Homazhet për 21 Janarin Rama: Drejtësia të bëjë drejtësi. Reformë të thellë në sistem

0
130

Gëzim Saliu

 

Lule, muzikë funebre dhe 4 pllaka bronzi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

 

21 janari...Partia Socialiste dhe aleatët e majtë përkujtuan dje 3-vjetorin e 21 Janarit dhe katër protestuesit që humbën jetën në demonstratë. Ndryshe nga dy vitet e kaluara, përkujtimorja e këtij viti e gjeti PS-në në qeverisje dhe lidhur me këtë fakt Kryeministri Rama deklaroi se qeveria do të angazhohet për të vënë drejtësi për këtë ngjarje si edhe për të reformuar sistemin në tërësi. Para familjarëve të viktimave, kreu i qeverisë theksoi se vota e 23 qershorit lidhet me ndryshimin rrënjësor të sjelljes së qeverisë me shqiptarët dhe interesat e vendit. “Shumë gjëra kanë ndryshuar nga 21 Janari i padrejtësisë së përgjakshme, por një nga shumë gjërat që nuk ka ndryshuar, më e rënda dhe më fyesja për Shqipërinë në mes të Evropës, për Shqipërinë në rrugën e Bashkimit Evropian, për Shqipërinë e dalë para thuajse çerek shekulli nga ferri i padrejtësisë së komunizmit, është ferri i sistemit të sotëm të drejtësisë. Është ferri ku përvëlohen të varfrit, të dobëtit, të pambrojturit. Është ferri ku përpëliten nënat që kërkojnë hakun e djemve të vrarë, gratë që kërkojnë drejtësi për vrasësit e burrave të tyre, fëmijët që shohin të lirohen kriminelët, që ju çuan baballarët nën dhe. Koha nuk pret, por më shumë akoma, Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë më durim, me plot të drejtë, përballë shfaqjes së përditshme të këtij ferri përqeshës. Reforma e thellë e drejtësisë është imperativi i kësaj kohe dhe vendosja e drejtësisë mbi binarët e Kushtetutës dhe të ligjit është ultimatumi i popullit sovran, në 23 qershorin e vitit që sapo lamë pas, për “Aleancën për Shqipërinë Evropiane””, – deklaroi Kryeministri.

 

Homazhet

Homazhet e djeshme nisën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mes dhimbjes dhe lotëve familjarët rikujtuan të dashurit e tyre, që humbën jetën në protestën e organizuar nga opozita e kaluar tre vjet më parë. Po ashtu, kreu i qeverisë, anëtarë të kabinetit, e qytetarë, nën tingujt e muzike funebër vendosën lule në vendet ku u vranë Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Në këto vende, me idenë e një grupi artistësh shqiptarë e të huaj me nismën e kreut të qeverisë ishin vendosur 4 pllaka bronzi, të cilat janë imitim i shtresës së bulevardit, por pa ndonjë mbishkrim mbi to. Ndryshe nga çdo vite, në ceremoninë e djeshme përkujtimore të demonstratës së 21 Janarit mori pjesë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim e kryesuar nga kreu i grupit parlamentar, Petrit Vasili. Para homazheve, kreu i qeverisë mblodhi familjarët e viktimave dhe aleatët në Kryeministri, ku gjatë fjalimit të tij theksoi se me qeverinë e re populli nuk është më peng i pushtetit, sepse pushteti, sipas tij, është kthyer në duart e popullit. “Ky bulevard nuk është më rruga e ndarjes mes pushtetit që të merr shpirtin, bukën e gojës dhe qytetarëve që ecin, tubojnë, protestojnë. Populli s’është më peng. Sot Shqipëria as rrezikon më të kthehet aty ku ishte në 21 Janarin e 3 viteve më parë, as të rrijë në vend. Sot pushteti është kthyer në duart e popullit dhe qeveria është në krye të përpjekjeve të popullit për Shqipërinë evropiane”, – deklaroi Kryeministri.

 

 

21 Janari

Merr pjesë edhe LSI: Nuk kemi ndryshuar qëndrim, të zbardhet e vërteta

21 Janari ka mbledhur dje bashkë për herë të parë të gjithë aleatët e PS-së, ku surpriza e pritshme ka qenë përkujtimi i katër viktimave nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Grupi parlamentar i LSI-së i kryesuar nga Petrit Vasili ka marrë pjesë si në fjalimin e Kryeministrit në selinë e qeverisë ashtu edhe në homazhe. Lidhur me këtë fakt, Vasili theksoi se forca ku ai bën pjesë nuk ka ndryshuar qëndrim për ngjarjen dhe se kërkon zbardhjen e së vërtetës. “Kemi ardhur për të nderuar viktimat, nuk ndryshuam qëndrim, 21 Janari duhet të zbardhet”, – u shpreh ai. Ndërkohë, pjesëmarrja e LSI-së është vlerësuar nga partnerët e tjetër të socialistëve. “LSI merr pjesë në ceremoni si pjesë e së majtës”, – tha Milo. Pas demonstratës së 21 Janarit të vitit 2011, LSI e cilësoi ngjarjen si dhunë ndaj institucioneve dhe ka deklaruar se në këtë datë, banda kriminale e sulmuan policinë dhe selinë e Kryeministrisë.

 

 

Protesta

Përplasen me policinë, të rinjtë: Kokëpalarë të të gjitha rrethinave, bashkohuni

Një grup të rinjsh kanë menduar ta përkujtojnë ndryshe demonstratën e 21 Janarit, ku kanë protestuar dje përpara piramidës nën parullën “Kokëpalarë të të gjitha rrethinave, bashkohuni”. Kjo parullë bëri që të mblidheshin rreth tyre efektivë të policisë së rendit. Uniformat blu u kërkonin largimin nga sheshi me pretendimin se nuk kishin marrë leje për një protestë të tillë, por organizatorët kundërshtuan, pasi, sipas tyre, 21 Janari është dita e kokëpalarëve, dita e revoltës së tyre, mllefit ndaj hajdutëve, shfrytëzuesve, shtypësve dhe përfituesve. Megjithatë, të gjitha këto nuk e bindën Policinë e Shtetit për protestën e këtij grupi të ri, ku dy prej protestuesve u shoqëruan edhe në komisariat.

 

 

Kreu i PD-së

Basha: Pasoja e 21 Janarit nuk ndahen nga shkaku, shkaktarët dhe organizatorët

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaron se pasojat e 21 Janarit nuk mund të shihen të ndara nga shkaku dhe organizatorët e tij. Në konferencën së bashku me aleatët e opozitës, ku bëri të ditur qëndrimin për reformën administrative, i pyetur nga gazetarët për këtë ditë, Basha theksoi: “Pasojat e 21 Janarit nuk mund të ndahen kurrë nga shkaku, shkaktarët dhe organizatorët e 21 Janarit, që sot përdhosën kujtimin e viktimave të 21 Janarit”.

 

 

21 Janari

Berisha: Ngjarja më e rëndë e shtetit në 80 vite, forcat e rendit mbrojtën institucionet

 Ish-kryeministri Berisha reagoi dje lidhur me përkujtimin e 3-vjetorit të demonstratës së 21 Janarit të organizuar nga opozita e kaluar, ku theksoi se ngjarja ishte e organizuar nga Partia Socialiste për të marrë pushtetin me dhunë. “Tre vjet më parë, Edvin Kristaq Rama ndërmori sulmin e organizuar dhe të koordinuar kundër selisë së Këshillit të Ministrave për marrjen e pushtetit me dhunë. Ngjarja pati, sipas Edi Ramës, si shkak “bllokun e Ilir Metës”, por shkaku i vërtetë i saj ishte etja e pashuar e Edvinit për të marrë pushtetin me dhunë. Më 21 janar të vitit 2011, banditë të paguar sulmuan për 5 orë me bomba molotov, gur, hunj, eksplozivë, selinë e Këshillit të Ministrave”, – shkruante Berisha. Sipas ish-kreut të qeverisë, “forcat e rendit dhe ato të Gardës së Republikës mbrojtën me vetëmohim dhe heroizëm institucionet dhe rendin kushtetues. Në përleshjet që u zhvilluan atë ditë pati katër viktima dhe dhjetëra e dhjetëra policë, gardistë e qytetarë të plagosur. Duke shprehur edhe një herë ngushëllimet e sinqerta për viktimat, denoncoj 21 Janarin si ngjarjen më të rëndë në historinë e shtetit shqiptar në 80 vitet e fundit”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency