Vrasja Atentat për hakmarrje kreut të bandës “Gjepali”

0
193

Anxhela Tato

 

Ekzekutohet me 3 karikatorë Astrit Gjepali dhe kunati i tij, autorët i kishin zënë pritë

 Autorët i vunë flakën makinës dhe e braktisën për të humbur gjurmët e gishtave

  

astrit gjepaliTre karikatorë makinës ku ndodhej Astrit Gjepali, i cili ishte duke u kthyer në burgun e Peqinit. I dënuar me 25 vjet heqje lire, kreu i bandës “Gjepali” ndodhej në automjet me dy kunetërit e tij, të cilët po e shoqëronin në rikthimin në qeli, por rruga i është prerë nga një automjet, që i kishte zënë pritë. Menjëherë sapo është pikasur makina e Gjepalit është hapur zjarr me breshëri ndaj tij, çka ka barë që Gjepali të humbte drejtimin e automjetit dhe të binte në kanal. Ky ka qenë pozicioni më i përshtatshëm për autorët, të cilët kanë mbaruar të gjithë karikatorin mbi hasmin e tyre. Nga plumbat ka humbur jetën edhe Halil Fici, i cili ishte ulur në vendin e pasagjerit, ndërsa është plagosur kunati tjetër Ilir Sulki, i cili fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dy trupat e pajetë janë transportuar për në Tiranë në Spitalin Ushtarak, ku i janë nënshtruar ekspertizës mjekësore. Nga të dhënat e para bëhet me dije se Gjepali ka marrë shumë plumba në trup dhe ka gjetur vdekjen në vend. Ish-kapoja i bandës “Gjepali” ka plagë tejshpuese në kokë, në stomak, në kraharor, të cilat i kanë marrë jetën. Ndërsa nde nuk bëhet e qartë se ku është goditur viktima Halit Fici. Ky i fundit ka qenë i dyshuar në shtetit Italian si trafikant lëndësh narkotike. Nga të dhënat e para të policisë mësohet se shënjestër ka qenë pikërisht Astrit Gjepali dhe motivi i krimit mund të jetë hakmarrja e lidhur kjo me krimet e rënda të bandës së tij.

 

Mekanizmi

 Rreth orës 13:00, një telefonatë mbërriti në rajonin e policisë së Kavajës, ku u raportuan të shtëna dhe zhurmë afër Rrogozhinës. Menjëherë forca të shumta policie mbërritën në vendngjarje, ku gjetën një automjet të tipit “Mercedes-Benz”, me targa gjermane, që kishte rënë në një kanal. Brenda u gjendën dy trupa të pajetë si dhe një person i tretë i plagosur. Dy viktimat u identifikuan si Astrit Gjepali dhe Halit Fici, ndërsa të plagosur janë Ilir Sulki dhe Mariglen Balliu. Nga të dhënat e policisë u bë me dije se Gjepali ishte duke u kthyer në burg pas lejes 7 ditore dhe po shoqërohej nga dy kunetërit e tij. Mësohet se një makinë “Mercedes-Benz” pa targë ishte parkuar në anë të rrugës, duke pasur sinjalizime se në ato momente Gjepali do të kalonte në atë rrugë për t’u kthyer në Peqin. Sapo është parë nga larg automjeti me të cilin po udhëtonte Gjepali, makina i ka dalë përpara dhe i ka prerë rrugën. Në këto momente janë dëgjuar vetëm të shtëna me breshëri dhe Gjepali në tentativë për t’u zmbrapsur ka humbur drejtimin e timonit duke përfunduar në kanal. Në këto rrethana autorët i janë afruar dhe kanë shkrehur tre karikatorë në drejtim të Gjepalit. Nga plumbat ka marrë plagë Balliu dhe Fici, ku ky i fundit ka humbur jetën.

 

Hetimet

 Dyshohet se kanë qenë tre persona në automjet që kanë hapur zjarr. Ata janë larguar me shpejtësi nga skena e krimit, duke braktisur makinën tre kilometër larg nga autostrada Lushnjë – Fier. Makina ishte karbonizuar me qëllim që të mos mbeteshin gjurmë gishtash, në afërsi të automjetit u gjendën edhe armët e krimit. Dyshohet se autorët kanë pasur bashkëpunëtorë që i kanë vënë në dijeni të lëvizjeve të Gjepalit. Sipas bluve ky është një krim mafioz, i lidhur me vrasjes e bandës së Gjepalit në shenjë hakmarrje për ndonjërin nga pesë viktimat. Por nuk përjashtohet as pista e trafikut të drogës, duke u lidhur kjo me faktin se kunati i tij Halit Fici ka qenë i dyshuar në Itali për trafik droge. Nga ana e bluve kanë nisur hetimet intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, ndërsa Ministria e Brendshme ka vënë në dispozicion të zbulimit të autorëve një helikopter. Pritet që blutë të fillojnë me marrjen në pyetje të familjarëve të pesë viktimave që janë vrarë nga banda Gjepali si dhe nëse viktimat ka pasur konflikte me persona të tjerë. Vetë familjarë të Gjepalit kanë mohuar që ai të kishte probleme me ndonjë të dënuar tjetër.

 

 

Apeli

Banda e Gjepalit, fajtore për 5 vrasje brenda 24 orëve

 Banda e Astrit Gjepalit është dënuar në maj të vitit 2003 nga ana e Gjykatës së Apelit të Elbasanit për pesë krimet e ndodhura brenda 24 orëve në 15 shtator të vitit 1997. Katër anëtarët e kësaj janë akuzuar nga Prokuroria se vetëm brenda 24 orëve, në datat 15 dhe 16 shtator të vitit 1997, kanë vrarë pesë persona dhe kanë plagosur disa të tjerë. Viktimat e tyre kanë qenë shtetasit Luan Plaku, Kajmak Kullolli, Bilal Neza, Gëzim Beqiri e Nazmi Kopshti, ky i fundit punonjës policie. Prokuroria ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për Astrit Gjepalin; 25 vjet burg për Naim Qerimin; 25 vjet burg për Mirush Jarecin dhe 20 vjet burg për Bashkim Haxhinë. Sipas akuzës, anëtarët e grupit vepronin në akset rrugore duke ndaluar mjetet që kalonin dhe grabitur ato. Kështu, sipas akuzës, më 16 qershor 1997 Astrit Gjepali dhe bashkëpunëtorët e tij ka vrarë shtetasin Luan Plaku në Durrës dhe vetëm disa orë më vonë ai ka qëlluar në kodrën e Rrashbullit dy persona të tjerë në një fuoristradë, duke i plagosur rëndë ata. Në një lokal në fshatin Fllohë në Durrës, Astrit Gjepali dyshohet se ka kryer vrasjen e dytë, ndodhur në orën 17:00, ndaj Bilbil Nezirit. Seria e vrasjeve vazhdon, kur në orën 23:00 të mbrëmjes së po asaj dite ekzekutohen edhe dy persona të tjerë, Kajmak Kullolli dhe Gëzim Beqiri, tek “4 Rrugët” në afërsi të Shijakut. Seria e vrasjeve të asaj dite është mbyllur me vrasjen e punonjësit të policisë Nazmi Rapishti, në kodrën e Rrashbullit. Astrit Gjepali u dënua me 25 vjet burg, Naim Qerimi u dënuar me 25 vjet burg, Mirush Jareci u dënuar me 20 vjet burg dhe Bashkim Haxhia u dënuar me 20 vjet burg.

 

 

Aktakuza e Prokurorisë për grupin që terrorizoi Durrësin

Gjepali tha: Nuk do të të vrasim, se boll kemi vrarë sot

 Sipas aktakuzës së lexuar nga prokurori në sallën e gjyqit në maj 2003, viktimat e serialit të vrasjeve kanë qenë persona të thjeshtë. Ata nuk kanë pranuar t’u japin makinat personave të akuzuar për vrasjet, të cilët kryenin rrëmbime të dhunshme automjetesh. Natën e pesë vrasjeve, siç citohet në dosjen e Prokurorisë, Astrit Gjepali i ka thënë njërit prej të dëmtuarve: “Nuk do të të vrasim, se boll kemi vrarë sot”. Veç vrasjeve të bëra në Durrës, Prokuroria i ka faturuar Gjepalit edhe një ekzekutim të ndodhur në Zvicër. Ylli Majaci është ekzekutuar rreth orës 19:40 më 23 mars 1993 në Zyrih. Prokurorët e kanë cilësuar grupin e drejtuar nga Gjepali, ku bënte pjesë edhe Bashkim Haxhia, si “tmerrin” e zonës së Shijakut. “Kryerja e vrasjeve fillimisht në Durrës e më pas në fshatrat përreth në një kohë të shkurtër dhe pa arsye vërteton se Gjepali ka pasur si synim krijimin e terrorit në rrethin e Durrësit”, – janë shprehur prokurorët. Një prej viktimave të grupit të Gjepalit ishte Luan Plaku. Ai po udhëtonte me makinë së bashku me një mikun e tij, të quajtur Altin Çuka. Rreth orës 16:00, Astrit Gjepali dhe Naim Qerimi i kërkuan makinën. Kur Luan Plaku nuk e dorëzoi mjetin, ata e kanë vrarë. Pasi kanë rrëmbyer disa makina, të akuzuarit kanë shkuar për t’u hedhur karburant. Kanë mbushur makinat dhe kanë vrarë punonjësit që u kërkonin paratë e naftës. Efektivi i policisë është vrarë më vonë, pasi Gjepali e kishte thirrur për t’i thënë se “i kishte inat policët”, thuhet në dosjen e akuzës.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency