Reforma territoriale Basha: Kërkesa e vetme e opozitës, konsensusi i gjerë dhe konsultimi publik

0
79

Gëzim Saliu

 

Kreu i PD-së: Mazhoranca, sulm të paprecedentë shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura

 

“Reforma ka impakt të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor dhe në atë të decentralizimit”

 

Basha  me suedezinE vetmja kërkese e opozitës ndaj mazhorancës për reformën administrative është konsensusi i gjerë dhe konsultimi publik deri në aktin e fundit të votimit në Kuvendin e Shqipërisë. Kështu bëri të ditur dje kreu i PD-së, njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Lulzim Basha, në takimin me ambasadorin e Suedisë në Shqipëri, Mats Staffansson, dhe të ngarkuarin me punë të Suedisë në Tiranë, Patrik Svensson, duke theksuar vullnetin e opozitës për të bashkëpunuar për reformat e vendit. “Opozita ka vullnetin e plotë, të shprehur dhe konkretisht për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm dhe plotësuar të gjitha detyrimet e saj në raport me reformat madhore të vendit, përfshirë reformën administrativo-territoriale. Kjo reformë nuk është thjesht dhe vetëm vizatim kufijsh në hartën e Shqipërisë, por ka impakt të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor dhe në atë të decentralizimit. Për këtë arsye e vetmja kërkesë është një konsensus i gjerë politik midis mazhorancës dhe opozitës dhe një konsultim i gjerë publik nga akti i parë e deri tek akti i fundit, që është miratimi me votë në Kuvendin e Shqipërisë”, – tha Basha. Sipas kreut të opozitës, konsensusi është një kusht i panegociueshëm i së djathtës në mënyrë që, theksoi ai, produkti final t’u shërbejë interesave të qytetarëve dhe jo llogarive elektorale të mazhorancës.

 

Takimi

Pasi i shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe kontributin që Suedia i ka dhënë Shqipërisë në zhvillimin ekonomik, por edhe në procese të rëndësishme, si anëtarësimi në NATO dhe liberalizimi i vizave, Basha u ndal në takimin e djeshëm në zhvillimet e fundit në vend. Ai i shprehu ambasadorit suedez shqetësimin e PD-së dhe opozitës në tërësi për goditjen e rëndë, pohoi Basha, që mazhoranca e re u ka bërë themeleve të demokracisë, votës së lirë, institucioneve të pavarura dhe konsensusit. Lideri i opozitës ka theksuar se pas skandalit të blerjes së votave, një tjetër skandal i tipit mafioz është bërë publik kohët e fundit. “Me ndërhyrjen e paligjshme në serverin e zyrës së Tatimeve, persona të veshur me pushtet kanë vjedhur të dhëna fiskale të miliona qytetarëve shqiptarë dhe bizneseve të tyre. Në shkelje të Kushtetutës, mazhoranca Rama-Meta refuzoi kërkesën e opozitës për transparencë përmes ngritjes së komisionit të hetimit parlamentar”, – tha Basha. Në këtë kontekst, kreu i PD-së theksoi se pavarësisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që e ka shpallur antikushtetues e për rrjedhojë pa asnjë fuqi juridike aktin normativ të qeverisë që ndryshoi në mënyrë të njëanshme ligjin për nëpunësin civil dhe shkatërroi në mënyrë të paprecedentë konsensusin, mazhoranca PS-LSI, ka intensifikuar sulmi ndaj administratës publike. “Çdo ditë profesionistë largohen masivisht nga puna dhe në vend të tyre emërohen militantë politikë. Policia dhe organet e rendit po përjetojnë një degradim të paprecedentë gjatë këtyre 20 viteve, si pasojë emërimeve politike dhe në kundërshtim flagrant me ligjin. Sot, Policia e Shtetit po përdoret për qëllime politike e antiligjore çka ka sjellë rritjen e kriminalitetit që po kërcënon përditë jetën dhe pronën e qytetarëve shqiptarë”, – theksoi ai. Më tej, Basha pohoi se mosnjohja e vendimeve gjyqësore është kthyer në normë pune nga mazhoranca e re duke sjellë si shembull edhe moszbatimin e vendimit për kthimin në detyrë të drejtores dhe anëtarëve të bordit të INSTAT-it. “Qeveria “Rama-Meta” ka lançuar një sulm të papranueshëm ndaj institucioneve të pavarura si ILDKP, AMA, Presidentin e Republikës etj., në shkelje të hapur të Kushtetutës, si dhe po ushtrohet presion politik mbytës mbi institucionet e drejtësisë”. Në përmbyllje të takimit, Basha theksoi se pavarësisht sjelljes antidemokratike të mazhorancës ndaj Kushtetutës, shtetit ligjor dhe parimeve të konsensusit demokratik: “Partia Demokratike dhe opozita shqiptare vijon të mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për mbështetje pa kushte të të gjitha hapave dhe reformave madhore të procesit të integrimit”.

 

 

Meta me Staffansson: Gjithëpërfshirje dhe transparencë për reformat

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, priti dje ambasadorin e Suedisë në Shqipëri (rezident në Shkup), z. Mats Staffansson, ku i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të Suedisë në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe shprehu vullnetin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, si në planin ndërparlamentar, ashtu edhe në drejtim të bashkëpunimit ekonomik. Nga ana e tij, ambasadori Staffansson theksoi se Suedia është një prej miqve më të afërt të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke vënë në dukje se vendi ka reflektuar zhvillime pozitive gjatë viteve dhe muajve të fundit. Në këtë kuadër, ambasadori shprehu dëshirën për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh duke nënvizuar se Suedia është e gatshme ta rrisë mbështetjen e saj ndaj Shqipërisë dhe rajonit. Duke biseduar për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, Kryetari i Kuvendit, Meta, dhe ambasadori Staffansson ndanë bindjen e përbashkët se gjithëpërfshirja, transparenca dhe konsultimi i vazhdueshëm me shoqërinë civile dhe grupet e ndryshme të interesit, janë baza më e mirë e angazhimit për ndërmarrjen e reformave të mëdha që ka nevojë vendi. Në këtë kontekst, Meta e falënderoi ambasadorin Staffansson për mbështetjen e veçantë që Suedia jep në kuadër të reformës administrative dhe territoriale si domosdoshmëri për një pushtet vendor real, efikas dhe të aftë për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët.

 

 

 

Reforma për ndarjen e re administrative

Mazhoranca refuzon kërkesat e opozitës, komisioni parlamentar, pa funksion

Pasi mazhoranca ka bërë të ditur se nuk do të pranojë kërkesat e opozitës për një konsensus të gjerë për reformën administrative, duket se komisioni i posaçëm parlamentar për reformën administrative, i ngritur një javë më parë me vetëm votat e të majtëve, nuk do të ketë funksion. Kështu, nëse palët nuk ndryshojnë qëndrimet e deritanishme, komisioni do ta këtë të pamundur të funksionojë, nisur nga fakti se në vendimin e miratuar për ngritjen e tij, theksohet se ai do të ketë pjesëmarrjen të barabartë dhe se do t’i zhvillojë mbledhjet në prani të më shumë se gjysmës së anëtarëve. Sipas këtij paragrafi, komisioni do të duhet të ketë praninë e të paktën edhe të një përfaqësuesi të opozitës për të funksionuar. Opozita ka deklaruar se do të bëhet pjesë e këtij komisioni, vetëm kur të ketë konsensus të gjerë deri në votimin në Kuvend të reformës dhe kur të rikthehet konsensusi për ligje të miratuara me konsensus mes palëve e që janë shkelur sipas saj nga mazhoranca. Kjo kërkesë është rrëzuar nga mazhoranca, e cila ka theksuar se krahas numrit të barabartë të anëtarëve në komision dhe vetos së opozitës, nuk do të negociojë për kërkesa të tjera. Komisioni për reformën administrative ka si objekt përcaktimin e kritereve për ndarjen e re territoriale, hartimin dhe përcaktimin e kalendarit të zbatimit të kësaj reforme dhe përgatitjen e projektit për ndarjen e re. Vendimi i miratuar tashmë përcakton se komisioni i posaçëm ngrihet mbi bazën e barazisë pozitë-opozitë dhe se në përbërje të tij do të ketë 16 anëtarë, nga të cilët 8 janë përfaqësues të pozitës (6 PS dhe 2 LSI) dhe 8 përfaqësues të opozitës (6 PD, 1 PR dhe 1 PDIU ).

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency