Banka e Shqipërisë / Çfarë do të ndodh me kreditë në vitin 2014

0
182

Ervin Kaduku

–   Shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë konfirmojnë tkurrje të kredive për shtëpi për individë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë

–   Banka e Shqipërisë ka konfirmuar se vlera e shtuar në sektorin e ndërtimit ka mundur të shënojë rritje vjetore prej 16% në tremujorin e dytë. Por të dhënat e vrojtimeve për sektorin sinjalizojnë ngadalësim të mundshëm të performancës së aktivitetit ndërtues në tremujorin e tretë

 

ndertimet-ne-tiraneEnde pa hyrë në fuqi taksat e reja për rritjenn e taksimit mbi banesat, indeksi i çmimit të banesave regjistroi një ndryshim vjetor negativ në tremujorin e tretë të vitit 2013, për të pestin tremujor radhazi. Rënia në terma realë me 1.2% mund të konsiderohet e ulët në krahasim me rënien dyshifrore të regjistruar që nga tremujori i tretë i vitit 2012. Imobilarët kanë pohuar se çmimet ulen ndjeshëm në momentin e transaksionit, në nivele që arrijnë deri në 15% më të lira.

Çmimet e apartamenteve brenda unazës së kryeqytetit mund të arrijnë edhe në 700-750 euro/m², ndërsa një vit më parë çmimet nuk ishin me poshtë 850 euro/m². Në treg vihet re pasiguri e shtuar nga konsumatorët në lidhje me të ardhmen e tyre, që ka të bëjë kryesisht me punësimin dhe ecurinë e të ardhurave që do të kenë. Kur bëhet transaksioni, rënia arrin deri në 10-15%. Të gjithë ata që shesin, qoftë ndërtues, qoftë individë që rishesin apartamentet e tyre zgjedhin të mos i ulin çmimet në publikim apo afishim, por në momentin e transaksionit, rënia është e ndjeshme.

 

Preferencat

Zonat e preferuara për të blerë apartamente janë ato pranë qendrës dhe shumë më pak në periferi. Aktualisht, agjencitë vërejnë se kërkesa është mjaft “e gjallë” në të gjithë zonën brenda Unazës së Vogël. Ndërkohë, ka gjithnjë e më pak kërkesa për apartamente në Yzberisht apo në zonën e Freskut. Është e qartë se klientët kërkojnë të banojnë më pranë qendrës dhe preferojnë që t’i blejnë shtëpitë më të vogla. Duket se ka ezaurim të zonës së Tiranës së Re dhe pranë Liqenit të Tiranës, dhe klientët janë duke pritur një zhvillim të zonës te Stacionit i Trenit.

Sipas agjentëve, mungesa e hipotekave në shumë godina dhe apartamente të reja është pengesë në këtë drejtim, çka e bën gati të pamundur përfitimin e kreditimit.

 

Sektori i ndërtimit

Banka e Shqipërisë ka konfirmuar se vlera e shtuar në sektorin e ndërtimit ka mundur të shënojë rritje vjetore prej 16% në tremujorin e dytë (ende nuk disponohen të dhëna për 3-mujorin e tretë), pas një kontraktimi të regjistruar për 5 tremujorë radhazi. Por të dhënat e vrojtimeve për sektorin sinjalizojnë ngadalësim të mundshëm të performancës së aktivitetit ndërtues në tremujorin e tretë. Kontributi i ndërtimit në rritjen vjetore të PBB-së llogaritet rreth 1.4 pikë përqindje.

Por realizimi i ndërtimeve për banim vlerësohet i ulët, i ndikuar si nga niveli i ulët i kërkesës së brendshme, ashtu edhe nga kushtet më të shtrënguara të financimit.

Siç kanë konfirmuar edhe ndërtuesit, investimet e reja janë thuajse 0, në kushtet kur shumë kompani vuajnë nga detyrimet e pambledhura dhe nga borxhet e mëdha. Qeveria ka premtuar se do të shlyejë detyrimet që ka ndaj biznesit dhe pikërisht këtu është mbështetur edhe “shpresa” e sektorit të ndërtimit.

 

Kreditimi

Kredia nga bankat për blerje pasurie të paluajtshme tek individët arriti në 101.8 milionë lekë në fund të muajit tetor 2013. Kjo shifër shënon rënie në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me rreth 1.6%, ndërkohë që tregon edhe njëherë trendin tkurrës së kredive për shtëpi.

Kreditë për shtëpi e kanë ulur ndjeshëm ritmin që prej vitit 2008, kohë kur nisi edhe kriza ekonomike financiare dhe nisën të ndjeheshin efektet e saj në ekonominë shqiptare. Ndër faktorët me ndikimin më të madh në krahun rënës të kërkesës së individëve për kredi janë sipas bankierëve, rënia e besimit të konsumatorëve dhe përdorimi i burimeve alternative të financimit. Siç vihet re edhe nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë, rënia është pasojë e tkurrjes së kredisë në euro, ndërkohë që huaja në monedhë vendase ka vijuar të rritet, ndonëse me ritme të ulëta. Kjo ka ardhur si pasojë e politikës së Bankës Qendrore dhe bankave vendase për të kredituar në lekë, për të rritur sigurinë e shlyerjes dhe shmangur rreziqet nga kursi i këmbimit.

 

Tregu

Tregu i shitblerjeve të shtëpive nuk po u rikthehet ritmeve dinamike të 4-5 viteve të mëparshme. Vazhdimisht kreditimi për pasuritë e paluajtshme i ka ulur ritmet e rritjes, si pasojë e rënies së kërkesës nga individët. Janë pikërisht vetë individët që po u drejtohen më pak bankave, për shkak të pasigurisë që kanë nga kriza ekonomike. Gjithnjë e më shumë, individët janë të prirë të kursejnë dhe si pasojë, kanë interes në produktet e llogarive të kursimit, duke hezituar që të blejnë, duke ulur kërkesat për financime të mëdha dhe të vogla.

Emigrantët gjithashtu kanë investuar më pak se vitet e kaluara në tregun e shtëpive.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency