Me shumicë votash PE miraton rezolutën: Shqipëria të marrë statusin. Holanda, skeptike: Jo tani, në pranverë

0
116

Gëzim Saliu

Ministri Timmermans: Presim zbatueshmëri të reformave. Nuk duam të jemi të vetëm në votën kundër, do të lobojmë për vende të tjera

Më 17 dhjetor merret vendimi përfundimtar nga Këshilli i Ministrave të BE-së

 

Seanca e PEParlamenti Evropian miraton rezolutën për Shqipërinë, me anë të së cilës i rekomandon Këshillit të Ministrave të BE-së dhënien e statusit të vendit kandidat. Në seancën e djeshme parlamentare në Strasburg, eurodeputetët, me shumicë votash, votuan pro rezolutës për Shqipërinë, duke mbështetur rekomandimin e KE-së për dhënien e statusit të vendit kandidat. Në dokumentin e miratuar dje, vlerësohej progresi i vendit ne përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit si edhe tranzicioni i qetë i pushtetit. Raportuesi për Shqipërinë, Nikola Vuljaniç, ka deklaruar se me miratimin e rezolutës po dërgohet një mesazh unanim ndaj Këshillit, që Shqipëria meriton t’i jepet statusi kandidat. “Avancoi axhendën e reformave dhe ka arritur një nivel të ri të pjekurisë politike përmes kalimit të duhur të pushtetit në paqe pas zgjedhjeve të qershorit. Jam i bindur se forcat politike dhe populli i shqiptar janë të aftë të kalojnë pengesat e mbetura dhe të përmirësojnë dialogun politik dhe social nëse kanë mbështetjen e BE-së”, – tha ai. Nga ana tjetër, rezoluta bën thirrje për një bashkëpunim të qëndrueshëm midis mazhorancës dhe opozitës, rezultate konkrete të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërtimin e një administrate publike efikase e të pavarur dhe përmirësimin e sistemit të drejtësisë. Ndërkohë, eurodeputetët kanë hedhur poshtë 5 amendamente të propozuara nga grupime të ndryshme, ku i vetmi amendament që është miratuar është ai i Doris Pack dhe Libor Roucek, që i shtohet versionit të mëparshëm të rezolutës. Sipas këtij amendamenti, opozita ka një rol thelbësor në procesin e reformave të integrimit evropian dhe bashkëpunimi i mazhorancës dhe i opozitës është i domosdoshëm në këtë proces.

Holanda

Por pavarësisht nga mbështetja e Parlamentit Evropian, duket se Holanda mbetet skeptikja kryesore për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Gjatë një debati të zhvilluar dje në Parlamentin holandez për këtë çështje, ministri i Punëve të Jashtme, Frans Timmermans, tha se është në kërkim të vendeve të tjera evropiane që do të dilnin kundër dhënies së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Shefi i diplomacisë holandeze pohoi se do të kërkojë aleatë brenda Evropës për të mbështetur qëndrimin e tij kundër statusit. “Vendi i përmbushi kushtet politike, por nuk i ka zbatuar ende të gjitha ato. Nëse vendi ballkanik, pra Shqipëria, është gati deri në mesin e vitit tjetër, atëherë do t’i jepet statusi i vendit kandidat”, – deklaroi ai. Thuajse shumica e Dhomës se Parlamentit në Holandë është shprehur kundër statusit kandidat për Shqipërinë. “Nëse Holanda e zbulon qëndrimin e saj në këtë moment, duke u shprehur kundër, atëherë ky vend do ta gjejë veten të vetëm në një cep të Bashkimit Evropian”, – shpjegoi ministri i Jashtëm, duke shtuar se vendet e tjera, të cilat ndajnë mendimin se Shqipëria nuk është gati do t’ia lërë punën më të vështirë Holandës, në mënyrë që kjo të thotë “jo”. Në këtë kontekst, Timmermans u shpreh në debatin në Parlament se nuk e ndien se duhet ta luajë këtë lojë. Pas diskutimeve, Parlamenti ra dakord me propozimin e ministrit të Jashtëm për t’i dhënë atij kohë deri javën tjetër për të gjetur aleatë në vendet e tjera të Bashkimit Evropian, që do të votonin kundër dhënies së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Më 17 dhjetor, ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të vendosin për kandidaturën e Shqipërisë dhe ky qëndrim pritet të konfirmohet dy ditë më pas, edhe nga Këshilli i krerëve të shteteve dhe qeverive të Unionit. Votimi për statusin e kandidatit duhet të jetë unanim e në rast se edhe një vend i vetëm anëtar i BE-së voton kundër tij, Shqipëria humbet shansin e radhës për të ecur përpara në aspiratën e saj drejt integrimit në strukturat e BE-së.

 

PD

Bregu: Votimi i rezolutës, historik, inkurajim për reformat dhe detyrim për përgjegjshmëri

Deputetja e PD-së, njëherësh kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimit, Majlinda Bregu, vlerësoi dje votimin e rezolutës së Parlamentit Evropian. Sipas saj, ky ishte një vlerësim për të gjitha reformat e ndërmarra nga e djathta në pushtet. “Parlamenti Evropian, me një votim historik, i tha “po” rezolutës që mbështet Shqipërinë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Parlamenti Evropian me këtë rezolutë ka njohur përpjekjet e kombit shqiptar, të shoqërisë sonë, të politikës dhe veçanërisht të qeverisjes së 8 viteve të fundit, për arritjen e rezultateve të kërkuara në rrugën jo të lehtë të integrimit evropian, duke plotësuar detyrimet e kërkuara nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit evropian në drejtim të 12 prioriteteve në reformimin e administratës publike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Në rezolutën e miratuar vlerësohet standardi i lartë i zgjedhjeve të fundit dhe tranzicioni i butë politik i realizuar nga Partia Demokratike. Po ashtu, theksohet roli i rëndësishëm që ka dhe duhet të ketë opozita në rrugën e mëtejshme të integrimit evropian të vendit”, – theksoi Bregu. Në të njëjtën linjë, deputetja e PD-së nënvizoi se miratimi i rezolutës përbën një gur kilometrik në aspiratën kombëtare për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. “Partia Demokratike falënderon Komisionin Evropian për nxitjen që i ka dhënë integrimit të vendit dhe punën e madhe të bërë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare, sidomos në 8 vitet e qeverisjes së PD. Partia Demokratike falënderon europarlamentarët e të gjithë kaheve politike, për impulsin dhe energjinë që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën drejt BE-së. Rezoluta e Parlamentit Evropian është një inkurajim për vendin tonë që të ecë më shumë në rrugën e integrimit, dhe është një lajm i mirë për stabilitetin dhe progresin në rajon. Kjo rezolutë është edhe një detyrim i ri për të gjithë ne, veçanërisht për qeverinë shqiptare, që të rrisë përgjegjshmërinë dhe efikasitetin në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe që kërkohen për negociatat, në përputhje edhe me Rezolutën e miratuar unanimisht nga Kuvendi i Shqipërisë. Është një rastësi e bukur që kjo rezolutë miratohet pikërisht sot, me 12 dhjetor, ditëlindjen e Partisë Demokratike, që është në fakt partia e integrimit evropian të Shqipërisë”, – përfundoi deklaratën e saj deputetja e PD-së, Majlinda Bregu.

 

Ministri i Jashtëm

Bushati: Shqipëria do ta marrë statusin

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, u shpreh dje i bindur se Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat dhe, sipas tij, kjo është një meritë e të gjitha qeverive në Shqipëri. Nga Luksemburgu, kryediplomati shqiptar theksoi se Holanda nuk ka ende një vendim në lidhje me dhënien Shqipërisë të statusit të vendit kandidat. “Në Luksemburg ka një qëndrim të qartë pro rekomandimit të Komisionit Evropian për t’i akorduar Shqipërisë statusin e vendit kandidat, sikurse e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Belgjikën, ndërsa kur vjen puna tek Holanda, ende nuk ka një vendimmarrje të përcaktuar nga kjo e fundit. Edhe sot (dje) ka pasur një diskutim të gjatë dhe është jashtëzakonisht për t’u vlerësuar qëndrimi i mbajtur nga ministri i Jashtëm holandez përpara deputetëve të Komisionit të Çështjeve Evropiane në Parlamentin holandez, për sa i përket një realizmi me të cilin duhet të shikohet propozimi i KE-së, për t’i dhënë statusin e vendit kandidat Shqipërisë”, – tha Bushati në një prononcim për “A1 Report”. Lidhur me mundësinë e marrjes së statusit kandidat, ministri i Jashtëm u shpreh: “Nuk ka pikëpyetje që Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat. E gjithë puna jonë është përqendruar tek data 17 dhjetor, tek rëndësia që ka për ne ky proces, procesi i reformave, e kombinuar kjo me kohën, sepse data 17 do të ishte është një mundësi e artë për të njohur përpjekjet që kanë bërë qeveritë shqiptare për të njohur përpjekjet e procesit gjithëpërfshirës që ka hedhur rrënjët në Shqipëri. E kam fjalën këtu për të njohur edhe përpjekjet dhe reformat që janë ndërmarrë nga qeveria e mëparshme dhe nga të gjitha qeveritë e tranzicionit në Shqipëri dhe jo vetëm qeveria jonë dhe për të hedhur hapin në mënyrë vendimtare drejt proceseve të mëtejshme që është procesi i nisjes së bisedimeve për anëtarësimin në BE. Çështja nuk shtrohet a do ta marrë Shqipëria statusin, por a do ta marrë Shqipëria statusin e vendit kandidat të martën e ardhshme (17 dhjetor 2013)”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency