Merkato Adanaspori në kërkim të Zeqirit, Vllaznia rikthen Seminën

0
130

ZeqiriLajme të reja për disa nga lojtarët shqiptarë dhe për skuadrat. Kjo, pasi pritet që të ketë disa lëvizje të fundit derisa të fillojë kampionati i rregull. Në gjirin e Vllaznisë duket se është rikthyer Semina, i cili u largua për të provuar aventurën e tij jashtë. Ndërsa mësohet se për Zeqirin është interesuar Adanaspori, që mund t’ia rrëmbejë Flamurtarit dhe t’i heqë një ndër lojtarët më cilësorë. Pamundësia e nënshkrimit në Gjermani ka bërë që Semina të rikthehet sërish në Shkodër, ku pas mirëkuptimit me drejtuesit e stafit teknik dhe të klubit kuqeblu, ka rinisur procesin stërvitor me Vllazninë, në dispozicion të së cilës do të jetë deri në fund të sezonit 2013-2014. Nga sa mësohet, rikthimi i Seminës është pritur mirë, jo vetëm nga kolegët e tij të skuadrës, por edhe nga stafi teknik, për të cilin tashmë shtohen akoma më tepër alternativat për repartin e mbrojtjes. Vetë tekniku Canaj, gjatë prononcimeve të para të fillim vitit 2014, pati shprehur keqardhjen rreth largimit të këtij futbollisti nga skuadra, duke bërë të ditur se kontrata që Semina kishte të lidhur me klubin, e lejonte atë për t’u larguar në një skuadër të huaj. Semina bëri të ditur ditët se sllovakët dhe gjermanët nuk i mundësuan atij nënshkrimin zyrtar për të vijuar karrierën sportive jashtë vendit. Megjithatë, duke shprehur kënaqësinë që do t’i jepet mundësia të kontribuojë për skuadrën e tij të zemrës, Vllazninë, Semina pohon se me mbylljen e këtij sezoni futbollistik, ai do të provojë sërish në periudhën e verës me të tjera tratativa për t’u larguar nga Shqipëria me synimin e sistemimit në një kampionat të huaj.

 

Turqit e Adanasporit tentojnë Zeqirin

Mjaftonte të rifitonte gjendjen fizike që të rikthehej në një ndër lojtarët më të vlerësuar të kampionatit shqiptar. Fjala është për Hair Zeqirin, i cili pasi kaloi problemet fizike të fundsezonit të kaluar, ka disa muaj që është në topformë dhe sigurisht me mënyrën si luan ka tërhequr vëmendjen e shumë njerëzve të lidhur me futbollin. Dhe nëse në fillimet e dhjetorit të kaluar, ishte ekipi i Partizanit që e kërkonte me ngulm futbollistin vlonjat, kësaj here janë disa ekipe turke që e kanë shënjestruar atë. Forma e mirë e treguar në ndeshjet e zhvilluara nga Flamurtari në Belek nuk ka kaluar pa u vënë re, nga “lumi” i menaxherëve dhe agjentëve që ndodhen në Turqi kur ka faze përgatitore, dhe shtatlarti vlonjat mësohet se ka pasur oferta të shumta në drejtim të tij. Kështu, ekipi që e ka ndjekur më shumë atë ka qenë ai i Adanasporit, madje mësohet se ka pasur edhe një ofertë konkrete në drejtim të tij. Ekipi me ngjyra portokalli militon në Kategorinë e Dytë turke, atje ku Zeqiri është aktivizuar më parë, por me ngjyrat e Cajkur Rizesporit. Megjithatë, pavarësisht nga ofertat e ndryshme turke, mësohet se numri “19” i Flamurtarit do ta mbyllë këtë sezon në Vlorë dhe nuk ka ndërmend të largohet.

 

 

Basha bën debutimin me Hajdukun

Talenti i ri shqiptar, Arlind Basha, ka shkëlqyer në debutimin e tij me skuadrën e parë të Hajdukut. 19-vjeçari nga Gjakova, i cili aktivizohej me të rinjtë e skuadrës kroate, është grumbulluar me ekipin e parë në Antalia të Turqisë, vend ku klubi kroat po kryen fazën përgatitore. Ai gjatë ndeshjes së sotme me skuadrën austriake, Sturm Graz, ka luajtur në 45 minutat e para, çka i ka mjaftuar talentit shqiptar që të shënojë golin debutues me ekipin e parë dhe të japë pasimin për golin e dytë. Ai hapi serinë e golave në minutën e 22-të, derisa 12 minuta më vonë një asist i Bashës për bashkëlojtarin e tij që realizoi golin që doli të jetë rezultati final i takimit. Kohë më parë, Basha ka shprehur dëshirën për të veshur fanellën e kombëtares shqiptare.

 

 

 

Partizani përgatitet për stadiumin e ri

Duket se të kuqtë e Partizanit do të kenë tashmë edhe një arsye tjetër pse të krenohen. Kjo, pasi ekipi do të ketë edhe stadiumin e ri. Në muajin mars ekipi i Partizanit do të nisë përgatitjet për të ndërtuar “shtëpinë” e tij të re. Të kuqtë do të zhvendosen tek mjediset ku është aktualisht Shkolla e Bashkuar. Ekipi do të përgatisë ambiente për të ndërtuar kompleksin e ri. Këto mjedise janë marrë me koncesion dhe pritet që menjëherë në muajin mars të nisë puna për të ndërtuar tempullin e ri.

 

 

Kukësi dhe tetë zyrtarizimet

Kukësi duhet thënë se është edhe skuadra që bëri më shumë lëvizje në këtë merkato janari, pasi ekipi verilindor është plotësuar me plot 8 futbollistë që në fazën e dytë do të jenë pjesë e nënkampionëve dhe në dispozicion të trajnerit Naxhi Shensoi. Blerja më e mirë duket se është Solomon Izuçuku që është një ndër më të rëndësishmit në kampionatin e Superiores. Lojtari është një nga sulmuesit të rëndësishëm në dy sezonet e fundit tek skuadra e Bylisit, për të vazhduar edhe me Henri Uçe, Ismail Gata, Olabisi Samuel dhe Pierr Boja. Këto përforcime pritet që të rrisin nivelin e skuadrës dhe ta çojnë ekipin në një nivel tjetër duke synuar seriozisht titullin kampion.

 

 

Dinamo vazhdon me problemet për fushën

Tek Dinamoja vazhdon problemi i orarit të stërvitjes edhe pse skuadra për pak javë është stërvitur normalisht, por me kthimin e Kastriotit dhe Kukësit nga faza përgatitore situata është ndërlikuar sepse janë këto dy ekipe që stërviten në mesditë, ndërkohë që sipas drejtuesve të Dinamos është e papërshtatshme që lojtarët të stërviten në orën 09:00 të mëngjesit, ndërkohë që ndeshjet luhen në orën 14:00. Kaosi i terreneve vazhdon tek blutë, të cilët në “shtëpinë” e tyre vazhdojnë që të ndihen si të huaj. Në këtë moment edhe stafi e ka të pamundur të përcaktojë një orar për stërvitjen e skuadrës, madje dhe dje futbollistët kanë qenë të hallakatur.

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency