Jonathan Moore: Jo luftë ndaj korrupsionit me akuza për qeverinë e kaluar

0
122

“Bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës për reformat e integrimit. Shqipëria e ka merituar statusin e kandidatit”

 

Jonathan-Moore-Kreu i Zyrës për Evropën Juglindore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, kërkon bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës për të përmbushur reformat e domosdoshme në kuadër të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Në një diskutim për Ballkanin në Uashington, Moore theksoi se ishte shumë e rëndësishme që rotacioni politik në Shqipëri u bë në një mënyrë të rregullt dhe tha se qeveria aktuale, ashtu si edhe ajo e kaluara, janë të angazhuara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Ishte e rëndësishme që krerët e të dyja palëve, opozitës dhe qeverisë së atëhershme e bënë të qartë që do të respektonin rezultatin e zgjedhjeve dhe pikërisht kjo ndodhi, megjithëse u harxhua gjithë ajo energji duke spekuluar se votat do të vidheshin nga njëra palë ose nga tjetra. Kjo dërgon një mesazh të rëndësishëm jo vetëm për Shtetet e Bashkuara por edhe për Bashkimin Evropian”.

Statusi

Zyrtari i lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit theksoi se SHBA-të shpresojnë që vendimi, i cili nuk u mor dot për statusin e kandidatit rekomanduar nga Komisioni Evropian, të merret brenda këtij viti. “Ka shumë arsye për një gjë të tillë dhe shumë opinione të ndryshme se pse ndodhi, kush votoi në favor dhe kush kundër në BE, por thelbi është se qeveria që sapo kishte ardhur në pushtet, nuk kishte kohë të bënte shumë nga mesi i shtatorit e deri kur Këshilli Evropian mori vendimin”, – u shpreh Moore. Duke u mbështetur në faktin se Këshilli Evropian do ta diskutojë çështjen e statusit kandidat përsëri në qershor, Moore tha se në muajt në vazhdim, qeveria së bashku me opozitën, kanë shansin që të punojë intensivisht për çështjet që kanë të bëjnë me shtetin ligjor. “Të luftosh korrupsionin nuk do të thotë që, ata që kanë pushtetin sot të ankohen për ata që kishin pushtetin më parë. Të luftosh korrupsionin dhe të konsolidosh shtetin ligjor bëhet përmes ngritjes së akuzave nga prokurorët, nëse ka nevojë për ngritje akuzash. Nuk duhet të bëhet fjalë thjesht për fajësim të paraardhësve”, – pohoi ai. Më tej, kreu i Zyrës për Evropën Juglindore në Departamentin e Shtetit pohoi se shteti ligjor do kohë të ndërtohet, por se theksoi ai, duhen ndërmarrë hapat fillestarë. “Pika e rëndësishme, që u vu në pah edhe nga tranzicioni i qetë dhe demokratik, është se këtu nuk ka rol vetëm qeveria, por edhe opozita, pra për të gjetur mënyra për të mbështetur procesin jo vetëm duke u përpjekur të sigurohet mbështetje në BE, drejt së cilës kanë bërë një punë efektive, por ta vënë theksin tek mënyrat e bashkëpunimit”. Nga ana tjetër, Moore nënvizoi se qeveria e sotme, kur ishte në opozitë, jo gjithmonë i ka mbështetur hapat që duheshin marrë nga parlamenti. “Opozita e sotme ka premtuar se do t’i mbështesë hapat e nevojshme në parlament. Kjo duhet të vazhdojë. Qeveria duhet të gjejë një mënyrë të bashkëpunojë me opozitën, të forcojë mesazhin, që të mos shihet si një parti ose koalicion kundër tjetrit. Dhe ka një farë kohe për ta bërë një gjë të tillë, por jo edhe aq. Pra duhet vepruar së më shpejt”. Sipas zyrtarit të lartë të DASH, Shqipëria e ka merituar marrjen e statusit të vendit kandidat. “Ne jemi dakord me Parlamentin Evropian dhe struktura të tjera se Shqipëria e ka merituar statusin e kandidatit por ne nuk kemi të drejtën ta marrim këtë vendim”.

 

Vizita

Ngërçi mazhorancë-opozitë, Füle në Tiranë më 13 shkurt

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Füle pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë më 13 shkurt, ku krahas këshillave dhe monitorimit të reformave të ndërmarra në kuadër të vendimit për statusin në qershor do të kërkojë të rikthejë dialogun mes palëve për disa çështje të rëndësishme. Pasi mazhoranca nuk ka pranuar kërkesat e opozitës për reformën territoriale, duke i dhënë vetëm të drejtën e vetos dhe numrit të barabartë të anëtarëve në komisionin parlamentar, palët duken larg arritjes së konsensusit për reformën territoriale. Nisur nga kjo, duket se vizita e eurokomisionerit do të jetë një përpjekje e radhës për të gjetur bashkëpunimin mes palëve. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Füle do të zhvillojë takime me drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës. Komisioni Evropian pritet të dalë me një tjetër raport për Shqipërinë, të cilin do t’ia prezantojë Këshillit Evropian. Ky i fundit do të shqyrtojë në bazë të raportit, që do të prezantohet nga Komisioni, implementimin e vazhdueshëm të strategjive reformuese antikorrupsion dhe në gjyqësor dhe të legjislacionit të miratuar së fundmi, si dhe trendin e vazhdueshëm të hetimeve dhe ndjekjeve penale proaktive, përfshirë këtu në fushën e krimit të organizuar. Ky raport, do të shërbejë si një pasqyrë e reformave në vend për të dhënë vendimin këshilli i ministrave të jashtëm të BE-së në mesin e qershorit të këtij viti.

 

 

Falja e gjobave

Biznesi, qeverisë: Të bëhet për dy vitet e fundit. Paketa e biznesit fason

Nisur nga premtimi i qeverisë për falje të gjobave nga muaji mars-deri në gusht 2013, Biznes Albania kërkon të zgjatet harku kohor dhe të vendoset për 2 vitet e fundit. Kreu Luan Bregasi kërkoi dje që qeveria të mbajë premtimin për faljen e gjobave arbitrare të administratës së kaluar. “Do ishte shumë më mirë që në të dy vitet e fundit të qeverisjes së kaluar të mos ankimoheshin të gjitha vendimet që ka kthyer drejtoria e apelit të Tiranës, që i ka konsideruar të padrejta në organet tatimore vet institucionet tatimore. Kjo do kishte një logjikë, mund të falen edhe të gjitha të periudhës mars-shtator të vitit të kaluar por donim ta projektonin këtë si projekt sepse edhe përpara kësaj periudhe penalizuar edhe mjaft sipërmarrje private”, – tha Bregasi për “AS”. Nga ana tjetër kreu i Biznes Albania bëri të ditur se biznesi fason po harton një paketë masash lehtësuese për t’ja paraqitur qeverisë, për këtë sektor. “Të dy shoqatat që i kemi anëtarë të Biznes Albania edhe ajo e veshjeve dhe të këpucëve janë duke punuar që të bëjnë një paketë të veçantë, specifike. Jo vetëm në aspektit e tatim fitimit por edhe për të punësuar për një kohë 1 vit dhe tatimet e tjera mund të subvencionohen nga shteti derisa ato të kualifikohen. Shkollat që ka shteti të kualifikojnë punëtorë për sektorët e fasoneve, përjashtim nga tatimfitimi”, – tha Bregasi, duke theksuar se sektori fason do të gjenerojë shumë vende të reja pune. “Këto lehtësira do rrisin punësimin se tregu ka filluar te drejtohet drejt Shqipërisë, të shumë tregjeve të rajonit por edhe kostoja e këtyre shërbimeve ka filluar të rritet. Shqipëria është bërë atraktive edhe nga pozicioni gjeografik por edhe nga kostoja e ulët që kanë këtu disa shërbime”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency