Reagimi/ Bashkia: Rama, i shqetësuar nga arritjet në dy vjet e gjysmë punë

0
125

 “Bilanci i punës i realizuar vetëm në dy vjet e gjysmë e shqetëson ish-kryebashkiakun, pasi tregon qartë kontrastin mes motos “shumë punë e pak zhurmë” të Bashkisë sot dhe motos “shumë zhurmë e pak punë” të Bashkisë dje dhe qeverisë sot”

 

 

bashkia“Ia kuptojmë shqetësimin ish-kryebashkiakut Rama. Paaftësinë e tij në menaxhimin e punëve të këtij vendi dhe mbajtjen e premtimeve kërkon ta fshehë me luftën politike ndaj Bashkisë, por qytetarët e Tiranës bëjnë lehtësisht dallimin mes Bashkisë në shërbim të tyre dhe asaj në shërbim të Ramës”. Ky ka qenë reagimi i djeshëm i nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi, ndaj akuzave që qeveria po i adreson institucionit të Bashkisë. Nënkryetarja e Bashkisë ka folur për arritjet që janë bërë gjatë 2013-ës dhe për investimet që ka realizuar Bashkia, që kur drejtimin e saj e ka marrë Lulzim Basha.

 

Investimet në infrastrukturë

Është investuar në 48 projekte rrugësh, nga të cilat 38 kanë përfunduar 10 janë në përfundim.

Janë ndërtuar 16 km gjatësi lineare rrugë urbane, është investuar në 16 blloqe banimi, 7 kanë përfunduar dhe 9 janë në proces. Në këto zona krijohen sipërfaqe të gjelbra me një total prej 25792 metra katrorë dhe disa kënde sportive.

Në dy vjet janë mbjellë 16 mijë pemë dekorative.

Bashkia e Tiranës ka investuar në ndërtimin dhe rindërtimin e 23 çerdheve, kopshteve dhe shkollave. Aktualisht kanë përfunduar 7 dhe janë në proces 16 objekte të tjera.

Në 48 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme përfundoi vënia e elementëve të sigurisë rrugore.

Në 13 shkolla të mesme të përgjithshme të qytetit të Tiranës janë instaluar kamerat e sigurisë për vëzhgimin e perimetrit të shkollave.

Në programin e strehimit, banesa me kosto të ulët ka gjithsej 1809 familje përfituese.

Ujësjellës-Kanalizimet e Tiranës kanë realizuar 138 projekte. Numri i familjeve të kryeqytetit që janë lidhur për herë të parë me rrjetin e ujësjellësit është 9000.

 

Arritjet gjatë 2013-ës

 

Viti 2013 ishte viti i zbatimit të projekteve strategjike të qytetit të Tiranës, duke nisur me projektin e zgjatimit të bulevardit verior dhe ai i rehabilitimit të lumit të Tiranës. “U zhvendos linja e tensionit të lartë në bulevardin “Zogu i Parë”. Brenda këtij viti do të nisin procedurat e koncesionimit të stacionit të ri multimodal të pasagjerëve në qytetin e Tiranës, i cili do të jetë stacioni i tramit, i autobusëve interurbanë, furgonëve, taksive etj. Bashkia, në bashkëpunim me IFC-në ka përfunduar studimin e fizibilitetit për menaxhimin e mbetjeve. 15 kompani kanë shprehur interes për marrjen me koncesion të këtij shërbimi”, – u shpreh Xhindi gjatë fjalës së saj. Ka përfunduar “Studimi i fizibilitetit dhe projekti paraprak i tramit për linjën Kinostudio – Kombinat” dhe është drejt përfundimit studimi për dy linjat e tjera. Në dy vjet e gjysmë në Bashkinë e Tiranës rezultojnë, sipas statistikave të institucioneve qendrore financiare, 3641 biznese të reja dhe afro 19 mijë të punësuar. “Për herë të parë në historinë e pushtetit vendor në vend, Bashkia e Tiranës ka hapur një portal punësimi, i cili deri tani ka ndërmjetësuar punësimin e afro 915 qytetarëve të Tiranës. Për herë të parë Bashkia ka vënë në funksionim një fond garancie për të nxitur hapjen apo zgjerimin e bizneseve nga qytetarë nën moshën 35 vjeç. Është hartuar Plani Urbanistik i Tiranës, i cili mungonte prej 23 vjetësh”, – theksoi Xhindi.

 

Puna e Bashkisë

 Gjatë dy viteve, Bashkia e Tiranës ka përfunduar të gjitha procedurat dhe i ka hapur rrugën hipotekimit të 175 objekteve në Tiranë, me përfitues afro 40 mijë qytetarë. Është vënë në funksionim linjën e re Kombinat – Qendër – Kinostudio me kushte optimale transporti për qytetarët. Tirana ka sot një nga qendrat më moderne në rajon dhe të vetmen në Shqipëri, të Kontrollit të Trafikut Urban, publik dhe privat. “Ky bilanc pune i realizuar vetëm në dy vjet e gjysmë natyrisht që e shqetëson ish-kryebashkiakun, pasi tregon qartë kontrastin mes motos “shumë punë e pak zhurmë” të Bashkisë sot dhe motos “shumë zhurmë e pak punë” të Bashkisë dje dhe qeverisë sot”, – përmendi nënkryetarja e Bashkisë, Nevila Xhindi.

 

 

 

Mbahet premtimi i Kryebashkiakut

Tregtarët e Kodër-Kamzës kanë një ambient për të tregtuar produktet e tyre

 Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, pa dje nga afër tregun e vënë në dispozicion të tregtarëve të Kodër-Kamzës për tregtimin e produkteve të tyre. Pas zhvendosjes së tregut të gjësë së gjallë, një problem shqetësues për konsumatorët, ambientet e rikonstruktuara u janë vënë në përdorim tregtarëve. “Dy vjet më parë, kur z. Lulzim Basha erdhi në Kodër-Kamëz për të kërkuar mbështetjen e banorëve të saj dha një premtim, që do të bënte ç’ishte e mundur që tregun e gjësë së gjallë i cili ishte shumë problematik në atë kohë për banorët e asaj zone, në kushte tërësisht të papranueshme, baltë, pluhur e faktorë të tjerë atmosferikë, ta zhvendoste dhe në vend të tij të ngrinte një strukturë moderne, të përshtatshme, brenda të gjithë kushteve ku të tregtoheshin produkte ushqimore, fruta-perime dhe gjithçka tjetër për të cilat banorët e zonës kanë nevojë. Pas dy vitesh jemi këtu dhe themi se premtimi është mbajtur. Siç e shikoni, kushtet e tregtimit në këtë treg janë mjaft të mira dhe sigurisht Bashkia do të vazhdojë të mbajë premtimet e saj e njëkohësisht edhe të ndihmojë me financime infrastrukturën përkatëse, në mënyrë që jo vetëm në këtë zonë, si në Kodër-Kamëz por kudo, situata e tregjeve të jetë e përmirësuar dhe t’i përmbahemi premtimeve tona dhe tregtimit brenda të gjitha kushteve higjieno-sanitare e kushteve të tjera teknike që janë të nevojshme. Qytetarët nuk duhet t’u drejtohen atyre tregtarëve që shesin buzë rrugës, në kushte të vështira atmosferike, me baltë, pluhur, në ekspozim të gjithçkaje. Fare mirë, ky treg ashtu si tregjet e tjera i plotësojnë të gjitha kushtet dhe mund të jenë e të shërbejnë si një standard shumë i mirë”, – përfundoi fjalën e tij nënkryetari i Bashkisë. I pyetur në lidhje me afishimin e çmimeve me etiketë plastike që ka qenë një ndër nismat kryesore, Bozdo u shpreh se shumica e tregtarëve çmimet i kanë të afishuara.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency