Qeveria “Rama”, gati për vendosje të tarifës në Rrugën e Kombit

0
105

Ervin Kaduku

 

Paqartësia ka të bëjë vetëm me shumën. Ajo që tashmë është e vendosur, është fakti që autostrada do të jetë e para rrugë në Shqipëri që do të jepet me koncesion

 

 

rruga-e-kombitTarifa e pagesës për qarkullim në autostradën Milot – Kukës – Morinë nuk është përcaktuar ende. Kështu ka deklaruar dje ministri i Transporteve i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto. Ai la të kuptohej se tarifa e përfolur prej 5 eurosh nuk është ende shuma që do të paguajë çdo drejtues automjeti që qarkullon në rrugën Milot – Kukës – Morinë e anasjelltas, por paqartësia ka të bëjë vetëm me shumën. Ajo që tashmë është e vendosur, është fakti që autostrada do të jetë e para rrugë në Shqipëri që do të jepet me koncesion. Ky segment do të jepet me koncesion brenda pranverës ose më saktë, në fillim të verës, që përkon me fillimin e sezonit turistik në Shqipëri. Kjo përkthehet ndryshe si fillimi i pagesës për automjetet që qarkullojnë në këtë rrugë, pesë vjet pas përfundimit të saj. Qeveria “Rama” nuk mundi të gjente mjetet financiare për të siguruar mirëmbajtjen e kësaj rruge, siç arriti të gjente paraardhësja e saj.

 

Rigjallërimi i idesë së Korridorit 8

Ministrat e Transportit të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë janë takuar dje në Tiranë, ku kanë shkëmbyer ide për përmirësimin e disa çështjeve që lidhen me transportin dhe infrastrukturën në rajon. Gjithashtu, në takim është diskutuar edhe për integrimin e mëtejshëm të infrastrukturës dhe shërbimeve në sektorin e transportit të vendeve të Ballkanit.
Në fjalën e tij, ministri Edmond Haxhinasto u shpreh se është i rëndësishëm bashkëpunimi me Bashkimin Evropian për t`u dhënë zgjidhje çështjeve që kanë të bëjnë me projektet strategjike.
Gjithashtu, ministri Haxhinasto u shpreh se duhet të punohet me seriozitet në lidhje me pikëpamjen hekurudhore të Korridorit 8. “Do të kërkojmë të kemi një komisioner pranë Bashkimit Evropian, një përfaqësues që të ndihmojë për të realizuar mbështetjen e nevojshme dhe rritjen e vëmendjes sa i përket këtij korridori”, – tha Haxhinasto.

Siguria e munguar e rrugëve

Ndërkohë, ministri Haxhinasto theksoi se një nga sfidat më të mëdha për Shqipërinë është rritja e sigurisë në të gjitha rrugët e vendit. “Tashmë është hartuar një paketë që parashikon investime, përmirësim të proceseve të dhënies së lejeve të drejtimit, përmirësim të sistemit të testimit të mjeteve dhe rritjes së shërbimit të transportit publik. Kjo paketë do të jetë shumë rigoroze dhe do të ketë efektet e duhura”, – shtoi Haxhinasto.

 

Investimet
Sipas tij, në Korridorin 8 po investohet në dy pjesët kryesore të tij, në segmentin Tiranë-Elbasan, i cili pritet të përfundojë brenda këtij viti dhe Qukës – Qafë-Plloçë, që nis zbatimin në mesin e vitit.
Si arterie kryesore për integrimin rajonal, ministri Haxhinasto përmendi edhe Rrugën e Arbrit që lidh Tiranën me Shkupin. Ai propozoi që kjo rrugë të bëhet pjesë e rrjetit rajonal, nëpërmjet bashkëpunimit në projektin e ardhshëm të BE-së, që nis këtë vit.
“Me Malin e Zi, – tha Haxhinasto, – po punojmë për vendosjen e një lidhjeje ujore.

Po ashtu, – theksoi ai, – po investohet në portet kryesore të vendit për rritjen e kapaciteteve të tyre, ashtu si dhe për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve që ofrohen. Qeveria, – tha Haxhinasto, – parashikon ndërtimin e një porti të ri në Shëngjin, i cili do t’i shërbejë jo vetëm Shqipërisë, por edhe Kosovës e më tej.
Në fushën e aviacionit civil, – theksoi Haxhinasto, – po punojmë për vendosjen në punë të aeroportit të Kukësit, si dhe për ndërtimin e një porti turistik në afërsi të Sarandës”.
Ai evidentoi si mangësi mungesën e lidhjes ajrore mes kryeqyteteve të vendeve të rajonit.
Kreu i Transporteve, Haxhinasto, u ndal edhe në bashkëpunimin për heqjen e pengesave jofizike, që janë pikat e shumta kufitare, kontrollet e zgjatura, kualifikimi jo i duhur i personelit, procedurat e panevojshme, praktikat korruptive dhe prania e panevojshme e agjencive doganore. “Të gjitha këto janë objekt i asaj se çfarë duhet të ndryshojmë së bashku dhe reduktimi i tyre ka vullnet politik. Ajo që mbetet është zbatimi konkret i këtij vullneti politik”, – deklaroi Haxhinasto. Sipas ministrit, Haxhinasto, adoptimi i legjislacionit komunitar dhe ndërhyrjet në infrastrukturën fizike, mbeten sfidë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency