Futbollistët që lexuan vdekjen në media

0
137

Informacioni dhe transmetimi i tij është bërë sot shumë i rifreskuar dhe shumë i shpejtë. Kjo, pasi të gjithë duan informacionin, ndërsa burimet konkurrojnë me njëri-tjetrin për të zënë radhën e më të mirit. Por, përveç informacioneve pozitive, ka edhe nga ato keq informuese. Shumë futbollistë e kanë marrë vesh se kanë vdekur në media, ndërkohë që ata nuk e kanë besuar me sytë e tyre. Sot ju paraqesim disa nga historitë e këtyre viktimave mediatike.

pushkashFerenc Pushkash

Emblema e futbollit hungarez e atij botëror, kampionit të padiskutueshëm të Realit të Madridit, Ferenc Pushkash, gjatë Revolucionit Hungarez në tetor të vitit 1956, u raportua se kishte mbetur i vrarë, duke dhënë shpirt në “barrikadat e lirisë kundër tiranisë të regjimit komunist” hungarez. Gazeta angleze “Manchester Guardian” i kushtoi një artikull të posaçëm në faqen e parë, me një “obituary” (një përkujtimore) shumë prekëse, duke shprehur “hidhërimin e pafund”. Pas vetëm 24 orësh, radioja hungareze konfirmoi faktin se Pushkash ishte gjallë dhe se i kishte kaluar 24 orët e mëparshme, duke u ushtruar me goditjet në futboll. Një muaj më pas, Pushkash vendosi të mos luante më për vendin e tij.

 

Pol Gaskonj

Lajmi për “vdekjen” e Pol Gaskonjit në shtator të vitit 2008, njërit prej legjendave të mëdha të futbollit anglez, por edhe i famshëm në botën për “gjestikulacionet” e “grimasën fantazmagorike” të tij, mori përmasa botërore, madje një nga faqet më të mëdha sportive britanike e ndërkombëtare, “Sky Sports”, shpenzoi një ditë të tërë, duke i bërë “update” gjithë karrierës futbollistike dhe momenteve të pazakonta të jetës së futbollistit “të hekurt”. Zija përfshiu Anglinë, derisa të nesërmen, vetë Gaskonji u shfaq në media, duke qeshur e bërë shaka: “Mësova se kisha vdekur, por kur pyeta rreth e rrotull, mora vesh se nuk ishte e vërtetë”. Ish-futbollisti prej vitesh është me probleme mendore për shkak të përdorimit ekstrem të alkoolit. Madje, historitë e “Gazës” janë gjithmonë në faqet e para të gazetave rozë. Një nga historitë e fundit të tij kishte të bënte me harresën e ish-lojtarit të kombëtares angleze për të qenë në drekën e Krishtlindjeve bashkë në nënën e tij, Karol, aq sa shkaktoi një frikë goxha të madhe te familja e tij: “Nuk dimë se ku është, e prisnim të vinte në shtëpinë e nënës, por nuk erdhi. Kemi frikë se mos i ka ndodhur ndonjë gjë, pasi së fundi e kishin parë duke pirë pa fund”, – thanë atëherë familjarët. Thashethemet rreth jetës së çrregullt të Gaskonjit, janë të shumta, teksa jeta e tij pas lënies së futbollit ka qenë në një kontrast të vazhdueshëm. Heroi i një kohe, kur futbollisti u gdhi milioner brenda një nate, pas transferimit të tij nga Njukasëlli te Totenhemi (1988) dhe që gjatë karrierës së tij futbollistike grumbulloi rreth 14 milionë sterlina, tashmë është një njeri me probleme financiare.

 

Helmut Dukadam

Pasi u akuzua egërsisht nga media rumune pas humbjes së Steauas së Bukureshtit me Barcelonën më finalen e Kupës së Kupave në vitin 1986, portieri Helmut Ducadam u ankua se një makinë nuk ishte e mjaftueshme të mbushte ato që ai kishte dhënë për lavdinë e futbollit rumun. Atë verë, ai papritur u zhduk nga “qarkullimi”, duke i shtuar zërat se ai do të kishte mbetur diku i vrarë në rrethana krejt të panjohura ose i ishin prerë krahët nga agjentët sekretë të Presidentit komunist të asokohe, Nikolae Çausheskut. Pesë vjet më pas, ai i rikthye në “jetë” me të dy krahët në rregull, për të luajtur për një skuadër të kategorive inferiore, Vagonul.

 

Sandi Jang

Në fillim të viteve 1900, ish-sulmuesi i Totenhem Spërs, u përfol se ishte varur në Australi për trafikim dhensh. Thashetheme të tjera e paraqisnin se ai ishte çmendur dhe se kishte vdekur në një spital për të sëmurët mendorë. Por, pas 50 vjetësh, Jang u rikthye në Edinbërg, në moshën 79 vjeç, duke pohuar se dhe “ai vetë e kishte harruar se çfarë kishte bërë në 20 vitet e fundit”.

 

Tomi Farrer

Një deklaratë surprizë e Gledis Farrerit befasoi botën kur tha se bashkëshorti i saj kishte ikur, por vetëm për pak minuta për të blerë letër. Lajmi u dha nga një gazetar i “Northern Echo”, pasi një gazetar i tij kishte telefonuar “vejushën” për t’i shprehur asaj ngushëllimet për kalimin në botën tjetër të ish-yllit të “Bishop Auckland”. Në janar të vitit 2009, klubi mbajti një minutë zi për Farrerin, që befas u ngjall, duke thënë ironikisht: “Është koha për të treguar gjithë të vërtetën e vdekjes dhe të asaj që pashë në jetën e përjetshme”.

 

Mulamba Ndage

Në vitin 1998, gjatë Kupës Afrikane të Kombeve, u lajmërua se sulmuesi i Zairesë, Mulamba Ndage, i cili kishte shënuar nëntë gola në turneun e vitit 1974, kishte vdekur gjatë kryengritjeve që sollën edhe rrëzimin e Presidentit despotik Mobutu. Dhjetë vjet më pas, Ndage u rikthye si një varfanjak. “Është shumë e lehtë të humbasësh në Kongo”, – shpjegoi ai.

 

Abas Rahim Zair

Pasi mesfushori irakian nuk arriti të realizonte penalltinë kundër Jordanisë në vitin 1997, frika se ai mund të terrorizohej nga sekretari irakian i sporteve, Udaj Hysein, provokoi një situatë të pazakontë në vend. Dy ditë pasi skuadra u kthye në Bagdad, u thirr në selinë famëkeqe të Komitetit Olimpik Irakian. Hysein lajmëroi familjen e Zairit se ai kishte vdekur, ndërkohë që pas tri javësh tortura të vazhdueshme, futbollisti u lirua. “Fundi i historisë, – tha Zair, – të paktën e kuptova se çfarë krimi kisha bërë”.

 

Malkolm Mekdonald

“Unë mund të konfirmoj se jam shumë i gjallë”, – tha “Supermac” në vitin 1978, teksa disa radio lokale kishin dhënë detaje të vdekjes së tij në një aksident automobilistik. Në fakt, Mekdonald kishte pësuar një aksident në të njëjtën ditë, por natyrisht, që ai nuk kishte vdekur. Sulmuesi i Arsenalit tha: “Nuk do të jap kurrë ndonjë intervistë në jetën time për këtë gazetar”.

Ernest Zhan Jozef

Pas daljes pozitiv si përdorues dopingu

në Kupën e Botës së vitit 1974, mbrojtësi haitian u mor me forcë nga autobusi i ekipit në aeroportin e Frankfurtit, për ta dërguar si “pako” në selinë e diktatorit haitian “Baby Doc”, Dyvalje. Pas tre muajsh, Jozef, për të cilin shokët e skuadrës besonin se kishte vdekur, u ribashkua me skuadrën kombëtare të futbollit. “Gjithçka kaloi mirë, vetëm se mësova shumë gjëra që s’kishin të bënin më futbollin”, – tha ai./Indeks/

 

Horge Olguin

Kur mbrojtësi argjentinas i Kupës së Botës 1978 shprehu mospëlqimin e tij ndaj juntës ushtarake që drejtonte vendin nga vitet 1970 dhe u zhduk në fillim të viteve 1990, u fol se ai ishte vrarë. Dy vjet më pas, ai u bë i gjallë në Peru, duke thënë se kishte “gjetur shpirtin e tij në malet e Andeve”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency