Dyshimi për kontrabandë armësh apo droge Shkëmbim zjarri në Follorinë, vriten 2 vëllezër shqiptarë dhe një polic grek

0
139

Hetimi, shqiptarët dyshohet se peshkonin në mënyrë të paligjshme në Prespën e Vogël në anën greke

Dyshimi, policia greke dyshon se dy shqiptarët e armatosur kishin shkuar për të vjedhur rrjetat e peshkimit

Greqi

Florina2.81213skDy shqiptarë dhe një polici grek kanë humbur jetë pas një shkëmbimi zjarri në afërsi të kufirit greko-shqiptar, në piramidën 1920. Përplasja me armë mësohet të ketë ndodhur në vendin e quajtur Vrondero, dy kilometra larg Prespës së Vogël. Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës së të shtunës, duke u gdhirë dita e djeshme. Tre policisë kufitarë grekë kanë qenë duke kontrolluar zonën kur janë përplasur në një kasolle të braktisur me dy shqiptarë. Pas thirrjes “Policia”, njëri nga shqiptarët ka hapur zjarr nga tre policëve grekë, duke plagosur rëndë njërin prej tyre. Më pas kanë qenë dy efektivët e tjerë që kanë qëlluar ndaj shqiptarit duke e lënë të vdekur në vend. Menjëherë ka reaguar shqiptari i dytë, i cili mësohet se ka qenë vëllai i të vrarit, duke hapur zjarr me automatik kallashnikov ndaj policëve. Këta të fundit kanë reaguar dhe kanë vrarë edhe shqiptarin e dytë. Më pas kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë policit të plagosur, i cili ka humbur jetën pa mbërritur deri te vendi ku kishin lënë makinën.

Ngjarja

Vetëm 45 minuta pas mesnatës së të shtunës duke u gdhirë dita e djeshme, një patrullë me tre policë kufitarë kishin shkuar për të kontrolluar një kasolle të vetmuar, e cila përdorej herë pas here nga kontrabandistë dhe trafikantë droge. Ata e kishin lënë makinën të parkuar 45 minuta larg vendit ku ndodhi ngjarja dhe patrullimin po e bënin në këmbë. Aty kanë gjetur një person që po flinte. Mësohet se thirrën në gjuhën shqipe “Policia”, por një person i dytë, që policët nuk e kishin vënë re, drejtoi armën kundër tyre dhe nisi të qëllonte. Nga plumbat u plagos për vdekje polici 43 vjeçar. Polici i tretë i fshehur pas një peme, u përgjigj me zjarr, duke vrarë agresorin. Atëherë, personi tjetër që ndodhej në kasolle, rrëmbeu armën e personit tjetër dhe zbrazi breshëri mbi policët, por pak sekonda më vonë, do të binte edhe ai i vdekur. Polici grek Elias Kostenis ka humbur jetën vetëm disa minuta më pas, në tentativë për t’u transportuar nga kolegët për në spital, ndërsa më vonë janë identifikuar edhe dy viktimat e tjera. Për të arritur në identifikimin e dy të vrarëve, policia greke kërkoi ndihmën e homologëve shqiptarë, pasi viktimat nuk kishin mjete identifikimi me vete. Pas marrjes së gjurmëve të gishtrinjëve, rezultoi se bëhet fjalë për dy vëllezërit shqiptarë Melsi dhe Elvis Çollaku nga fshati Shuec i Devollit në qarkun e Korçës.

Reagimi i policisë shqiptare

Policia e Korçë bën me dije se dy vëllezërit 28 dhe 34 vjeç, Melsi dhe Elvis Çollaku kanë udhëtuar mbrëmjen e së shtunës me një furgon deri në periferi të fshatit Shuec. Më pas kanë hipur në një varkë dhe janë drejtuar për në thellësi të liqenit të Prespës së Vogël për të peshkuar. Për shkak të temperaturave disa gradë nën zero, përkatësisht minus 15 gradë, vëllezërit Çollaku kanë vendosur ta kalojnë natën në një kasolle në brendësi të territorit grek, në afërsi të fshatit Vrondero, ku edhe ka ndodhur shkëmbimi i zjarrit me patrullën e policisë greke. Familja Çollaku ka hapur dyert e mortit ,ndërsa janë në pritje të mbërritjes së trupave të dy vëllezërve. Familjarët e dy vëllezërve Çollaku që humbën jetën pas një shkëmbimi zjarri me policinë greke në Follorinë, kërkojnë tërheqjen e trupave të tyre. Policia e Korçës bën të ditur se momentalisht viktimat ndodhen në morgun e spitalit të Follorinës, pasi autoritetet greke nuk kanë përfunduar ende ekspertizën mjeko-ligjore. Sipas policisë së Korçës, pas përfundimit të ekspertizës trupat e dy vëllezërve Melsi dhe Elvis Çollaku do të transportohen në Shqipëri.

Reagimi i policisë greke

Pas ngjarjes, edhe policia greke doli me një njoftim mbi shkëmbimin e zjarrit. “Sot (08-12-2013) , orëve të natës vonë, një grup prej tre (3 ) zyrtarësh të Departamentit të Kufirit Ruajtjes Prespës, Florina kryen patrullë për të parandaluar fenomenin e peshkimit të paligjshëm në rajonin malor të Florina Vrondero në Prespë të Vogël. Gjatë patrullës, oficerët kanë pikasur një kasolle të improvizuar në të cilin ishin dy shtetas shqiptarë, të cilët, kur u është kërkuar për të ushtruar kontroll, reaguan dhe qëlluan policinë me armë kallashnikov. Nga përleshja e armatosur u plagos për vdekje 43-vjeçari dhe mbetën të vrarë edhe dy të huajt, të cilët përdorën në mënyrë të njëpasnjëshme armë të tipit Kallashnikov” përfundon njoftimi i policisë.

Mediat greke

Në mediat online të shtetit fqinj raportohen moment pas momenti detaje rreth ngjarjes së rëndë të ndodhur në zonën e Follorinës. Sipas gazetës greke To Vima, dy shqiptarët dyshohet se prej disa kohësh vidhnin rrjetat e peshkatarëve. Sipas mediave greke, ka qenë ora 00:45 kur tre policë patrullës kufitare, po monitoronin zonën për kontrollin e peshkimit të paligjshëm, kanë shkuar për të parë në një kasoll , 2 km nga Prespa e vogël. Dy oficerë shkuan në kasolle, ndërsa i treti qëndroi prapa një pemë për t’u siguruar atyre mbulim. Kur ata arritën në kasolle, një nga dy oficerët e policisë tërhoqi batanijen që ishte në vend të derës, ndërsa panë në shtrat një njeri të mbuluar. Në këtë moment, polici ka thirrur në shqip “Ndal Policia”. Pas përplasjes me armë mes tyre, mbetën të vrarë 2 shqiptarët dhe polici grek, 43-vjeçari Kostenis, baba i një fëmije. Temperaturat në ato momente shënonin deri në minus 15 gradë. Policia kishte dyshime se dy shqiptarët ishin trafikantë droge apo kontrabandistë, por nga kontrolli në kasolle nuk u gjet asgjë e dyshimtë. Policia vijoi kontrollet edhe në zonën rreth vendit ku ndodhi ngjarja, me dyshimin se mos ishin fshehur armë apo drogë por nuk ka gjetur asgjë që të implikonte dy shqiptarët.

Reagimet

Në lidhje me ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe presidenti i policisë së kufirit për rajonin e Follorinës G.Mouratidi . Ai ka thënë se, qeveria helene e ka shkurtuar në maksimum personelin e policëve që kontrollojnë kufirin. Sipas tij, për të patrulluar duhet të jenë 10 policë e jo vetëm tre. Z. Mouratidis, duke folur për të SKAI thënë se incidente të ngjashme me të huajt të armatosur të cilët angazhohen në veprimtari kriminale ndonjëherë ndodh në kufi. Z. Mouratidis u ankua se rojet nuk kanë pajisje duke u shprehur se “çfarë të them? Makina që ne nuk kemi? Xhaketat antiplumb që mungojnë” Mos harroni zonat e largëta, sepse na harrojnë, na kujtojnë vetëm kur janë zgjedhjet,” përfundoi ai. Pas ngjarjes reagoi edhe ministri i Rendit Publik në Greqi. “Shpreh keqardhjen e thellë dhe pikëllimin për humbjen e jetës së 43-vjeçarit Elias Kosteni, një polic, i cili ra në krye të detyrës, në përpjekje për të mbrojtur jetën, pronën dhe dinjitetin e qytetarit grek. Ngushëllimet e thella për gruan, vajzën dhe gjithë familjen e tij. Mendimet tona janë me ta” përfundon reagimi i ministrit. Pas tyre, ka pasur një reagim edhe nga partia SYRIZA. Ata shprehen se “për vdekjen e gabuar të një polici në Follorinë ne shprehim ngushëllimet tona për vdekjen e gabuar e një polici në Follorinë dhe simpatinë tonë për familjen e tij. Detyrim i papërmbushur i shtetit është mbrojtja dhe mbështetja logjistike e policisë, të cilët janë përpjekur në kushte të rrezikshme.”

 

Reagojnë familjarët e viktimave

Nuk ishin trafikantë, kishin shkuar për peshkim, për bukën e gojës

Familjarët kërkojnë të tërheqin trupat, pritet përfundimi i ekspertizës mjeko-ligjore nga pala greke

Devoll

Pas ngjarjes së rëndë në afërsi të kufirit greko-shqiptar, kanë reaguar të irrituar dhe tepër të prekur familjarët e dy vëllezërve të vrarë nga policia e shtetit fqinj. Xhaxhallarët e Melsi dhe Elvis Çollakut janë shprehur për mediat se djemtë nuk ishin trafikantë armësh apo droge, ata ishin djemtë më të urtë të fshatit. “Ata nuk janë trafikantë droge siç kishte dyshuar policia greke. Jetonin mes varfërisë dhe skamjes në një kasolle me 12 veta”, kanë deklaruar xhaxhallarët e dy djemve që mbetën viktima në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Nga ngjarja familjarët janë shumë të irrituar, pasi sipas tyre ata janë vrarë padrejtësisht. “Kishin shkuar për peshkim për të siguruar bukën e gojës dhe janë vrarë padrejtësisht. Kërkojmë drejtësi pasi 2 djemtë janë vrarë pa të drejtë nga policia greke”, thonë të afërmit e viktimave. Melsi dhe Elvis Çollaku të cilët u vranë në orët e mesnatës nga një shkëmbim zjarri me policinë greke ishin të martuar dhe kanë të dy nga dy fëmijë. Dy viktimat nga fshati Shuec i Devollit dyshoheshin nga policia e shtetit fqinj se ishin trafikantë droge por që nga kontrolli nuk u gjet drogë apo armë dhe shtohen dyshimet se shqiptarët mund të kishin hyrë në tokën greke për peshkim të paligjshëm në liqenin e Prespës. Hetimet mbi rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes vazhdojnë. Ndërkohë mësohet se nëna e dy vëllezërve të vrarë është infermierja e fshatit Shuec. Ajo dhe familjarët e tjerë ndodhen në gjendje shoku dhe kanë kërkuar një ambulancë dhe ndihmë mjekësore, të cilat i kanë asistuar gjatë gjithë ditës së djeshme.

Kërkesa

Familjarët e dy vëllezërve Çollaku që mbetën të vrarë dje pas një shkëmbimi zjarri me policinë greke në Follorinë, kërkojnë tërheqjen e trupave të tyre. Si pasojë e përplasjes humbi jetën edhe një polic grek. Sipas policisë së Korçës, viktimat ndodhen në morgun e qytetit të Follorinës, pasi policia greke nuk ka përfunduar ende ekspertizën. Blutë e Korçës bëjnë me dije se po negociojnë me policinë e vendit fqinj për tërheqjen e trupave, ndërsa thonë se trupat e dy viktimave do të transportohen në Shqipëri pas përfundimit të ekspertizës nga ekspertët mjeko-ligjorë të Follorinës.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency