesën e invaliditetit për një periudhë 3-vjeçare. Kanë qenë shpenzimet tej ekonomisë që mund të kishte e pandehura që nipi dhe motra të binin në dyshime dhe të vinin në Shqipëri për të parë situatën. Kur erdhën në Tiranë, konstatuan se pensioni dhe pagesa e invaliditetit ishin tërhequr nga e pandehura Ferzilet L. për një periudhë 3-vjeçare me dokumente të falsifikuara apo të marra përmes mashtrimit. Menjëherë iu drejtuan organit të akuzës, duke denoncuar vjedhjen, ndërkohë që përmes dokumentacioneve bankare provuan që edhe një borxh që ia kishin motrës, familja ia kishte shlyer nëpërmjet dërgesave me bankë. Pasi kanë hetuar faktet, hetuesit kanë çuar para bankës së akuzuarve jo vetëm motrën e denoncueses, por edhe një punonjëse të njësisë bashkiake nr. 10, e cila ka pajisur të pandehurën me autorizim për tërheqjen e pensionit të së motrës. Gjykata e ka dënuar me një vit e gjashtë muaj burg 53-vjeçaren, e akuzuar për veprat penale “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Mashtrim”, ndërkohë që me 1 vit burg u dënua dhe e pandehura Mrike C., e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, masë dënimi që iu pezullua duke iu caktuar Shërbimit të Provës për mbikëqyrje 2-vjeçare.

 

Akuza

 Për dy gratë e pandehura akuza nisi të hetonte pas denoncimit të bërë 3 vjet e gjysmë më parë nga motra e të pandehurës Ferzilet L., me pretendimin se e pandehura i ka tërhequr pensionin që nga viti 2008 pa dijeninë e saj. Ajo përcakton gjithashtu se e pandehura Ferzilet L. ka tërhequr që nga viti 2008 edhe ndihmën ekonomike të djalit të saj Elis Sulaj, i cili ka statusin e tetraplegjikut. Këto tërheqje e pandehura Ferzilet i ka bërë pa dijeninë e tyre. Nga hetimi rezulton se denoncuesja dhe djali i saj Elis Sulaj prej vitesh jetojnë me dokumente të rregullta në Greqi. Sipas kallëzueses, rezulton se lekët e pensionit të saj dhe të ndihmës ekonomike të Elisit kanë menduar të mos i tërhiqnin, me qëllim që të grumbulloheshin dhe së bashku me lekët që fitonte në Greqi, të kishte mundësi të blinte një garsoniere në Shqipëri, pasi shtëpinë që kishin pasur e kishin shitur me qëllim kurimin e djalit të saj Elis Sulaj në Greqi. Por, kur ka ardhur në Shqipëri, ka marrë dijeni nga një punonjëse e njësisë bashkiake nr. 10 se lekët në emrin e djalit të saj i tërhiqte me prokurë të posaçme motra e saj, Ferzilet L. Madje, kallëzuesja ka marrë dijeni nga punonjësit e zyrës së shpërndarjes së pensioneve se pensionin e saj e tërhiqte shtetasja Ferzilet L., duke paraqitur vërtetime nga njësia bashkiake nr. 10, sikur e kishte autorizuar vetë Paqyze Sulaj. E dëmtuara ka mohuar të ketë lëshuar autorizim për vete apo për djalin, ndërkohë që i biri vetëm e flet shqipen, pasi as nuk e shkruan dhe as nuk e lexon. Për sa u përket marrëdhënieve me të pandehurën Ferzilet L., e dëmtuara deklaron se i ka dërguar shpeshherë lekë nga Greqia, pasi e motra i ankohej se ishte pa punë dhe nuk kishte me çfarë të ushqehej. Djali invalid i të dëmtuarës ka deklaruar se ka firmosur para një noteri, të cilin tezja ia ka sjellë në shtëpi, pasi kjo e fundit i ka thënë se nëse nuk e nënshkruante, nuk mund të dilte në komision invaliditeti. Por, ai ka mohuar të ketë pasur dijeni se ishte një prokurë për tërheqje pensioni. Pas këtij momenti, Elisi nuk ka ardhur për tre vjet në Shqipëri. Por, kur është takuar me tezen e tij në Greqi dhe ka parë sesi shpenzoi 1 700 euro veshje dhe ushqime në një ditë, ai është shqetësuar dhe i ka kërkuar nënës së tij të shkonte për të verifikuar paratë e tyre në Shqipëri. Por, në momentin që ka ardhur në Tiranë, për familjen Sulaj ka plasur “bomba”. Aty kanë mësuar se gjithë paratë që i takonin djalit të tyre si pagesë invaliditeti dhe pensionin e saj e kishte tërhequr motra për afro 3 vjet, duke i lënë pa asnjë lek në llogaritë e tyre.

 

 

Reforma në drejtësi

Krijohet Grupi Këshillimor në Ministri të Drejtësisë

Krijohet Grupi Këshillimor Elitar në Ministrinë e Drejtësisë. Krijimin e këtij grupi e bëri të ditur dje vetë kreu i këtij institucioni, ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço. Ky grup këshillimor do të jetë i përbërë nga 13 juristë të njohur dhe pedagogë në fakultetet e Drejtësisë. Sipas ministrit, ky grup këshillimor elitar do të japë ndihmë të madhe në reforma të ndryshme në drejtësi si dhe për ligjet e reja që do të bëhen me qëllim afrimin me ato të BE-së. Sipas ministrit Naço, krijimi i këtij grupi këshillimor ka për qëllimin përmirësimin në sistemit të drejtësisë dhe krijimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë. Anëtarët e këtij grupi kanë një përvojë të gjatë në institucionet e ndryshme të drejtësisë dhe janë profesorë të kualifikuar që japin mësim në fakultete të ndryshme të drejtësisë në vend. Po dje, ministri prezantoi grupin e ekspertëve dhe fushat ku ata do të kontribuojnë. Kështu, në Të Drejtën Kushtetuese do të jenë Aurela Anastasi, Gent Ibrahimi, Denar Biba dhe Albana Shtylla. Në të Drejtën Civile do të jenë ekspertët Bashkim Caka, Dashamir Kore, Ardian Nuni, Maksim Qoku dhe Artan Hajdari. Në të drejtën penale do të jenë Artan Hoxha, Arben Rakipi, Ilir Panda dhe Kasem Berberi. Sipas ministrit, ky grup do të japë kontributin e tij në reformimin e Gjykatës së Lartë, në reformimin e Gjykatës Kushtetuese, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Prokurorisë se Përgjithshme, të Konferencës Gjyqësore, të Kodit të Procedurës Penale, të Kodit të Procedurës Civile dhe të Kodit të Procedurës Administrative.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency