Lindja e Krishtit Festa e Krishtlindjeve, shqiptarët në foltoret e kishave

0
140

Krerët fetarë: Paqe dhe dashuri me njëri-tjetrin

 Festime në të gjitha qytetet

 

shqiptaret_e_krishtere_duke_feBesimtarët ortodoksë dhe katolikë kremtuan dje Krishtlindjet, festën më të rëndësishme në kalendarin fetar kristian. Festimet kanë nisur që në mesnatë, kur janë shënuar edhe minutat e para të datës 25 dhjetor, një ditë që simbolizon lindjen e Jezu Krishtit, që sipas librave fetarë, ai erdhi në jetë për të shpëtuar njerëzit nga mëkatet e për të përcjellë paqe e dashuri mes tyre. Urimet për Krishtlindjet kanë ardhur nga drejtuesit më të lartë fetarë, si Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkv Metropolit i Dioqezës Tiranë – Durrës; Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas, si dhe nga shumë qytetarë të thjeshtë. Imzot Rrok Mirdita uroi të gjithë shqiptarët, duke vlerësuar forcën e dashurisë. “Forca e vërtetë dhe e shenjtë është forca e dashurisë. Ajo që na bën të bëhemi të vegjël e të dobët, ajo që na shtyn të zëmë vendin e fundit dhe të zbulojmë bukurinë e shërbimit. Në këto Krishtlindje duhet të kërkojmë hyjin e fort tek njerëzit që sipas logjikës së botës janë të dobët, të sëmurët, të miturit, të pambrojturit, të burgosurit, të përjashtuarit nga shoqëria dhe të mënjanuarit nga ne. Krishti është princi i paqes, është paqja e besimit në dashurinë shpëtimtare të hyjit. Paqe njerëzve vullnet mirë mbi tokë, këndojnë engjëjt. Paqe të gjithë juve të dashur vëllezër e motra shqiptarë kudo gjendeni, për shumë mot Krishtlindja, të gëzuar e të lumtur vitin e ri 2014”, – thuhet në mesazhin e Imzot Rrok Mirditës.

 

Kryepeshkopi Anastas

Edhe në Kishën Ortodokse është kremtuar Lindja e Krishtit. Në meshën e mbajtur nga Kryepeshkopi Anastas, besimtarët ortodoksë janë lutur në emër të Krishtit. “Le të përkujdesemi që në këto ditë festive, të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e dhuratës së jetës që na e ka dhuruar Perëndia. Dhe për më tepër të shprehim mirënjohjen tonë me përpjekje të pandërprerë për zhvillimin e jetës shpirtërore”, – tha Kryepeshkopi Anastas. Pas ceremonisë, besimtarët u shpërndanë duke ndarë mesazhe për shumë paqe e dashuri mes njëri-tjetrit.

 

Festimet në Shqipëri

Që në orët e para të mesnatës së djeshme, qytetarë të shumtë u janë drejtuar kishave për të ndjekur meshat. Në orët e para të mëngjesit, të shoqëruar edhe nga fëmijët, besimtarët kanë shkuar për të ndezur qirinjtë dhe për t’u lutur për më shumë paqe dhe dashuri. Atmosfera e Krishtlindjes ka qenë e pranishme në të gjitha rrethet e jugut të vendit. Dhjetëra ceremoni fetare që kremtuan lindjen e Krishtit zunë vend në kishat e Gjirokastrës, Përmetit, Sarandës dhe Delvinës. Nga kisha e Shën Mëhillit në Gjirokastër besimtarët uruan për më shumë paqe, dashuri dhe ditë më të mbara në të ardhmen. Katedralja e “Shën Nikollës” në Lezhë ishte mbipopulluar nga prania e besimtarëve që pritën për të kryer ritualet e festës, lutjet, ndezjen e qiririt dhe faljes. Krishtlindja është festa e lindjes së Jezusit, i cili besohet nga të krishterët si Biri i Perëndisë dhe Perëndia vetë e mishëruar, zbritur në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit dhe për ta kthyer atë në shtëpinë e Perëndisë. Mesha e Krishtlindjeve është mbajtur edhe në kishat e rrethit të Vlorës. Besimtarët janë mbledhur për të kremtuar festën e Krishtlindjeve. Qytetarë të shumtë janë mbledhur dhe në qytetin e Shkodrës, të Korçës dhe në të gjitha qytetet e vendit.

 

 

 

Mesha në Vatikan

 Papa: Nëse do të duam Zotin, do të kemi rrugëtim të ndriçuar

Papa Françesku ka mbajtur meshën e Krishtlindjeve në Vatikan, duke u bërë thirrje të krishterëve që të hapin zemrat e tyre për paqe dhe dashuri. Mesha e natës së Krishtlindjes ka nisur me ritin antik të këndimit të Kalendës, për fillimin e Krishtlindjes. “Nëse do të duam Zotin dhe ata që na rrethojnë, do të kemi një rrugëtim të ndriçuar, nëse zemra jonë do të mbyllet dhe nëse na pushton egoizmi dhe ligësia dhe kërkimi i interesave tona, atëherë tek ne dhe rreth nesh do të zbresë errësira. Mos kini frikë, Ati ynë është i durueshëm, ai na do dhe na drejton, drejt rrugëtimit të tokës së premtuar, Ai është mishërimi, Ati ynë fal gjithmonë, ai është Paqja jonë”, – tha Papa Françesku duke përfunduar meshën e Natës së Krishtlindjes dhe duke i ftuar të gjithë të shpërndajnë Lavdinë e Ungjillit. Para meshës, besimtarët janë mbledhur në sheshin para Bazilikës së Shën Pjetrit. Shumica e tyre kanë shprehur mbështetje për mënyrën se si Papa Françesku ka drejtuar kishën gjatë vitit të kaluar. Papa u shpreh gjithashtu se është e rëndësishme të kujtohemi për fëmijët, viktimat më delikate të luftërave, por edhe për të moshuarit dhe për femrat e keqtrajtuara. Papa u lut edhe për paqe në Siri, duke kërkuar ndalimin e luftërave dhe garantimin e ndihmave humanitare. Gjatë fjalimit të tij, foli edhe për emergjencën në jug të Sudanit, për Irakun, për Kongon edhe për Filipinet të goditura nga Tajfuni.

 

 

Radhët e gjata

 Krishtlindjet, një pjesë e emigrantëve i festojnë në kufi

Fluksi i emigrantëve në pikat kufitare ka bërë që një pjesë e tyre ta kalojnë drekën e Krishtlindjeve në Kufi. Në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës ka pasur një numër të madh emigrantësh, të cilët po ktheheshin në atdhe. E njëjta situatë ka qenë edhe në portin e Durrësit, ku fluksi ka qenë pak më i ulët. Në këtë pikë kufitare kanë hyrë 6392 persona me 1647 mjete, ndërsa kanë dalë nga Shqipëria, 1654 persona me 464 mjete. Fluksi më i lartë është shënuar mbrëmjen e djeshme. Pala shqiptare ka marrë të gjitha masat duke punuar me 6 sportele, ndryshe nga ajo greke që punon vetëm me 2 të tilla. Në portin e Durrësit kanë zbarkuar 8 mijë pasagjerë në 24 orë. Autoritetet portale punojnë me 30 sportele. 40 persona kanë ardhur në Shqipëri me traget në portin e Vlorës. Në ditët në vazhdim pritet një fluks më i lartë emigrantësh, për shkak se një pjesë e tyre i marrin pushimet pas Krishtlindjeve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency