Vrasja në kufi Ekspertiza, 2 vëllezërit nuk kanë shenja dhune

0
34

Anxhela Tato

Familjarët: Është manipuluar akt ekspertimi, policia po fsheh të vërtetën, do të marrim ekspertë të huaj

Mjekësia ligjore: Melsi dhe Klevis Çollaku janë qëlluar në distancë të afërt, vdekja, nga plagët tejshpuese

 

vellezerit e vrareVëllezërit Çollaku nuk kanë shenja dhunë në trup dhe vdekja ka ardhur si pasojë e hemorragjisë nga plagët e zjarrit. Sipas mjekësisë ligjore, dy vëllezërit kanë në trup plagë të shkaktuara nga plumbat me diametër 8 mm, ndërsa nuk ka asnjë lloj shenje nxirjeje ose hematoma të shkaktuara si pasojë e dhunës, të pretenduar nga ana e familjarëve. Në akt-ekspertizë bëhej me dije se distanca mes viktimave dhe tytës së armës së zjarrit ka qenë e afërt. “Në dy trupat e pajetë të shtetasve Melsi dhe Klevis Çollaku nuk ka shenja gjymtyrësh të dëmtuara ose të thyera. Mbi viktimat nuk është ushtruar dhunë dhe vdekja u ka ardhur nga plagët shpuese të armës së zjarrit. Nga analiza biokimike konstatohet se viktimat janë qëlluar nga një distancë e afërt”, – pjesë nga ekspertiza, e cila pritet që të depozitohet në prokurori nga ana e policisë së Korçës, ku do të ballafaqohet me akt-ekspertimin e bërë nga pala greke. Kërkesa për dosjen e plotë është bërë nga ana e organit të akuzës pas pretendimeve të familjarëve se njëri nga viktimat është vrarë në tokën shqiptare. Familjarët kërkuan hetim të plotë të ngjarjes dhe nga ana e organit të akuzës u kërkua dërgimi i gjithë materialeve të policisë greke në lidhje me ngjarjen e rëndë, përfshirë këtu këqyrjen e vendit të ngjarjes, procesverbalet e dëshmisë së punonjësve të policisë, procesverbalin e ekspertizës së kufomës së policit grek, ekspertiza mjekoligjore të dy viktimave shqiptarë.

Reagimi

Familjarët e vëllezërve, Melsi dhe Klevis Çollaku, kanë dalë kundër ekspertizës së policisë së Korçës, duke pretenduar se ajo është e manipuluar. “Ekspertiza është e manipuluar dhe ne do të marrim ekspertë të huaj”, – kanë deklaruar ata. Sipas tyre, ekspertiza mjekoligjore e policisë së Korçës është e manipuluar. Ata kanë akuzuar gjithashtu edhe uniformat blu për fshehje të së vërtetës. “Policia e prokuroria nuk po e zbardhin të vërtetën e ngjarjes. Ne jemi të bindur që ata janë torturuar. Në trupin e tyre ka thyerje gjymtyrësh dhe plagë. Jemi gati i zhvarrosim përsëri”, – kanë deklaruar ata. “Djemtë janë torturuar më pas janë vrarë. Kanë thyerje të gjymtyrëve dhe janë masakruar në pjesë të tjera të trupit”, – janë shprehur të revoltuar të afërm të djemve. Sipas tyre, policia shqiptare po mbron policinë greke, duke fshehur të vërtetën. “Kërkojmë urgjent të zbardhet e vërteta. Shteti të mos heshtë. Djemtë nuk ishin trafikantë, u vranë pabesisht nga policia greke. Njëri ka pesë plumba, tjetri ka tre dhe trupat ishin të goditur, të masakruar. I sollën lakuriq me gjak e plagë të hapura”.

Ministria

Ngjarja e rëndë është shndërruar edhe në objekt bisede në seancën e djeshme parlamentare. Deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri, ka kërkuar që në seancë të flitet për vrasjen dhe të lihet mënjanë servilizmi ndaj palës greke. Ndërkohë që, pas përfundimit të seancës plenare, u shpreh ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili e cilësoi si ngjarje të hidhur vrasjen e dy vëllezërve Çollaku në Follorinë. Tahiri sqaroi se policia shqiptare ka qenë në kontakt me oficerët grekë që natën kur ka ndodhur ngjarja. “Që natën që ka ndodhur kemi qenë në kontaktet me oficerët grekë. Oficerët shqiptarë kanë qenë ngushtësisht të përfshirë. Më vjen keq e dua t’i ngushëlloj familjet e tyre, por pretendimet që kam lexuar në media nuk janë të vërteta. Verifikimet janë bërë. Është një ngjarje e hidhur, që shpresoj të mos përsëritet më”, – tha Tahiri në një reagim pas seancës së Kuvendit. Dy vëllezërit shqiptarë, Melsi dhe Elvis Çollaku, nga fshati Shuic i Devollit, mbetën të vrarë në një mal të Follorinës pas një shkëmbimi me armë zjarri me policinë greke. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë edhe një polic grek.

 

Prokuroria greke: Vëllezërit Çollaku, të dyshuar për trafik droge dhe klandestinësh

Policia greke i akuzon dy vëllezërit e vrarë në kufi si autorë të dyshuar të disa grabitjeve në fshatrat kufitare, teksa Gjykata e Apelit në Janinë dënoi me 25 vjet burg një 30-vjeçar shqiptar që vrau çiftin e moshuar, në tentativë për t’ua grabitur shtëpinë. Më konkretisht, nga hetimet e palës helene ka rezultuar se mbi njërin nga vëllezërit Çollaku, përveç akuzës së vjedhjeve, rëndojnë edhe ato të kontrabandimit të emigrantëve në Athinë. Madje, pala greke pretendon se ose Melsi, ose Klevisi (30 e 34 vjeç) ishte skeduar nga policia shqiptare për trafik njerëzor. Ndërkaq, grekët nuk ngurrojnë të thonë se dy vëllezërit e përfshirë në incidentin e përgjakshëm në orët e para të së dielës në Vrondero të Follorinës, në Prespë, ku u vra edhe oficeri grek 43-vjeçar Elia Kosteni, ishin depërtuar nga Greqia, por duket se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme. Tashmë, prokuroria greke nuk e lidh këtë ngjarje me peshkimin, siç u vlerësua në fillim, por me trafikun e drogës e të emigrantëve të paligjshëm. Ndërkaq, oficerët shtesë që shqyrtojnë çështjen thanë se dy shqiptarët ishin autorët e grabitjeve të shtëpive, ngjarje këto që kishin ndodhur muajt e fundit në fshatrat e Follorinës. policia greke thotë se në një luginë prapa kasolles së improvizuar, ku u gjetën dy shqiptarët, u zbulua një varkë e fshehur në kallamishte, që pretendohet se është e autorëve të krimit, brenda së cilës u gjetën dy karikatorë me fishekë kallashnikovi dhe një radio portative. Sipas policisë greke, ngjarja ndodhi në orën 00:45 duke u gdhirë e diel, në piramidën 1920, pranë liqenit të Prespës, kur patrulla e policisë që merrej me kontrollin e peshkimit të paligjshëm, ushtroi një patrullim, pasi kishte informacion se ishin vjedhur rrjetat e peshkatarëve në liqen.

 

Durrës, “Fundi i marrëzisë”, sekuestrohen 2 pika lojërash fati

Sekuestrohen dy pika lojërash fati në Durrës, të cilat zhvillonin aktivitetin në formë të paligjshme. Sipas forcave të policisë dy pronarët do të procedohen në gjende të lirë për akuzën e organizimit të lotarive të palejuara. “Në vijim të punës për kontrollin e ligjshmërisë në drejtim të organizimit të lojërave të fatit, ditën e djeshme u evidentuan dy raste të tjera, ku kjo veprimtari zhvillohej në mënyrë të kundërligjshme”, – thuhet në njoftimin e bluve. Në procedim penal është shtetasi me inicialet A. J., 37 vjeç, banues në Durrës, pronar i një lokali lojërash fati. Nga ana e bluve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 11 makineta të lojërave të fatit, 1 monitor, 1 njësi qendrore, 1 printer, 5 televizorë dhe 1 tavolinë pokeri. E njëjta masë është marrë edhe ndaj 46-vjeçarit me iniciale I. D., pronar lotoje. Blutë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 makineta të lojërave të fatit. Materialet mbi dy rastet iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Durrës.

 

Berat, godet me levë 45-vjeçarin, arrestohet autori

Një 45-vjeçar është plagosur rëndë, pasi është goditur me mjete të forta ditën e djeshme në Komunën Kutalli në qarkun e Beratit. Sipas policisë, Vangjel Shkëmbi 45-vjeç është goditur disa herë me levë në kokë nga Nebi Çaushi, 35 vjeç. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një sherri mes dy personave për motive banale. Policia bën me dije se i plagosuri ndodhet në gjendje të rëndë dhe është transportuar me urgjencë për në Spitalin Ushtarak. Ndërkohë, autori i plagosjes, Çaushi, është vënë në pranga pak minuta më vonë. Policia u paraqit në vendngjarje dhe po heton për të zbardhur motivet e saj, ndërkohë që do të merret në pyetje edhe autori i saj.