Vizitat e Kryeministrit në Itali Rama: Shqipëria, horizont i ri për investitorët italianë

0
85

Florenc Drizari

 

rama ne italiKryeministri: do ta heqim barrën e qerasë dhe do të vendosim qiranë prej 1 euro, pavarësisht  sipërfaqes në metër katrorë që do të vihet në dispozicion të një ndërmarrje

 

Gjatë vizitës së tij dy ditore në Itali, kryeministri Edi Rama prezantoi Shqipërinë si një vend që ofron mundësi te reja invetimi për sipërmarrësit. Rama ftoi investitorët e mëdhenj te Lombardisë për të hapur sipërmarrjet e tyre në Shqipëri. Vizita e Ramës në Itali është në vijim të takimeve për shpalosjen e potencialeve që ofron Shqipëria, të cilat nisën në rajonin e Puglias e që vijuan në takimin me Konfindustrinë italiane të bërë disa javë më parë në Romë.

Gjatë vizitës së tij në Itali, Kryeministri Edi Rama shoqërohej nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, si dhe deputetët Artan Gaci, Blendi Klosi e Taulant Balla. Gjata takimit që zhvilloi me Grupin BOSCH, Kryeministri prezantoi  reformat e ndërmarra nga qeveria e re shqiptare. Sipas Kryeminsitrit këto reforma synojnë  afrimin e Shqipërisë me Evropën dhe konsistojnë në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit në tërësi si dhe luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu prezantoi reformat administrative që ndikojnë në thithjen e investimeve e huaja. Duke iu përgjigjur interesit të lartë të investitorëve italianë të organizuar në takim nga Grupi BOSCH, Kryeministri u shpreh se nevojës së ndërmarrjeve italiane për t’u internacionalizuar, Shqipëria  i përgjigjet  me mundësi të mëdha për eksplorim dhe shfrytëzim, të cilave iu bashkohen edhe lehtësi të shumta për këta investitorë.

Rama

“Arsyeja, pse ne jemi këtu, është para së gjithash, se nevoja jonë për investime, është e lidhur sigurisht, nga njëra anë për të zhvilluar sektorët përkatës, por nga ana tjetër për të hapur vende të reja pune. Çdo investim që krijon vende të reja pune, për ne është prioritet.  Për këtë synojmë sektorin e manifakturës, por sigurisht ka dhe industri të tjera që krijojnë vende të reja pune dhe ne jemi të gatshëm t’i mirëpresim. Duke u vënë në dispozicion vende të ndryshme, objekte që kanë nevojë për ristrukturim, por që janë ekzistuese, depo vjetra, baza ushtarake të vjetra. Struktura, të cilat investitorët italianë i kanë gjetur shumë të favorshme më parë, por duke hequr ato barriera, të cilat deri tani ua kanë bërë jetën të vështirë, siç ka qenë kostoja  e qerasë. Kështu që, ne do ta heqim barrën e qerasë dhe do të vendosim qiranë prej 1 euro, pavarësisht  sipërfaqes në metër katrorë që do të vihet në dispozicion të një ndërmarrje, për të ndërtuar infrastrukturën e saj. Vetëm një euro dhe jo në një muaj.” – u shpreh Kryeministri Rama.

Një tjetër takim i zhvilluar nga Kryeministri Rama ishte ai me Shoqatën e Investitorëve Assolombardia, gjatë të cilit u vu theksi në mundësitë që Shqipëria ofron, për investime në hidroenergjetikë, turizëm, infrastrukturë dhe bujqësi. “Jemi të bindur se Shqipëria përbën një horizont të ri për botën e investitorëve italianë. Sepse sot për sipërmarrjet italiane, ajo që mungon këtu, gjendet atje. Mjafton të përmendim se tatimi mbi të ardhurat për sipërmarrjet është vetëm 15 %, puna e dorës ka një kosto shumë të ulët në krahasim me këtu” – u shpreh Kryeministri Rama. Gjithashtu Kryeministri Rama zhvilloi një vizitë në Institutin Evropian të Onkologjisë. Kjo vizitë dhe takimi me drejtuesit e këtij instituti evropian ishte për të vendosur pika bashkëpunimi.

 

 

Rama në Milano: Konsullatë e re e përbashkët me Kosovën

Kryeministri Edi Rama në vizitën e tij në konsullatën e Shqipërisë në Milano, bëri të ditur dy ditë më parë se ajo do të zhvendoset me qëllim krijimin e një hapësirë më të madhe, pasi në godinën e re do të do të atashohet edhe konsulli i Kosovës. Pasi dëgjoi shqetësimet e stafit diplomatik, Rama theksoi se fokusi i përpjekjeve është shërbimi i shpejtë, cilësor dhe transparent. “Ne do të fokusohemi shumë fort tek shërbimet për qytetarët, të cilat kanë trashëguar një histori korrupsioni, një histori arrogance dhe një histori banaliteti që praktikisht nuk i bën nder jo shtetit, por nuk i bën nder askujt. Duhet të bëjmë sa më shpejt spostimin në një vend ku të mund të përballohet ky fluks, duke pasur parasysh që fluksi do të jetë edhe më i madh, për shkak se në të njëjtën hapësirë do të ofrojë shërbimet e veta dhe konsulli dhe stafi i konsullit të Kosovës, gjë që ne kemi rënë dakord dhe do të aktivizohet shumë shpejt. Kështu që praktikisht konsullata e Milanos do të jetë konsullata e shqiptarëve, e të gjithë shqiptarëve, qoftë të Shqipërisë, qoftë të Kosovës.”, – tha Rama.

 

 

 

Deklatara e Moore

Vasili: Mazhoranca, e gatshme për të reflektuar ndaj çdo mesazhi

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, tha se lidhur me deklaratën e Jonathan Moore, zyrtari i lartë i DASH, mazhoranca është e gatshme për të reflektuar ndaj çdo mesazhi.

Gjatë një inteviste televizive, Vasilli tha se: “Në mazhorancë ka një përkujdesje të jashtëzakonshme për të përcjellë dhe për të reflektuar ndaj çdo mesazhi që vjen, në mënyrë të veçantë nga SHBA-të, jo vetëm si aleat strategjik e mik i madh, por njëkohësisht edhe si udhëheqës i mendimit gjakftohtë për zgjidhjet politike. Njëkohësisht mendoj se duhet të ketë një gatishmëri maksimale për mirëkuptim dhe kompromis edhe nga opozita shqiptare. Kjo do të thotë që përkundrejt formulës së kompromisit për shembull të propozuar për reformën administrative-territoriale dhe opozita të kontribuojë për ta perfeksionuar këtë formulë, duke ndarë çështjen e kompromiseve për një çështje të caktuar dhe qëndrimet për çështje të tjera.Kjo na ndihmon që të kemi një qëndrim të qartë për secilën çështje më vete. Pra, pa përzier as të kaluarat negative, por njëkohësisht pa i bërë të kaluarat negative kusht për të mos ecur përpara. Ndaj në tërë këtë kuptim besoj që në mesazhin e z. Moore ka mjaft linja udhëheqëse që orientojnë sot politikën shqiptare në mazhorancë dhe opozitë, për të eksploruar çdo hapësirë dhe çdo mundësi kompromisi, sepse mesazhi thotë qartë që ky kompromis nuk ndihmon partitë politike, por ndihmon të ardhmen e shqiptarëve. I perceptuar si i tillë ky duhet të jetë një kompromis i arritshëm dhe i lehtë, i perceptuar ndryshe si një kalkulim taktik politik i njërës apo tjetrës parti do të ishte një gabim”,- theksoi Vasili.

Ndërkaq, në deklaratën e para dy ditëve zyrtari i lart i DASH, theksonte se mazhoranca duhet të gjejë gjuhën e përbashket për të bashkëpunuar me opozitën dhe se të dyja palët duhet të gjejnë konsensusu për proceset integruese të Shqipërisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency